Edi Rama opozitës: Pro dialogut, por nuk negociohet shtyrja e zgjedhjeve lokale

511
Sigal

Kryeministri Rama deklaroi sot se është i hapur për dialog me opozitën, por se nuk mund të negociojë për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Kryeministri Rama deklaroi:

“Negociata nuk ka. Të jemi të qartë. Në kuptimin e një procesi negociatash që lidhen me 30 qershorin. Sepse nuk kemi asnjë mundësi të negociojmë kushtetutën e  Shqipërisë.

Zgjedhjet e 30 qershorit do të bëhen me 30 qershor dhe në këtë pikë nuk kam asnjë mundësi reale për të fantazuar sepse është kushtetuta e Shqipërisë dhe kam nderin e madh të flas në emër të një shumice që është shumicë në parlament dhe në popull. Dhe ajo shumicë nuk negocion dot kushtetutën.”

“Për sa i përket dialogut [me opozitën] unë nuk kam nevojë as për gjermanë, as për amerikanë, francezë, anglezë, as për norvegjezë për tu ulur dhe për të dialoguar.

Dialogu është i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm në procesin e bashkëjetesës në një vend normal.

E kam kërkuar këtë gjë dhe kur nuk kishte kapsolla dhe kur mbase pala tjetër kishte më pak nevojë për dialog. Pala tjetër sot ka shumë nevojë për dialog dhe vendi ka nevojë për dialog sepse nuk i kanë borxh shqiptarët politikanëve.

Ata [PD dhe LSI] nuk duan as karrrike as pushtet, ata duan që Shqipëria të jetë më e mirë. Që Shqipëria të jetë më e mirë duhen bërë shumë gjëra, reforma të rëndësishme. Ata [PD dhe LSI] kanë shumë gjëra për sistemin zgjedhor, ne kemi idetë tona që të kemi zgjedhje shumë më të mira se ato që kemi pasur. Koha për të diksutuar për këto gjëra.

As me qëndrime dhe as me marshime nuk zëvendësohet dhe rrëzohet qeveria dhe aq më pak bombat molotov janë një program apo alternativë qeverisëse, por sigurisht përbëjnë një mjet për të plagosur fytyrën e Shqipërisë në sytë e botës dhe për të goditur ekonominë e vendit dhe atë familjare dhe atë të të gjithëve që jetojnë në këtë vend.

E vetmja pjesë që nuk ndryshon dhe nuk ka shans që të preket nga kjo, është qeveria  dhe shumica qeverisës, gjithçka tjetër preket dhe ndryshon për keq. Qeveria nuk prodhohet me protesta dhe nuk zëvendësohet me dhunë.”