Erion Braçe deputet i PS/ Trau në Divjakë, ministrja Kumbaro kërcënoi zyrtarët e bashkisë se do ‘fluturojnë”, po të pengojnë vendosjen e traut

165
Sigal

Banorët e Divjakës kanë protestuar kundër vendosjes së traut në parkun e Karavastasë, që i detyron të paguajnë para për të kaluar rrugën. Çdo vizitor detyrohet të paguajë 50 lekë të reja ndërkohë për automjetet është vendosur një tarifë prej 150 lekësh të reja. Kundër traut është edhe socialisti, Erion Braçe. Vendimi është marrë nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, ndërsa qytetarët janë zotuar që ta dërgojnë vendimin në Gjykatë Administrative. Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka akuzuar me emër ministren e Mjedisit, Mirela Kumbaro për vendosjen e traut në parkun e Karavastasë. Në një prononcim për mediat, Braçe tha se zyrtarë nga Ministria kanë marrë në telefon Bashkinë dhe i kanë kërcënuar se do të “fluturojnë” po të pengojnë vendosjen e traut. Deklarata të tilla kanë ardhur shpesh nga deputeti Braçe, por ai sërish duket se i bën të tilla deklarata vetëm për ‘shfaqje’ pasi në fakt nuk merr asnjë masë për të përmirësuar situatën për votuesit e tij. Edhe në këtë rast Braçe ka reaguar nga media e rrjetet sociale pasi nuk ka qenë i pranishëm në protestë. “Komenti im është e paarsyeshme është që të vijnë në Divjakë e të bëjnë skena të tilla. Do të ishte e natyrshme që e gjithë kjo situatë të zgjidhej në një mënyrë ligjore. Vendosja e një trau me pagesë është e paligjshme. Në territorin e bashkisë Divjakë ka disa rrugë Kombëtare. Kjo që bën Ministria në bashkëpunim me ARRSH është vendosja e një takse për të kaluar në rrugë dhe për të shkuar në det. është një pozicion, që cënon edhe sigurinë rrugore. Në gjykimin tim vendosja e pagesës në një aks kombëtar është e paligjshme. Unë do të ndërmarr çdolloj nisme për të goditur këtë paligjshmëri. Nga Ministria e Mjedisit buron e gjithë ajo arrogancë. Zyrtarët e Bashkisë Divjakë janë kërcënuar se do “fluturojnë” nëse pengojnë vendosjen e traut.”-tha Braçe. Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe i është përgjigjur sërish Ministrisë së Turizmit, e cila tha se trau i vendosur në hyrje të Parkut të Karavastasë do të jetë me pagesë vetëm për turistët. Në një postim në Facebook, Braçe ka nxjerrë video nga zona dhe thotë se e vetmja mundësi për të shkuar në plazhin e Divjakës është rruga Divjakë- Plazhi i Divjakës trau nuk prek vetëm turistët, por edhe vendasit.