FA, ndihma për fëmijët italianë të prekur nga tërmeti

427
Sigal

Gratë dhe vajzat ushtarake e civile të Ministrisë së
Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura kanë ndërmarrë një nismë në ndihmë të
fëmijëve të prekur nga tërmeti i para disa ditëve në Itali. Të mbështetura edhe
nga ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ato kanë ndërgjegjësuar gjithashtu të
gjitha njësitë apo repartet e FA-së, për të lehtësuar sadopak gjendjen e
vështirë që po kalojnë ata fëmijë. Në një aktivitet ku ishte i pranishëm edhe
ambasadori i Republikës së Italisë në vendin tonë, Alberto Cutillo, u bë dorëzimi
i ndihmave të mbledhura për këta fëmijë. Në fjalën e saj, ministrja Kodheli e
konsideroi këtë nismë si të jashtëzakonshme për të ndihmuar sadopak fëmijët
italianë të prekur nga tërmeti i tmerrshëm i disa javëve më parë. “Është një
shenjë e bujarisë së qytetarëve shqiptarë në përgjithësi, por FA dëshmon po
ashtu se ndërveprimi dhe bashkëpunimi me partnerët tanë, nuk është vetëm kur
flitet për stërvitje e misione të përbashkëta, por është njëkohësisht edhe në
gjërat e vogla. Sigurisht që kjo është simbolike, por unë jam e bindur që,
është sa simbolike aq edhe domethënëse”, tha Kodheli, duke falënderuar
pjesëtarët e FA-së, të cilët kontribuan në mbledhjen e këtyre lodrave.