Erisa Xhixho: Maxhoranca nuk zgjodhi një buxhet për qytetarët por një buxhet për klienetët e saj

107
Sigal

Sot diskutohet pr.buxheti i 2023 që në fakt në këtë moment krize ekonomike do duhet të ishte buxheti që t’i jepte përgjigje shqetësimeve të qytetarëve që sot mezi përmbyllin muajin.

T’i jepet përgjigje dramës së madhe të largimit të të rinjve me gomone nga vendi, kur që nga viti 2014, Shqipërinë e kanë lënë plot 740 mijë qytetarë.

Por kjo maxhorancë nuk zgjodhi të bëjë një buxhet për qytetarët por një buxhet për klienetët e saj.

Kjo qeveri nëse do të mendonte për ndalimin e shpopullimit, buxhetin e parë të cilit duhet të mbështeste për të përmbushur të gjitha nevojat do duhet të ishte arsimi.
Por çfarë ndodh? Faktet që tregojnë të vërtetën që kjo qeveri nuk e ka aspak prioritet arsimin, të rinjtë dhe familjet shqiptare.

Buxheti për arsimin do të vazhdojë të jetë më i ulti në rajon me 2,2% e PPB për 2023, duke qenë shumë larg mesatares së BE dhe premtimit 5% e PPB që do të realizonte Rilindja.

Sot kjo qeveri u ktheu përgjigje negative studentëve shqiptarë, të cilët kërkojnë 100 euro në muaj për të përballuar jetesën e shtrenjtuar nga kriza e çmimeve.

Të paktën 500 euro i duhen një studenti në muaj, pa llogaritur këtu tarifën e studimeve. Qiratë janë rritur, ushqimet kushtojnë gati dyfish, transporti publik etj.

Studentët praktikisht sot u lanë jetimë nga kjo qeveri. Për qeverinë Rama,ata nuk ekzistojnë si kategori që duhet mbështetur, ndërkohë që vetëm pak javë më parë pamë sesi Kosova, edhe pse me një buxhet shumë më të vogël se Shqipëria, do t’i mbështesë me 100 euro çdo muaj.

12.5 milionë euro do të ishte kostoja e kësaj mbështetjeje në muaj, pak më shumë se kostoja e gjysmë km rruge të florinjte të Rilindjes.

Pedagogët
Ky buxhet nuk përmbush kërkesat e pedagogëve që kanë javë që protestojnë për një arsim cilësor dhe trajtim dinjitoz finaciar.

Ndërsa protesta e tyre vijon, kjo qeveri nuk tërhiqet nga thërrimet që u ofroi atyre pak javë më parë. 7% rritje nga qeveria, ndërsa pedagogët kërkojnë rritje 50% brenda dy vitesh, për t’u barazuar me kolegët e tyre në Kosovë.

Studentët kanë ikur në masë dhe ne sot kemi programe studimi të mbyllura apo programe me vetëm 5 studentë.

Kërkimi shkencor do vazhdojë të jetë 0,04-0,05 PPB, çka tregon edhe një herë se rritja cilesore e universiteteve tona nuk është aspak me rëndësi për Qeverinë e Inceneratorëve.
Ndërkohë që edhe progres raporti i fundit i BE e shpreh qartë jo vetëm buxhetin e ulët për arsimin, por dhe standardin që duhet të arrijmë për kërkimin shkencor që është 1% PPB.
Për investimet e brendshme, pra për laboratore, fusha sporti, infrastrukturë, ngrohje, etj., ky buxhet parashikon rritje vetëm 3 milionë lek ose 0,07% e PPB. Që në fakt jep përgjigjen që ndërtojmë godina që nuk përmbushin standartet për arsim cilësor dhe aftësimin e nxënësve nëpërmjet praktikës dhe thellimin e njohurive të tyre.

Asnjë zë në këtë buxhet për Kampusin e Universitetit të Tiranës si një premtim i kësaj qeverie me projekte që bëhen e modifikohen çdo vit apo për Kampusin e Universitetit të Durrësit, që nuk ka asnjë godinë për akomodimin e studentëve, edhe pse është një nga më të rëndësishmit në vend.

Pagat e mësuesve sipas projekt buxhetit do të rriten me 6% në korrik 2023, jo vetëm një rritje qesharake dhe e pamjaftueshme për të përballuar rritjen e çmimeve, karburantin, koston e jetesës dhe inflacionin e pritshëm, por dhe e vonuar sepse bëhet kur vitit i kanë mbetur vetëm 5 muaj.

Ndaj mësuesit duhet ta kenë qartë që propaganda e qeverisë për rritjen e pagës së tyre është thjesht një hi syve dhe tallje për mundin e sakrificat e një jete, për këta njerëz që për shkak se janë të keqpaguar i shohim shpesh të punojnë gjatë verës në punë sezonale, në vend që të rrisin kapacitetin e tyre.

Kjo qeveri vazhdon me propagandën e librave falas, që në fakt të gjithë prindërit, por jo vetëm, të gjithë shqiptarët e dinë që ato janë të përdorura dhe jashtë funksonit për fëmijët nga klasa 1 deri në klasë të 9.

Po ku shkojnë paratë, pyesin shqiptarët sot?
Paratë e qeverisë Rama shkojnë për pagesat e PPP, në shumën 950 milionë euro.

Shkojnë për inceneratorin e Tiranës, 34 milionë euro per 3 vitet e ardhshme, i cili as nuk egziston dhe nuk jep asnjë shërbim për qytetarët e Tiranës.

Vetëm pagesat e interesave dhe shërbimit të borxhit arrijnë shifrën 141 miliardë lek për vitin 2023, kjo e barabartë me buxhetin e arsimit, shëndetësisë, kulturës dhe bujqësisë OSE sa fondi i pensioneve.

Pra qeveria shton taksat dhe tatimet për 99% të qytetarëve, që t’ju bëjë peshqesh 1% të klientëve të vet.

Ky nuk është buxheti për njerëzit, ky është buxheti për klientët e qeverisë.

Ky nuk është buxheti që do ndihmojë njerëzit të përballojnë krizën e çmimeve, por buxheti i pagesave të PPP dhe inceneratorit të Tiranës.

Ky nuk është buxhet për t’i dhënë shpresë rinisë, intelektualëve që të qëndrojnë në vend.
Ne do të propozojmë amendamente konkrete për ta kthyer këtë buxhet nga buxheti i klientëve, në buxhet të qytetarëve shqiptarë.

Duke ju dhënë shansin kësaj maxhorance të vërë interesin e qytetarëve dhe mbi të gjitha të rinisë, përpara interesave të saj klienteliste.