Sigal

Partia Demokratike deklaroi mbrëmjen e sotme se kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj mashtroi të paktën tre herë sot.
Zëdhësja e PD-së Ina Zhupa tha para mediave se Lulzim Basha nuk bëri ligj që fëmijët të paguajnë bileta ndërsa Erion Veliaj rriti çmimin e biletave me 100 lekë.

DEKLARATA E PLOTË
Erion Veliaj është një mashtrues serial dhe i rrezikshëm, një kryebashkiak që nuk u shërben qytetarëve, por vetëm interesave për pasurimin e vet personal dhe interesave të klientëve të tij dhe të Edi Ramës.
Mashtrimi i Erion Veliajt se Lulzim Basha si Ministër Transportesh bëri ligj të ri që fëmijët të paguajnë biletë autobusi është skandaloz.

Ligji i transportit është i vitit 1998 dhe prej atëherë ai ka ndryshuar 10 herë, duke nisur nga viti 2002 deri në vitin 2016. Ligji respekton autonominë e bashkive për t’u siguruar banorëve transport brenda qytetit dhe fëmijëve transport falas.

Gjatë drejtimit të bashkisë nga Lulzim Basha linjat urbane u shtuan, fëmijët nuk paguan biletë dhe çmimi për qytetarët nuk u rrit. Gjatë drejtimit të bashkisë nga Erion Veliaj çmimi i biletës u rrit me 100 lekë dhe po bëhet fushatë mediatike për të bërë me pagesë biletat e fëmijëve.

Përpara se të mashtrojë qytetarët e Tiranës, Erion Veliaj, duhet të përgjigjet se për interes të kujt po luan lojën disa milionë euroshe të biletave për fëmijët. Erion Veliaj është mashtrues serial dhe i rrezikshëm, sepse gënjen publikisht për leje ndërtimi për komplekse pallatesh në kohën e Lulzim Bashës tek Stacioni Multimodal.

E vërteta është se projekti Basha nuk parashikonte asnjë metër katror leje ndërtimi për kompleks pallatesh. E vërteta është se Erion Veliaj u shërben oligarkëve si Salillari, duke pranuar që buxhetit të bashkisë t’i shkojnë vetëm 5 përqind të ardhurave nga koncesionari, në vend të 15 përqind, që parashikonte projekti i Lulzim Bashës.

Erion Veliaj është mashtrues serial dhe i rrezikshëm, sepse, ndryshe nga deklaratat e tij, në vendimet e këshillit Bashkiak nuk ka patur deri tani, nuk ka as sot një vendim për të kthyer në shkollë zyrat e UKT-së.
Tenderat disa milionësh që ka ndërmend të bëjë Erion Veliaj për UKT-në, nuk mund të fshehin të vërtetën se në godinën ku ndodhen zyrat e ujësjellësit në njësinë 8, më përpara kanë qenë zyra të Policisë.
Erion Veliaj nuk është kryebashkiaku që meritojmë!

Modeli i Erion Veliajt nuk është model i zhvillimit, por ëshë simbol i mashtrimit dhe abuzimit me pushtetin. Ky model po braktiset çdo ditë nga qytetarët! Prandaj Erion Veliaj dhe shefi i tij Edi Rama, sot kanë aleatë vetëm mafian e ndërtimit dhe të drogës.