DW: Shqipëria në krizë të thellë demokratike

604
Sigal

Mijëra qytetarë mbushën Tiranën në shenjë proteste ndaj përgjimeve të publikuara nga “Bild”. Vendimi i opozitës për protesta të përditshme deri në 30 qershor do të paralizojë vendin. Përpjekjet e Gjermanisë për afrim mes pozitës dhe opozitës shqiptare kanë qenë të pasukseshme dhe mund të sjellin trazira

DW: Shqipëria në krizë të thellë demokratike

Përpjekjet e bëra nga Gjermania për afrim mes pozitës e opozitës shqiptare deri tani kanë qenë të pasuksesshme. Socialistët nuk lëvizin nga vendimi i tyre për të shkuar në zgjedhje, ndërkohë kriza në vend po thellohet. Më 30 qershor në Shqipëri do të zhvillohen zgjedhje lokale. Trazirat janë të sigurta. Një ide të parë për atë çka mund të ndodhë në ditën e zgjedhjeve lokale, e pamë në ditët e shkuara, kur militantë të opozitës në Shkodër e Tropojë dhe gjetkë u përpoqën të asgjësojnë materialet zgjedhore dhe t’i vënë zjarrin lokaleve të votimeve. Opozita e ndjen veten të legjitimuar për sabotazhe te tilla që më 10 qershor, kur Presidenti Ilir Meta anuloi datën e zgjedhjeve, i shqetësuar nga trazirat e paralajmëruara.  Partia Socialiste reagoi me procedurën për shkarkimin e presidentit.

Kriza politike

Qe prej shkurtit Partia Socialiste sundon thuajse e vetme ne Parlamentin e Shqipërisë, hiq ata pak  deputetë opozitarë, me pozitë shumë të dobët në Kuvend, që nuk iu përgjigjën thirrjes së partisë së tyre për të dorëzuar ose mos pranuar mandatet. Dy grupimet kryesore të opozitës, aleanca përreth Partisë Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e zgjodhën këtë hap radikal pasi në media u botuan audio-përgjime që dëshmonin për manipulimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, në të cilat socialistët fituan shumicën absolute, me anë të blerjes së votave me ndihmën e Krimit të Organizuar, sipas tyre. Në një intervistë me Deutsche Wellen Lulzim Basha  u shpreh se e shikonte zgjidhjen e situatës aktuale vetëm me dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të reja të parakohshme. Më pas dolën përgjime të reja që janë tregues për një sistematikë të mundshme në blerjen e votës – kësaj radhe të botuara në faqet online të gazetës bulaverdeske gjermane, “Bild”. Kryeministri dhe shefi i socialisteve Rama i hedh poshtë akuzat dhe kërcënon me paditje  gazetarin e “Bild-it”, Peter Tiede, i cili nga opozita dhe shumë shqiptarë konsiderohet tashmë hero. Që audio-përgjimet janë të vërteta, këtë nuk e vë askush në dyshim në Shqipëri. Sepse ato vijnë nga prokuroria, e cila fillimisht i mbajti të mbyllura për gati dy vjet dhe vetëm pas presionit të shkaktuar nga publikimet nisi t’i trajtonte. Siç bëri të ditur për Deutsche Wellen të martën, Prokuroria e Përgjithshme  nuk ka ngritur ende padi për krimin elektoral, por sipas saj “hetimi vazhdon intensivisht dhe me dinamikë“.

Reformë apo krizë gjyqësori?

Zvarritja e trajtimit të çështjeve gjyqësore është ndërkohë një problem i të gjithë sistemit të drejtësisë shqiptare. Atë nuk e vuan vetëm prokuroria. Edhe Gjykata Kushtetuese, që do të duhej të ishte instanca, ku do të zgjidhej konflikti aktual mes parlamentit dhe opozitës, nuk funksionon. Shkak për këtë është procesi i Vettingut, i cili synon të kontrollojë përshtatshmërinë e gjykatësve dhe prokurorëve mbi bazën e kualifikimeve të tyre profesionale, pasurisë dhe integritetit etiko-profesional dhe që i ka bërë shumë gjyqtarë dhe prokurorë që të lëshojnë karriget ende pa filluar procesi i testimit. Të tjerë nuk e kaluan dot provimin e fortë të Komisionit të mbikëqyrur nga BE-ja dhe u skualifikuan. Në këto institucione dosjet po bëhen pirg. Për Jordan Dacin, drejtues i Qendrës Shqiptare “Rule of Law“, problemi kryesor i reformës së drejtësisë është mungesa e një mekanizmi efikas për të zëvendësuar ata gjykatës dhe prokurorë që dalin nga sistemi për shkak të Vettingut. Paralizimi i gjyqësorit bën që çdo vit të shtohen nga 30 për qind dosje të reja që mbeten të patrajtuara për shkak të mungesës së stafit adekuat, vëren Daci në një intervistë me DW. Vetëm në Gjykatën e Lartë numri i dosjeve të patrajtuara është mbi 31 000, thotë ai. Për bllokimin e drejtësisë në vend qeveria dhe opozita fajësojnë njëra-tjetrën. Ndërsa opozita e akuzon qeverinë se po e përdor bllokadën e gjyqësorit për të asgjësuar përfundimisht partitë e opozitës  për të instaluar një regjim autokratik, partia qeverisëse e akuzon opozitën se po  e përdor bojkotimin e zgjedhjeve si alibi për të penguar ngritjen e gjyqësorit të pavarur, prej të cilës të parët që do të dënoheshin do të ishin vetë krerët e opozitës. Prokuroria shqiptare është duke bërë hetime aktualisht kundër kreut të opozitës me akuzën për larjen e parave dhe falsifikimin e dokumenteve. Për Bashën kjo nuk është gjë tjetër, veçse një inskenim politik i sajuar nga kryeministri Rama për ta  shantazhuar politikisht.

Përpjekje të pasuksesshme për ndërmjetësim

Në vjeshtë parlamenti gjerman do të duhet të japë dritë të gjelbër për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, shumica e deputetëve në parlamentin gjermanë janë më se të qartë për një “po” në lidhje me Shqipërinë ata kanë ende rezerva. Sidomos deputetët e grupit parlamentar CDU/CSU ngurrojnë t’i hapin Shqipërisë këtë derëzë  kaq të rëndësishme drejt BE-së. Zëvendëskryetari i grupit parlamentar, Johann David Wadephul, dëshiron së paku që të kapërcehet kriza aktuale, dhe gjykon se mbajtja e zgjedhjeve lokale pa partinë më të madhe opozitare është problematike për demokracinë. Sepse gjysma e kandidatëve për kryetarë bashkie kandidojnë pa rivalë. Deri në ditët e fundit, Wadephul u përpoq të ndërmjetësonte mes partisë së mazhorancës dhe asaj opozitës, në mënyrë që së paku të shmangte përplasjen gjatë zgjedhjeve. Por deri tani pa sukses. Partia Socialiste nuk e pranon kurrsesi shtyrjen e datës së zgjedhjeve, thuhet nga kreu i saj. Ndër të tjera, socialistët nuk duan të krijojnë një rast precedent për shtyrjen e zgjedhjeve nëpërmjet kërcënimit me bojkotim. Veç kësaj, mazhoranca e akuzon opozitën, se nuk mori pjesë në zgjedhje vetëm ngaqë ishte e papërgatitur dhe llogariste se do të dilte e humbur. Edhe deputeti gjerman nga Të Gjelbrit, Manuel Sarrazin, një ndër raportuesit e Shqipërisë në Bundestag, mendon se bojkoti i opozitës është i papërligjur. Ai thotë se këtu po bëhet thjesht një luftë  për pushtet mes Ramës dhe Bashës. Por sipas Sarrazinit, kjo luftë është shumë e pafavorshme për Shqipërinë duke pasur parasysh vendimin e vjeshtës në Bundestag.  Por Sarrazin shton se, sido që të përfundojë kjo betejë, Shqipëria do ta marrë votën si nga grupi parlamentar i tij, ashtu edhe ai socialdemokrat.

Protesta të përditshme deri në 30 qershor. Basha: Qeveri tranzitore pa Edi Ramën, reformë kushtetuese

Uragani popullor shpërthen përpara kryeministrisë: Rrëzohet busti i Edi Ramës

 

Dje u zhvillua protesta e 9-të e Opozitës së Bashkuar, e cila, nga pjesëmarrja, ishte më e madhja që nga 1991-i. Ndoshta edhe publikimet e 10 audio-përgjimeve të pardjeshme nga “Bild”, kanë bërë që shqiptarët të kenë krijuar bindjen e plotë se kjo qeveri ka blerë me lekët e krimit të gjitha zgjedhjet e fituara deri tani. Asnjë incident nuk u shënua në protestën e djeshme, dhe kështu Opozita e Bashkuar i dërgoi mesazh kuptimplotë kryeministrit Rama, por edhe ambasadave të akredituara në Tiranë, se Opozita nuk kërkon të marrë pushtet me dhunë, por kërkon të rivendosen standardet demokratike nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

‘Voto 184’…. ‘Voto 339’… Opozita shpërndan fletët e vërteta të votimi

Të rinj dhe mbështetës të opozitës shpërndajnë para protestës dje fletushka, ku shkruhet Voto 184, Voto 339. Kjo është alternativa që Edi Rama u propozon shqiptarëve për të votuar që kur ka ardhur në pushtet, alternativën e bashkëqeverisjes me krimin, me të cilin është faktuar se ka vjedhur zgjedhjet. Në fletët që shpërndajnë mbështetësit e opozitës, qytetarët ftohen të votojnë bandat kriminale, Abdylajt, Ymerlalat, Bablokun e krimit, dosjet “184” si dhe dosja “339’.

Uragan popullor paqësor

Dhjetëra mijëra qytetarë, u janë bashkuar partive opozitare, për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Protesta ka qenë paqësore dhe kjo ka bërë që pjesëmarrja të jetë mjaft e lartë. Një pjesë e qytetarëve kanë marrë me vete edhe fëmijët e tyre. Protestuesit kanë shpalosur parulla të shumta, kundër qeverisë së Edi Ramës, të cilën e konsiderojnë qeveri të krimit. Një nga surprizat e protestës, ishte edhe një bust i kryeministrit, me përmasa shumë të mëdha, i ngjashëm me bustin e dikurshëm të diktatorit Hoxha, i cili u rrëzuar në mënyrë simbolike nga pjesëmarrësit. Vendi gjendet në një krizë të thellë politike dhe vetëm nëntë ditë na ndajnë nga 30 Qershori, ditë kur Edi Rama do të marshojë i vetëm në zgjedhje, ndërkohë që Presidenti i vendit i ka anuluar zgjedhjet me anë të një dekreti. Data 30 Qershor, pritet të sjellë përplasje të forta mes palëve.

Masat e policisë për protestën, në terren rreth 1500 efektivë

Policia e kryeqytetit ka bërë gati planin e masave për protestën e 9-të opozitës e cila do të nisë në orën 20.00 të mbrëmjes së të premtes. Megjithëse nga përfaqësuesit politik është deklaruar se nuk do të ketë dhunë, forcat e rendit kanë marrë të gjitha masat për të shmangur çdo incident të mundshëm. Rreth 1500 efektivë do të jene të angazhuar në terren. Ndërsa siç është bërë e zakonshme tashmë kryeministria dhe parlamenti janë rrethuar me gardh metalik. E gjithë policia ka kaluar në gatishmëri të përforcuar po në gatishmëri kanë kaluar edhe efektivat e policisë së burgjeve.

Protestuesit nga gjithë Shqipëria mblidhen përpara kryeministrisë

Demokratët e Gjirokastrës janë nisur me autobusë dhe me automjete të ndryshme. Burime nga PD-ja bëjnë me dije se janë rreth 1000 protestues të cilët janë nisur nga Gjirokastra, Përmeti, Libohova, Tepelena, Dropulli e Këlcyra.

Ora 16:13- Me autobusë e mjete private, protestuesit nisen nga Berati

Rreth 1 200 protestues nga opozita janë nisur nga Berati drejt Tiranës. Protestuesit e PD-së të Beratit janë grumbulluar si gjithmonë përpara selisë së PD-së së qytetit, ku u nisën me autobusë dhe automjete private drejt Tiranës, ndërkohë që protestuesit e LSI-së u nisën me automjete private nga sheshi qendror i qytetit.

Ora 17:55- Nisen nga Fieri protestuesit, Baçi: Jo një 30 qershor farsë

Qindra protestues janë nisur nga Fier me autobusë dhe mjete private për të marrë pjesë në protestën e opozitës në Tiranë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Kreu i PD-së Fier, Luan Baçi tha se kjo protestë e radhës synon largimin e qeverisë Rama, garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Ora 19:00 Mbështetësit mblidhen në selinë e PD

Mbështetës të Partisë Demokratike janë mbledhur në selinë e PD rreth një orë para nisjes së protestës së nëntë kombëtare të opozitës së bashkuar. Gazetari Klajdi Bodlli raportoi për “BalkanWeb” se kryetari Lulzim Basha ndodhet në zyrën e tij në momentet e fundit para nisjes zyrtare të protestës.

Ora 19:20- Kryeministria me dyer metalike

Duhen edhe pak kohë që të nisë protesta e opozitës së bashkuar, e 9-ta në radhë, e cila do të protestojë në bulevardin “Dëshmorët e kombit” kundër qeverisë, të cilën e konsideron kriminale. Kryeministria është blinduar me dyer metalike, për ta mbrojtur. Makinat e policisë vendosur gardh pas Kryeministrisë duke qëndruar në gatishmëri.

Ora 19:31- S’ka drejtësi me Ramën në qeveri”, zbulohen parullat e PD

Pak minuta para nisjes së protestës së nëntë të opozitës së bashkuar, zbulohen një nga një edhe detajet e skenarët. Pjesë e demonstrimit opozitar janë edhe parullat e shumta me mesazhe politike por jo vetëm. “Ekonomia po vdes”; “Duam punë të sigurt”; “S’ka Evropë pa ndëshkuar hajdutët”; “Stop pazarit me jetët tona”; “S’ka drejtësi me Ramën në qeveri”; “Hajdutët në vila, shqiptarët në gërmadha”, janë disa prej parullave të vendosura në murin e PD që do të mbahen në duar nga protestuesit e opozitës.

 

Protesta e opozitës, ‘Live’ në mediat ndërkombëtare

Si në çdo tubim të opozitës, edhe protesta e 9 kombëtare po ndiqet ndërkohë live edhe nga mediat ndërkombëtare. “Zëri i Amerikës” ka vendosur ta transmetojë live protestën e opozitës përmes faqes së saj në facebook, po ashtu protesta e opozitës së bashkuar po ndiqet edhe nga DW.

Protestuesit falënderojnë Peter Tiede: Ti je heroi ynë!

Mes pankartave që protestuesit e opozitës mbajnë në duar para kryeministrisë është edhe një pankartë ku në gjermanisht falënderojnë gazetarin gjerman Peter Tiede. Në pankartë shkruhet: “Faleminderit Peter Tiede. Ti je heroi ynë”.

Opozita para Kryeministrisë, Rama me helikopter në Sarandë për koncertin e Carla Brunit

Ndërsa në shesh po vijon grumbullimi i mbështetësve të opozitës, për zhvillimin e protestës së 9 kombëtare, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të largohet nga Tirana. Rama ndodhet në Sarandë dhe në mbrëmje do të marrë pjesë në koncertin e Carla Brunit në qytetin antik të Butrintit. Kryeministri ka zgjedhur të udhëtojë me helikopter.

Rama ‘shfaqet’ i shtrirë me Avdylët dhe Dakon në krevatin dopjo

Disa të rinj kanë shfrenuar imagjinatën në protestën e sotme të opozitës. Ata janë maskuar si kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku Vangjush Dako dhe si pjesëtarët e fisit Avdyli. Ashtu të maskuar dhe me bluza të bardha ku kanë stampuar emrat e Avdylëve dhe të kryeministrit ata janë shtrirë në një krevat dopio pranë kryeministrisë. Krevati shihet i mbuluar me një çarçaf ngjyrë violë, njësoj si ngjyra zyrtare e Partisë Socialiste.

Bulevardi ndriçohet nga drita e shpresës

Protestuesit e shumtë në numër të mbledhur në protestën e 9-të të opozitës së bashkuar, iu përgjigjën thirrjes së kryedemokratit Lulzim Basha, i cili i ftoi ata të ndezin dritat e celularëve. Në pak sekonda i gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u ndriçua nga dritat e celularëve, në shenjë simbolike si dritë e shpresës për ‘Shqipërinë si Evropa’.

Bie busti i Edi Ramës

Një statujë e lartë rreth 7 metra është simboli më i veçantë i protestës së djeshme. Në bust i krijuar me pamjen e Edi Ramës që revokon të kaluarën jo të largët, duke dhënë pamjen e diktatorit Hoxha. Në statujë nuk mungonin edhe elementët e kauzës më të madhe të opozitës, atë të vjedhjes së votave.

Basha: Qeveri tranzitore pa Edi Ramën, koha për reformë kushtetuese

Orët e ditët e ardhshme laku do të ngushtohet, sepse e keqja ka rënë në gropën që ka bërë tesh sa vite për shqiptarët e thjeshtë. Edi Rama është i pashpresë. Pazare me opozitën nuk do të ketë. Harresë për krimet nga shqiptarët nuk do të ketë. Rruga e vetme është: Në burg hajdutët e votave, qeveri tranzitore pa Edi Ramën, koha për reformë kushtetuese. 30 qershori do të jetë varreza politike e Edi Ramës. Largimi i Edi Ramës, i panegociueshëm. Zgjidhje politike pa nxjerrë nga qelitë vëllezërit që janë aty pse protestuan për demokracinë dhe pa futur në qeli ata që vodhën votat nuk ka zgjidhje politike. Çdo tentativë për të provokuar shqiptarët do të dështojë me turp, ndërsa 30 qershori do të jetë varreza politike e Edi Ramës dhe rilindjes së krimit. Rama ik! Këto mesazhe të qarta dhe të prera, dua t’i bëj të qarta për këdo që nuk e di. Nuk ka më në Shqipëri, nuk do të ketë më në Shqipëri, zgjedhje me Edi Ramën nuk do të ketë më në Shqipëri, proces politik pa dënuar hajdutët e votave. Ky është standardi i Evropës, ky është standardi i Perëndimit. Tik taku i orës së Edi Ramës po mbaron në çdo kancelari të Evropës dhe Perëndimit. Asgjë nuk e shpëton dot Ramën nga verdikti i një populli evropian”.

Basha: Ja dy pikat e panegociueshme për zgjidhjen e krizës

Dua të zotohem në emrin tuaj, para kombit dhe para Evropës, se kjo betejë nuk do të mbarojë me largimin e Evropës por kur të kemi vendosur kushte për Shqipërinë si gjithë Evropa. Standardi evropian i kësaj zgjidhje kalon përmes dy hapave të panegociueshme:

1 – Largimi i Ramës,

2 – Zgjidhje politike pa nxjerrë nga qelia motrat dhe vëllezërit dhe pa futur në qeli ata që vodhën votat nuk ka zgjidhje politike.

Kryemadhi: Kjo protestë është paqësore, shqiptarët të vendosur për të jenë pjesë e BE-së

Shqiptarët janë më të vendosur se kurrë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Pavarësisht provokimeve kjo protestë është paqësore. Pavarësisht se Rama është një nga shkatërrimtarët e të ardhmes së Shqipërisë. Këta kanë kapur çdo lloj institucioni por vetëm zemrën e shqiptarëve nuk e kanë kapur dot. Tranzicioni në Shqipëri do të mbyllet me etapën e Ramës. Pas tij Shqipëria do të jetë një vend evropian. 30 qershori nuk do të jetë ditë zgjedhjesh sepse zgjedhje nuk do të ketë. Zgjedhjet janë në ëndrrat e Edi Ramës. “184” dhe “339” do ta gjykojë drejtësia shqiptare jo ambasadorët.

Kryemadhi: Thirrjet e ambasadës amerikane, janë monotone

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi në fjalën e saj në protestën opozitare deklaroi se thirrjet e ambasadës amerikane janë monotoni. Kryemadhi theksoi se thirrjet e ambasadës së SHBA-ve janë thuajse të njëjta. “Janë mesazhe monotone. Nuk vendosin ambasadat, por shqiptarët”.

Protestuesit marshojnë drejt Parlamentit

Me përfundimin e fjalës para protestueseve te kryeministria, lideri i opozitës Lulzim Basha dhe dhjetëra mijëra qytetarë kanë nisur marshimin drejt selisë së Parlamentit. “Marshoni me mua drejt Parlamentit, drejt shtëpisë së lirisë”, – u shpreh Basha.