Edhe KQZ-ja nën lupën e SPAK-ut, merret në hetim tenderi i pajisjeve elektronike të votimit dhe numërimit

Prokuroria e Posaçme SPAK ka nisur hetimet për tenderin e pajisjeve elektronike të votimit në KQZ për zgjedhjet në vendin tonë.

Kërkesa e drejtuar ndaj KQZ-së mban emrin e kreu të SPAK-it Altin Dumani dhe është firmosur më datë 16 gusht 2024

Sigal

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për nevoja të hetimeve që po zhvillohen kërkon nga ana juaj dokumentacionin e plotë të praktikës së procedurës të prokurimit me nr.”REF-83073-12-23-2020″ me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikim e tyre paszgjedhor” dhe të praktikës së procedurës të prokurimit me nr. “REF-89113-03-04-2021”, me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për votimin dhe numërimin e votave” – thuhet në kërkesë.

Procedura e këtij tenderi shikohet se ka qenë e tipit me negocim, pa njoftim. Në të ka marrë pjesë vetëm një kompani e cila natyrisht është shpallur edhe fituese.

Bëhet fjalë për firmën Smartmatic International Holding B.V. me vlerë të ofruar prej rreth 1.2 miliardë lekësh të vjetra me TVSH.

Shikohet se vlera fituese është mjaft pranë me vlerën e fondit limit. Përkatësisht është sa 90.4% e tij. Bazuar në faktet e mësipërme, duket se Celibashi vazhdon të fusë në xhep pa problem miliardat e taksave të shqiptarëve.

Abuzime ndwr vite

Kompania në fjalë ishte e vetmja pjesëmarrëse në tender, pasi 5 kompani të tjera u tërhoqën nga gara. Kjo kompani ishte e njëjta që realizoi edhe projektin pilot të votimit elektronik në zgjedhjet e vitit 2021 në një tender që shkoi gati 20 milionë dollarë, i cili u përfol për abuzime.

Por, kjo kompani nuk është e panjohur në Shqipëri. Në datën 18 nëntor 2019, pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore kjo kompani ka bërë demonstrimin e pajisjeve teknologjike, qoftë për identifikimin, ashtu edhe për votimin dhe numërimin elektronik.

E njëjta kompani ka zhvilluar gjithashtu takime me partitë kryesore politike, si edhe procesin zgjedhor brenda vetë PS-së.

Problemet me votimin elektronik

Identifikimi elektronik dështoi në 5.4% të qendrave të votimit. Një proces që i kushtoi taksapaguesve miliona euro dhe që synonte të shmangte disa problematika të përsëritura në procese zgjedhore në Shqipëri, nuk funksionoi në një pjesë thelbësore të qendrave të votimit, më së shumti për shkak të moslidhjes me valët GSM të pajisjeve të identifikimit elektronik të votuesve.

Në zgjedhjet e 14 majit  2023 për pushtetin vendor, pajisjet nuk funksionuan në 581 nga rreth 5200 qendra votimi në të cilat u përdor, bëhet e ditur nga një analizë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.