Dr. Agim Nesho ish ambasador në SHBA:
-Zoti Nesho, SPAK pranoi që shumë deputetë dhe zyrtarë të lartë kryen vepër penale në krimin elektoral në Durrës dhe Dibër, siç dëshmuan dosjet 184 dhe 339, por për shkak të skadimit të afateve, ata nuk u dënuan. Ata që kryen vepër penale të krimit zgjedhor, a kanë fituar amnisti ligjore, sa të kandidojnë në 25 prill si deputetë?
-Pyetja juaj është e drejtë dhe për rastet e krimit elektoral në Dibër dhe Durrës nuk ka asnjë amnisti ligjore. Për më tepër krimi elektoral i kryer është përfshirë në kushtet që Parlamenti Gjerman dhe Bashkimi Europian i kanë vënë Shqipërisë përpara nisjes së negociatave si vend kandidat i BE-së. Ajo që vihet re në këtë rast është se mungon vullneti politik i mazhorancës për të dënuar strukturat e saj, të cilat janë të përfshira në këtë masakër elektorale. Ky vullnet mungon për arsye se lidhjet e këtyre strukturave shkojnë deri lart dhe ajo që është më e rëndësishme është se qëndrimi ndaj kësaj cështje reflekton psikologjikisht qëndrimin që ka lidershipi për shtetin ligjor, funksionimin e institucioneve demokratike dhe procesin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për mazhorancën socialiste dhe liderin e saj zotin Rama, ajo që ka rëndësi është qëllimi për të mbajtur pushtetin dhe ky qëllim justifikohet me cdo mjet, duke përfshirë këtu edhe strukturat e inkriminuara të shoqërisë. Procesi elektoral është një nga kushtet kryesore të funksionimit të shtetit demokratik por elektoralizmi nuk do të thotë domosdoshmërisht se është vlerësimi i vetëm për funksionimin e shtetit demokratik. Sot Shqipëria është një vend që gjithmonë e më shumë po rrëshqet nga rruga demokratike, me një krizë disa vjecare instititucionale dhe me një parti-shtet që ka kapur institucionet e shtetit. Pavarësisht rezultateve elektorale cështjet e funksionimit të shtetit ligjor nuk mund të fshihen vetëm me rezultatin, kur ky rezultat manipulohet. Duket që ka pasur një influencë politike ndaj Prokurorisë që dosjet e krimit electoral 186 dhe 339 të gjykohen në nivel të ulët dhe përgjegjësit e këtyre akteve të ishin zbatuesit e tyre dhe jo autorët e këtyre skenarëve. Kjo për arsyen e thjeshtë që skemat mund të përdoren në të ardhmen. Mungesa e vullnetit politik për të dënuar ashpër inskenuesit e këtyre skemave lë dyshimin që edhe këto zgjedhje mund të jenë të rrezikuara. Prandaj edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet anëtare të BE-së gjithmonë e më shumë po shtojnë presionin për procesin zgjedhor, për mos-vjedhjen e votave dhe blerjen e tyre dhe për një proces të drejtë dhe të ndershëm.
– Këta, që tani kandidojnë për deputetë, a duhet të deklarojnë në formularët e dekriminalizimit, atë krim zgjedhor?
-Ka individë të evidentuar në përgjimet e dala dhe të administruara në dosjet 186 dhe 339 që janë kandidatë në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Juridikisht ata prezumohen të pafasjhëm për sa kohë që nuk ka një vendim të formës së prerë nga gjykatat. Në këtë rast ata jo vetëm do të deklaronin vendimin por nuk do të ishin të pranishëm në listat elektorale sepse nuk i lejon ligji. Ajo që dukshëm vihet re në këtë rast është lidhja e tyre me vendim-marrjen kryesore të partisë dhe dëshirën e lidershipit të parties, që zgjedhjet t’i shikojë vetëm si shumatore votash dhe jo si vullnet i shprehur pastër i opinionit publik. Ky është edhe dallimi i parë, në një shoqëri demokratike, midis partive si bashkim i lirë i qytetarëve që ndajnë ide dhe interesa të njëjta dhe regjimeve pseudo-demokratike që justifikojnë pushtetin dhe përfitimeve prej tij.
– Nëse nuk e deklarojnë, a e kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit
-Pyetja juaj është e drejtë në qoftë se mendojmë që në Shqipëri është një shtet demokratik funksional, ku jo vetëm institucionet por edhe vetë opinioni publik dhe mediat nuk do të lejonin veprime dhe qëndrime të rrezikshme të konkuronin. Sot realiteti është i ndryshëm dhe regjimi i instaluar i Rilindjes kërkon të justifikojë veprimet e tij duke shfrytëzuar presionin ndaj institucioneve dhe gjetur hapësira ligjore për të mbrojtur veprimet e tij. Prandaj regjimet jo-demokratike është e rëndësishme të cmontohen me një votë plebishitare dhe pastaj të mendohet për funksionimin e institucioneve dhe shtetit ligjor.
– KQZ- ja, a duhet të kërkojë hetim për këta kandidatë? A duhet t’i përjashtojë nga lista e kandidatëve për deputetë, qoftë edhe për arësye morale dhe politike?
– KQZ është një institucion i pavarur dhe veprimtaria e tij kufizohet në zbatimin e ligjit. Nuk mendoj që ajo të gjykojë moralisht edhe për këtë cështje që opinioni publik qartësisht ka shprehur mendimin e tij. Prandaj në këtë proces midis vendim-marrjes së institucioneve dhe opinionit publik, ky i fundit duhet të përcaktojë zgjidhjet e mundshme me votën e tij. Shprehja me votë kundër fenomeneve të tilla është jo vetëm një detyrim moral por edhe një domosdoshmëri për të ardhmen demokratike të shtetit tonë.





















