Endrit Braimllari: Nuk ka zgjedhje më 30 qershor pa opozitën dhe me Edi Ramën Kryeministër

577
Sigal

Pjese nga intervista e Sekretarit te Pergjithshem te LSI-se, Endrit Braimllari per Scan Tv

Ka një datë  fundi i qershorit  për zgjedhje. A është ky presion një peshë më shumë për të arritur një marrëveshje midis palëve?

Jua them me siguri të plotë. Nuk ka zgjedhje më 30 qershor pa opozitën dhe me Edi Ramën Kryeministër. Çdo përpjekje e Edi Ramës për ti ikur këtij procesi, tregon që ai do të instaloj në vend një sistem monist. Ne nuk do ta lejojmë sepse opozita i ka të gjitha mundësit për të mos lejuar që Edi Rama të instaloj një sistem monist në vend. Ne po luftojmë dhe beteja jonë është për të instaluar demokracinë dhe Parlamentarizmin në vend. Sot Shqipëria nuk është më një sistem demokratik sepse nuk ka më funksionim të parlamentit. Ai Është ilegjitim sepse kanë ardhur aty me votat e krimit të organizuar nga ana e Partisë Socialiste dhe kjo doli në përgjimet e dosjes 339. Edi Rama drejton një qeveri ilegjitime dhe në këto kushte ku ndodhet vendi, në këtë përkrahje të jashtëzakonshme që ka opozita ku qytetarët po e përkrahin masivisht dhe janë 6 protesta kombëtare dhe 11 të tjera të cilat kanë pasur mbështetjen e jashtëzakonshme qytetare që tregon dhe njëherë që qytetarët janë të vendosur tanimë përballë Edi Ramës.  Pra sot qytetarët janë kundër këtij sistemi që Edi Rama ka ndërtuar që është një sistem korruptim, kriminal, që është një sistem i cili nuk sjell zhvillimin  e vendit por sjell shkatërrimin e Shqipërisë. Jua them me bindje të plotë, cdo sondazh vendas apo dhe i huaj, sot këtë opozitë e kalon në mazhorancë. Dhe Edi Ramën e kalon në minorancë dhe këtë e di ai se po të ishte mazhorancë siç pretendon do e kishte çuar vendin në zgjedhje të parakohshme që kur deputetët e opozitës lanë mandatin.

Protesta duket sikur ka një trajektore në renië, në zbutje për faktin se nuk është më ai molotovi, gazi lotsjellës, ndoshta është zëvendësuar me një protestë më të qetë. A është ky preludi për një marrëveshje të mundshme midis palëve?

E para jua siguroj me siguri të plotë që Lëvizja Socialiste për Integrim, por edhe i gjithë fronti i bashkuar opozitar asnjëherë nuk ka bërë thirrje që ne të kemi një protestë të dhunshme. Çdo protestë tek e cila keni parë ndonjë shenjë revolte të shprehur në mënyrë të ndryshme nga qytetarët ka ardhur si pasojë e mllefit të brendshëm, zemërimit që ka krijuar Edi Rama tek qytetarët e këtij vendi. Dhe të jeni të bindur që urrejtja që qytetarët kanë ndaj Edi Ramës është e jashtëzakonshme. Dhe jo urrejtje shprehet shpeshherë në shenja të ndryshme, por nuk ka asnjë shenjë dhune. Nga ana tjetër është vërtetuar publikisht që policia ka pasur provokatorë në mes të turmës. Keni një rast përpara Parlamenti ku një person që mbante flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian, i bënte thirrje qytetarëve të hynin në institucion, pra brenda në Parlament. Dhe kur u ndalua nga policia ai nxori kartën që ishte punonjës policie. Pra këto janë provokatorë të policisë të cilët kërkojnë të provokojnë qytetarët, që të eskalojë protesta në akte dhune dhe pastaj Edi Rama të bëjë rolin e viktimës dhe të thotë ja këto bëjnë dhunë e të tjera me radhë. Por ne kemi qenë të vendosur. Përkrahja është e jashtëzakonshme. Ne kemi bërë thirrje për një protestë qëndrestare, por jo një protestë ku ushtrohet dhunë. Qëndrestare është protesta e 11 majit ku në 4 orë shi të rrëmbyeshëm qytetarët brohorisnin kundër Edi Ramës dhe marshonin në rrugët e Tiranës. Kjo është përkrahja popullore që ka opozita. Kjo është mbështetja e jashtëzakonshme e opozitës. Dhe ndaj Edi Rama ndihet sot i frikësuar, ndihet i vetmuar, ndihet i tmerruar nga forca dhe aksioni që ka sot opozita. Dhe të jeni të bindur që kjo opozitë është mazhorancë, për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës.

Nuk kemi sot një qeveri që flet për hallet e përditshme të qytetarëve. Më thoni ju nëse ka një ministër të Edi Ramës që flet për mundësitë e punësimit të të rinjve, që flet për hapjen e vendeve të reja të punës në vend, që flet për zhvillimin e bujqësisë. E ka shkatërruar bujqësinë, duke ulur investimet në vend, por edhe duke krijuar një sistem totalisht klientelist në vend. Nuk ka subvencion për fermerin. Fermeri nuk e ndjen fare vëmendjen e shtetit. Ka një sistem burokrat të krijuar nga Edi Rama, ku ka shtuar burokracinë në bujqësi që të rrisë korrupsionin.
Po me sa duket biznesi shpeshherë po e dëgjojmë edhe ditët e fundit, i bën thirrje palëve që të ulë tensionet. Kjo thirrje i drejtohet edhe opozitës në këtë rast…
Ne kemi pasur një mbështetje të jashtëzakonshme të biznesit të mesëm për shkak të rritjes së taksave, për shkak të presionit që ushtron qeveria, për shkak të politikave të gabuara që Edi Rama ndjek, por edhe për shkak të një keqqeverisjeje të Edi Ramës. Unë mendoj që jo vetëm biznesi, por të gjithë shtresat e shoqërisë sot janë krah opozitës, kundër këtij sistemi që Edi Rama ka ndërtuar në vend. Sigurisht të gjithë duam që Shqipëria të jetë një vend i sigurt. Dhe ne prandaj po protestojmë, që të ikë Edi Rama dhe Shqipëria të bëhet më e sigurt. Sepse nuk ka siguri. Sepse Edi Rama është pjesë e krimit të organizuar. Është pjesë e një strukture kriminale, nuk mund të sjellë siguri Edi Rama. Ai është i marrë peng nga krimi i organizuar, është i marrë peng nga oligarkia. Dhe i gjithë ky sistem që ka ndërtuar është në shërbim të 2 shtresave, të krimit të organizuar dhe të oligarkisë. Ndërkohë janë 99% e shqiptarëve që nuk kanë mundësi të kalojnë muajin.