Draft Raporti i PE për Shqipërinë/ Kërcënohet Liria e Shprehjes. Zgjedhjet e 25 prillit, prova e demokracisë. Të funksionojë Gjyqësori i pavarur

78

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian, ka publikuar një draft raport mbi zhvillimet në Shqipëri. Në këtë draft raport nxiten liderët politikë në Shqipëri të krijojnë një klimë besimi. “Theksohet nevoja për përmirësim të klimës të funksionimit të shoqërisë civile dhe nxit autoritetet të garantojnë konsultim të duhur dhe gjithëpërfshirës dhe të rrisë qëndrueshmërinë financiare të sektorit jo qeveritar.”- thuhet në raport. Në të theksohet se zgjedhjet e 25 prillit 2021 do të jenë thelbësore: “Me rëndësi mbetet zbatimi i masave të reformës zgjedhore”. Drafti do t’i nënshtrohet debatit në Komisionin e Jashtëm dhe në mars 2021.

Raporti i Parlamentit Europian

Duke pasur parasysh konkluzionet e Këshillit Europian të 28 qershorit 2018, konkluzionet e Këshillit të 18 qershorit 2019 dhe konkluzionet e Këshillit Europian  të 17-18 tetorit 2019, të cilat shtynë vendimet për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke pasur parasysh konkluzionet e Këshillit Europian të 26 Marsit 2020 mbi hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat mbështesin konkluzionet e Këshillit të 25 Marsit 2020, mbi procesin e zgjerimit dhe stabilizimit dhe shoqërimit,  duke pasur parasysh komunikimin e Komisionit të 5 shkurtit 2020 me titull ‘Përmirësimi i procesit të pranimit – Një perspektivë e besueshme e BE-së për Ballkanin Perëndimor’ (COM (2020) 0057), duke pasur parasysh vendimin e Këshillit Europian të 26-27 Qershor 2014, për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke pasur parasysh rezolutën e tij të 25 nëntorit 2020 për forcimin e lirisë së medies: mbrojtja e gazetarëve në Europë, gjuha e urrejtjes, dezinformimi dhe roli i platformave:

Shqipëria  duhet të vazhdojë të bëjë përparim në konsolidimin e institucioneve dhe procedurave demokratike, në sigurimin e funksionimit të duhur të institucioneve të tij gjyqësore dhe në ruajtjen e lirisë së medies dhe të drejtave të pakicave;

Përpjekjet e vazhdueshme për reformat kryesore kërkojnë angazhimin e përbashkët të të gjithë aktorëve.

Kujton se progresi në anëtarësim sipas metodologjisë së rishikuar të zgjerimit varet nga reforma të qëndrueshme, të thella dhe të pakthyeshme në të gjitha fushat themelore, në veçanti nga sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit;

Nxit autoritetet të shtojnë përpjekjet e tyre për të forcuar dialogun politik dhe funksionimin e institucioneve demokratike të vendit, duke përmirësuar klimën për pluralizmin e medieve dhe shoqërinë civile;

Funksionimi i institucioneve demokratike

Inkurajon udhëheqësit politikë të krijojnë një klimë besimi duke kapërcyer mungesën e dialogut dhe shpreh shqetësimin e tij serioz për klimën politike të polarizuar dhe mungesën e bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërpartiak që vazhdojnë të pengojnë procesin demokratik;

Kujton përgjegjësinë e përbashkët të forcave politike për të kaluar nga akuzat e ndërsjella, vendimet e njëanshme dhe bojkotet, duke u mbështetur në shembuj pozitivë të përpjekjeve për ndërtimin e konsensusit, të tilla si ato që çojnë në marrëveshjen e 5 qershorit 2020 mbi reformën zgjedhore;

Thekson se zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit 2021 do të jenë thelbësore për konsolidimin demokratik të vendit;

Mirëpret angazhimin për të zbatuar opinionin e ardhshëm të Komisionit të Venecias në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratuar në Tetor 2020;

Nënvizon nevojën për të rritur përfshirjen e Parlamentit Shqiptar në procesin e integrimit në BE, duke avancuar më tej kapacitetet e tij legjislative, mbikëqyrëse dhe të kontrollit buxhetor për të siguruar harmonizimin ligjor me acquis të BE;

Rregull i ligjit

Të mundësohet një zhvendosje e prekshme drejt një gjyqësori të përgjegjshëm dhe të pavarur;

Shqipëria të përfundojë hapat e duhur drejt rivendosjes së aftësisë së Gjykatës Kushtetuese për të funksionuar plotësisht dhe me efikasitet, dhe nxit të gjithë të përfshirët të përmbyllin me shpejtësi procesin e emërimit;

Mirëpret faktin që Gjykata e Lartë të rifitojë aftësinë e saj për të funksionuar.

Mirëpret krijimin e organeve anti-korrupsion dhe faktin që hetime të qëndrueshme po kryhen nga Struktura e porsa themeluar Speciale Anti-Korrupsion dhe Krimi i Organizuar (SPAK), dhe aktakuzat po jepen nga Gjykatat Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe nënvizon nevojën për të ruajtur pavarësinë dhe efektivitetin e tyre në luftën kundër mosndëshkimit;

Bën thirrje për intensifikimin e mëtejshëm për  rritjen e hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare që synojnë pasurinë e paligjshme dhe pastrimin e parave, duke çuar në ngrirjen dhe konfiskimin sistematik të pasurive kriminale.

Të përmirësohet legjislacioni dhe mekanizmat për trajtimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Bën thirrje që përpjekjet për të çmontuar rrjetet kriminale lokale dhe ndërkombëtare dhe për të eleminuar prodhimin dhe trafikimin e drogës, të intensifikohen më tej, duke u mbështetur në përpjekjet e rëndësishme të viteve të fundit; mirëpret bashkëpunimin e shtuar me Europol dhe institucionet e zbatimit të ligjit të Shteteve Anëtare të BE-së dhe inkurajon autoritetet shqiptare që të finalizojnë me shpejtësi postimin e një prokurori ndërlidhës shqiptar në Agjencinë e Bashkimit Evropian për Bashkëpunimin me Drejtësinë Penale (Eurojust);

Të drejtat themelore

Bën thirrje që të bëhet përparim në miratimin e masave për të mbrojtur në mënyrë efektive liritë dhe të drejtat themelore të të gjithë qytetarëve;

Inkurajon autoritetet të përfitojnë plotësisht nga ekspertiza e FRA në mënyrë që legjislacioni dhe praktikat e Shqipërisë të përputhen me legjislacionin dhe standardet e BE-së;

Nxit autoritetet të sigurojnë parandalimin dhe ndjekjen efektive të gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes;

U bën thirrje autoriteteve të sigurojnë që burime të mjaftueshme t’i sigurohen Ombudsmanit, Komisionerit Kundër Diskriminimit dhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave dhe që rekomandimet e tyre përkatëse të zbatohen në mënyrë sistematike;

Bën thirrje për krijimin e një mekanizmi efektiv për parandalimin e dhunës në bazë gjinore dhe në familje, dhe për mbrojtjen dhe mbështetjen për viktimat e saj, të kombinuara me ndjekjen efektive dhe efikase të autorëve të saj;

I kujton Shqipërisë thirrjet e saj për përmirësime të mëtejshme të bëra në arsim dhe shëndetësi, dhe nivelet e punësimit dhe kushtet e jetesës së romëve dhe pakicave të tjera etnike;

Kujton rëndësinë e masave që sigurojnë mbrojtjen e pakicave kombëtare, duke përfshirë vetë-identifikimin, përdorimin e gjuhëve dhe të drejtat e pronës;

Të bëjë përparim të mëtejshëm në masat e konsolidimit të të drejtave të pronës, zbatimin e ligjit për pronësinë kalimtare dhe përfundimin e reformës gjithëpërfshirëse të sektorit të tokës;

Kujton detyrimin e autoriteteve për të siguruar një proces të rregullt për azilkërkuesit në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe për të adresuar si duhet nevojat e refugjatëve, azilkërkuesve dhe migrantëve; bën thirrje për rritjen e kapaciteteve për të përpunuar kërkesat për azil dhe hetimet në rastet e raportuara të shkeljeve të procedurave të kthimit;

Nxit autoritetet të marrin një qasje të fuqishme në parandalimin, hetimin, ndjekjen penale dhe ndëshkimin e trafikimit njerëzor dhe shfrytëzimin e viktimave të tij, të cilët përfshijnë fëmijë dhe grupe të tjera të prekshme;

Shoqëria civile dhe media

Nënvizon nevojën për të përmirësuar klimën për funksionimin e shoqërisë civile dhe nxit autoritetet të sigurojnë konsultime kuptimplota, në kohë dhe përfaqësuese, dhe të rrisin qëndrueshmërinë financiare të sektorit joqeveritar;

Shënon me shqetësim mungesën e progresit në lirinë e shprehjes dhe pengesat për funksionimin e duhur të medieve të pavarura;

Dënon dhunën, frikësimin, fushatat e shpifjeve dhe presionin indirekt politik dhe financiar të drejtuar kundër gazetarëve, të cilat mbytin seriozisht lirinë e medies, nxisin vetë-censurë dhe minojnë rëndë përpjekjet për të zbuluar krimin dhe korrupsionin;

Shpreh shqetësim të madh për masat e propozuara në bazë të projektligjit për media dhe mirëpret angazhimin për të miratuar ndryshime vetëm nëse ato vlerësohen se janë plotësisht në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias;

Reformat socio-ekonomike

Thekson nevojën për të forcuar thelbësisht mbulimin e kujdesit shoqëror dhe për të përmirësuar aksesin në shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe social;

Bën thirrje që masat që adresojnë rënien demografike dhe turin e trurit të rriten përmes politikave aktive të tregut të punës që adresojnë mospërputhjet e aftësive dhe ulin papunësinë afatgjatë;

Nxit autoritetet të shtojnë përpjekjet e tyre për të eliminuar punën e fëmijëve në të gjithë sektorin informal dhe për të forcuar ndjekjen penale të abuzimit të fëmijëve;

 

somario

1

Shqipëria  duhet të vazhdojë të bëjë përparim në konsolidimin e institucioneve dhe procedurave demokratike, në sigurimin e funksionimit të duhur të institucioneve të tij gjyqësore dhe në ruajtjen e lirisë së medies dhe të drejtave të pakicave

2

I kujton Shqipërisë thirrjet e saj për përmirësime të mëtejshme në arsim dhe shëndetësi

3

Të bëjë përparim të mëtejshëm në masat e konsolidimit të të drejtave të pronës, zbatimin e ligjit për pronësinë kalimtare dhe përfundimin e reformës gjithëpërfshirëse të sektorit të tokës

4

Bën thirrje për intensifikimin e mëtejshëm për  rritjen e hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare që synojnë pasurinë e paligjshme dhe pastrimin e parave, duke çuar në ngrirjen dhe konfiskimin sistematik të pasurive kriminale