Studentët, të përjashtuar sërish nga lëmosha e asaj që kryeministri e quajti “pako e madhe”.
Studentëve sot u janë rritur qiratë nga 300-400 euro, kostot e transportit, veshjeve e librave. Jetesa e tyre sa vjen e bëhet më e vështirë.
E ndërkohë që qytetarët varfërohen, qeveria pasurohet. Kjo qeveri mblodhi 500 milionë euro më shumë përmes taksave gjatë vitit që lamë pas.
Përjashtimi i studentëve nga ndihma financiare ndodh kur mbi 70% e të rinjve e shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit, kur 1 në 3 maturantë do të studiojë larg Shqipërisë, në një kohë kur ua kalojmë edhe ukrainasve për kërkesat për azil në vendet e BE-së, kur çdo ditë qindra të rinj shqiptarë rrezikojnë jetën në La Mansh. Ndërkohë, kjo qeveri e papërgjegjshme jep mesazhin që as i njeh studentët e as merr masa për t’ua lehtësuar sadopak jetën në këtë vend.
Paratë janë aty, por qeveria nuk zgjedh t’i ndajë me qytetarët, duke ua shpërfillur kërkesat studentëve. Paratë shkojnë për pagesat e inceneratorëve, për koncesionet e PPP-të nga të cilat përfitojnë direkt klientët e qeverisë.





















