Edi Rama: Prioritet, hapja e negociatave dhe reformat. Protestat e opozitës, emigrimi dhe investimet e huaja

541
Sigal

Hapja e negociatave është një punë në vazhdim e reformave

Kryeministri Rama jep intervistë në TV France 24: Për protestat e opozitës, për emigrimin, për investimet e huaja

TV France 24: Është plagosur një gazetar gjatë një proteste të opozitës. Ata kërkojnë dorëheqjen tuaj, dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, çfarë është duke ndodhur?

Kryeministri Edi Rama: Mendoj se nuk është një lajm, i cili duhet të zërë faqet e para të gazetave ndërkombëtare, është jeta e brendshme e vendit. Opozita është duke protestuar dhe ka një qeveri, që është në fuqi.

– Pra, ju nuk keni ndërmend të dorëhiqeni?

Të kërkosh dorëheqjen e kryeministrit në Shqipëri, kjo ndodh shpeshherë, që kur ne kemi hyrë në demokraci.

– Por, përse këtë herë, ata janë duke kërkuar hapur dorëheqjen tuaj dhe janë duke kritikuar gjithashtu ministrin e Brendshëm?

Po, e në fakt, kur flas në gjuhë të huaj nuk flas asnjëherë për opozitën, sepse mendoj që është një çështje e brendshme e Shqipërisë.

Pra, nuk ka asgjë për t’u befasuar, sepse kjo është jeta e brendshme e vendit tuaj dhe ju nuk do të jepni dorëheqjen?

Po, është e drejtë. Shqipëria ka parë manifestime më të mëdha. Kjo është jeta demokratike e vendit dhe është normale.

A keni rezultate konkrete në lidhje me luftën kundër kriminalitetit, krimit të organizuar dhe kundër drogës?

– Kemi shumë rezultate që janë themelore. Ndryshe, KE nuk do të bënte rekomandimin pa kushte të hapjes së negociatave me Shqipërinë. E nga ana tjetër, sigurisht jemi të ndërgjegjshëm se ka ende për të bërë dhe nuk është se ne jemi duke trokitur në dyert e BE për t’u bërë anëtarë, por jemi duke u përgatitur për hapjen e negociatave, të cilat do të vazhdojnë shumë vite, për të vënë në jetë të gjitha reformat e nevojshme, për të përmirësuar gjithçka që mund të bëjmë edhe nga pikëpamja e ligjvënies. Është një punë në vazhdim.

Në fakt, Evropa është duke vuajtur nga kriticizmi…

– Po, vuan nga kriticizmi, i cili vjen nga brenda BE-së. Mendoj se ka shumë arsye për këtë kriticizëm dhe një prej tyre është më themelorja, sipas meje. Sot, faktikisht, Evropa është duke jetuar për herë të parë në historinë e saj, një moment në të cilin brezi i ri i sotëm nuk e ka njohur luftën. Ndërkohë që ne ballkanasit e kemi njohur luftën.

A patët ju përshtypjen se në Samitin e Sofjes, dyert e BE u hapën për ju?

– Nuk bëhet fjalë, në fakt, për zgjerim të BE-së, por bëhet fjalë për të vazhduar në të njëjtën linjë me atë që ka thënë Presidenti juaj, Makron. Pra, të shkojmë nga njëra anë, drejt thellimit të Unionit të BE përpara se të zgjerohemi dhe nga ana tjetër, një thellim të reformave nga vendet e Ballkanit, përpara se ne të bëhemi anëtarë.

– Ju nuk kërkoni para nga Evropa?

– Nuk kërkojmë asnjë para nga Evropa. Negociatat nuk i kushtojnë asnjë qindarkë Evropës. Negociatat janë thjesht një rrugëtim për të vazhduar drejt reformave. Janë dhe inspektime për të parë, nëse ne do t’i kemi përmbushur këto reforma ose jo.

– Ka shumë reforma që duhet ende t’i përmbushni?

– Po, ka shumë kapituj.

– Për ju, e ardhmja është Evropa?

– Është e vetmja e ardhme e mundshme.

– Cila është arsyeja pse të rinjtë largohen nga Shqipëria?

– Është ndryshimi i sistemeve që e sjell këtë gjë, nga njëra anë dhe nga ana tjetër mendoj se është normale që njerëzit të largohen dhe të kthehen.

– Nuk ju vjen keq për këtë?

– Jo nuk më vjen keq, sepse historia na tregon se vendet që janë të pasura, ato më të pasurat sot në Evropë kanë qenë vende të varfra, ku njerëzit kanë emigruar dhe kanë ndihmuar më pas familjet e tyre. Kanë mësuar shumë gjëra në botë dhe janë kthyer pas me kultura dhe kapacitete të reja, duke pasuruar vendet e tyre.

Një pyetje lidhur me Presidentin turk Erdogan. Ka deklaruar se ka investuar 3 miliardë euro në Shqipëri, ndërkohë edhe një aeroport në Vlorë. A i mbështesni ju këto projekte?

– Bëhet fjalë, në fakt, për një bilanc prej 30 vitesh bashkëpunimi. Secili ka lirinë për të bërë biznes, qofshin ato ndërmarrje kineze, turke, evropiane.

– Ato janë të gjitha të mirëpritura në Shqipëri?

– Po, që të gjitha janë të mirëpritura në Shqipëri.

Pra, nuk është se Erdogani është duke kërkuar të zgjerojë influencën e tij në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri?

– Me Shqipërinë, Turqia ka një lidhje miqësore që daton prej kohësh. Shqipëria është një vend, i cili është i orientuar drejt BE. Është një vend myslimanësh dhe të krishterësh, por feja e sotme është Evropa.