Dr. Agim Nesho: Partia e Lirisë ka lindur si një lëvizje mbarë kombëtare për t’ i kthyer popullit lirinë, demokracinë funksionale

337

Kjo qeveri ka rënë moralisht që me daljen e fakteve të plota të inceneratorëve, ku është e dukshme që në krye të skemës është kryeministri Rama. Rënia e qeverisë është çështje kohe…

Sigal

Partia e Lirisë ka lindur si një lëvizje mbarë kombëtare për t’ i kthyer popullit lirinë, demokracinë funksionale

Intervistoi Jakup B. Gjoça


Dr. Agim Nesho, ish Ambasador i Shqipërisë në OKB dhe SHBA në intervistën për gazetën TELEGRAF pohon se mbështetja e SHBA ndaj kryeministrit Rama, (ndërkohë, që raportet vjetore të DASH e pasqyrojnë Shqipërinë e qeverisur nga Kryeministri Rama si vendi më i korruptuar, epiqendra e Europës për trafikimin ndërkombëtar të Drogës, etj) është e pasqyruar nga forca e propagandës, lobimi i fuqishëm në SHBA, nga grupe të ndryshme interesi që bëjnë presion për të marrë këtë përkrahje.

Zoti Nesho, pohon se ndërkombëtarët ende e përkrahin Reformën në Drejtësi, sepse kanë subvencionuar me miliona dollarë për ta bërë atë të suksesshme dhe funksionale.

Zoti Nesho, duke iu referuar fotos të Ambasadores amerikane në Shqipëri Yuri Kim në përqafimin me kryeministrin Rama, që u publikua, pohon se Ambasadorja  Yuri Kim do të ndjejë turp për këtë foto me një personazh që ka abuzuar me pasurinë e popullit, që ka shkatërruar demokracinë dhe, për skenarët e tij të mbajtjes së pushtetit, ka përdorur dhe shtyrë politikën amerikane për të përçarë dhe goditur opozitën në Shqipëri.

Ndërsa për arrestimet e ministrave të Qeverisë “Rama”, zoti Nesho pohon se arrestimi i qeveritarëve shqiptarë të akuzuar për korrupsion është bërë nga presioni në rritje i opinionit publik shqiptar dhe presioni ndërkombëtar.

Hapja e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë, zoti Nesho thotë se më tepër një akt përgjegjshmërie dhe vendim-marrje për interesa gjeopolitike e vendeve të BE-së, sesa arritje e kësaj qeverie.

Duke iu përgjigjur pyetjes tonë, për rolin politik që luan tashmë në Partinë e Lirisë, zoti Nesho thotë se: “Motivi im personal ka qenë të mos mbetem indiferent në një kohë të vështirë për vendin tonë. Unë isha pjesëtar në lëvizjen e 2 marsit, lëvizje në mbrojtje të Kushtetutës dhe shtetit ligjor dhe ndieja përgjegjësi morale për të vazhduar atë betejë që Presidenti Meta kishte filluar në mbrojtje të Republikës dhe demokracisë.

“Përkrahja politike për zotin Rama është e pasqyruar nga forca e propagandës, lobimi i fuqishëm në SHBA, nga grupe të ndryshme interesi, që bëjnë presion për të marrë këtë përkrahje. Ai luan rolin e klientelistit të devotshëm, por faktet qëndrojnë në publikimet e raporteve të Departamentit të Shtetit, Freedom House, Transparency International.”


– Zoti Nesho, pse SHBA mbështetin politikisht kryeministrin Rama, ndërkohë që raportet vjetore të DASH (edhe 2021) theksojnë se Shqipëria (që qeveriset nga kryeministri Rama) është vendi i korruptuar, parajsa e pastrimit të parave, është epiqendra e trafikimit ndërkombëtar të Drogës?

– Pyetja juaj është shumë e rëndësishme dhe ka nevojë për sqarim të opinionit publik. Në parim SHBA nuk mbështesin individë ose parti politike, sepse nuk kanë nevojë ta bëjnë një gjë të tillë. Ata janë simboli i demokracisë dhe lirisë në botë dhe SHBA nuk shikohet vetëm si demokracia më e fuqishme në botë, por edhe si besim tek vlerat perëndimore. Përkrahja politike për zotin Rama është e pasqyruar nga forca e propagandës, lobimi i fuqishëm në SHBA, nga grupe të ndryshme interesi që bëjnë presion për të marrë këtë përkrahje. Ai luan rolin e klientelistit të devotshëm, por faktet qëndrojnë në publikimet e raporteve të Departamentit të Shtetit, Freedom House, Transparency International, që evidentojnë fakte tronditëse për Shqipërinë dhe përkeqësim të treguesve të demokracisë. Shqipëria vërtetë sot është bërë një vend i shpërndarjes së drogës, pastrimit të parave dhe kampion i korrupsionit. Ajo që është e rëndësishme është se në kushtet aktuale që po kalojmë, është rikthyer vëmendja për Ballkanin dhe Shqipërinë. Shumë shpejt gjykimi do të bazohet në realitetin e fakteve.

Opozita dhe shumica e shqiptarëve e perceptojnë Reformën në Drejtësi të dështuar dhe Drejtësinë si të kapur tashmë nga kryeministri Rama.

Pse Bashkimi Europian, për hapjen e negociatave, e cilësoi “sukses” Reformën në Drejtësi?

– Reforma në drejtësi shikohet nga shumica e shqiptarëve si një reformê e paarritur dhe e kapur nga pushteti autokrat i zotit Rama. Ndërkombëtarët e përkrahin reformën dhe ajo në vetvete është një reformë e nevojshme dhe e domosdoshme për një shtet demokratik, dhe kanë subvencionuar me miliona dollarë për ta bërë atë të suksesshme dhe funksionale. Por reforma në drejtësi nuk ka ecur përpara për arsye të mos funksionimit të shtetit ligjor, pushtetit pa limit të kryeministrit dhe prishjes së balancave të pushtetit. Nuk mund të ketë reformë në drejtësi të suksesshme në një vend ku karakteri i regjimit është autokratik dhe interesat e tij shkojnë në kundërshtim me drejtësinë e pavarur. Mungesa e dënimeve të pritshme nga opinioni publik për abuzuesit e fondeve publike, vjedhjet hapur të pronave, një drejtësi të kapur nga politika në rastin e pranimit të rithemelimit të Partisë Demokratike tregojnë që drejtësia e re është larg standarteve të demokracive perëndimore. Ne duhet ta ndihmojmë në çdo mënyrë funksionimin e reformës në drejtësi dhe që ky pushtet të jetë sa më shpejt i pavarur dhe të ruajë interesat e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

“Mungesa e dënimeve të pritshme nga opinioni publik për abuzuesit e fondeve publike, vjedhjet hapur të pronave, një drejtësi të kapur nga politika në rastin e pranimit të rithemelimit të Partisë Demokratike tregojnë që drejtësia e re është larg standarteve të demokracive perëndimore.”


– U publikua një foto, ku Ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim është në përqafimin e kryeministrit Rama. A nuk cënon imazhin e Ambasadores kjo foto? A ngre pikëpyetje në DASH për rolin e Yuri Kim, si Ambasadore në Shqipëri?

– Fotografia e Ambasadores Kim me zotin Rama sigurisht i shërben zotit Rama dhe imazhit, që do të paraqesë para publikut se është njeriu i amerikanëve. Por amerikanët tashmë duhet ta kenë kuptuar se ku qëndron Rama. Rama është ai i flakjes së flamurit amerikan vite më parë, i etiketimit të Ambasadores amerikane si sekretare e komitetit të Partisë në kohën e diktaturës, por, sa herë që i intereson, përdor imazhin e saj për konsum të brendshëm. Shumë shpejt do të vijë koha që Ambasadores Kim do t’i vijë turp nga kjo fotografi me një personazh, që ka abuzuar me pasurinë e popullit, që ka shkatërruar demokracinë dhe, për skenarët e tij të mbajtjes së pushtetit, ka përdorur dhe shtyrë politikën amerikane për të përçarë dhe goditur opozitën në Shqipëri.


– Zoti Nesho, SPAK po thërret për hetim të skandaleve të tenderave dhe koncesionet korruptive tashmë ata ministra të Qeverisë “Rama”, që i kanë firmosur. Madje, ka ministra dhe zyrtarë të ministrive që janë në paraburgim. A nuk përbën ky fakt problem politik edhe për përgjegjësi politike të kryeministrit Rama?

– Sigurisht që po. Kjo qeveri ka rënë moralisht që me daljen e fakteve të plota të inceneratorëve, ku është e dukshme që në krye të skemës është kryeministri Rama. Rënia e qeverisë është çështje kohe, duke parë situatën në rrafshin ndërkombëtar dhe përkrahjen pa rezerva të lobistëve dhe shoqërive, që kanë interesa në realizimin e skenarëve të caktuar në Ballkan.

“Shumë shpejt do të vijë koha që Ambasadores Kim do t’i vijë turp nga kjo fotografi me një personazh, që ka abuzuar me pasurinë e popullit, që ka shkatërruar demokracinë dhe: për skenarët e tij të mbajtjes së pushtetit, ka përdorur dhe shtyrë politikën amerikane për të përçarë dhe goditur opozitën në Shqipëri.”

– Hapja e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë për anëtarësim, propagandohet nga kryeministri Rama si një arritje politike e qeverisë për plotësimin e kushteve. Faktikisht, cila është rëndësia e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe shqiptarët?

– Hapja e negociatave për Shqipërinë si vend kandidat për anëtarësimin në BE është një arritje e madhe për popullin dhe Shqipërinë, se është një hap më tej në konsolidimin e identitetit perëndimor të vendit tonë. Gjatë këtyre 9 viteve në qeverisje, qeveria e zotit Rama e ka penguar përparimin e vendit tonë në drejtim të integrimit. Shqipëria tashmë ka një regjim autokratik, një korrupsion galopant dhe një shtet që ka kapur çdo institucion të vendit. Hapja e negociatave ishte më tepër një akt përgjegjshmërie dhe vendim-marrje për interesa gjeopolitike e vendeve të BE-së, sesa arritje e kësaj qeverie.

Futja e Shqipërisë në procesin e verifikimit dhe vlerësimit të standarteve do ta mbajë Shqipërinë nën mbikqyrjen europiane dhe funksionimi i demokracisë në vend mund të marrë një frymëmarrje të re.

Por perspektiva europiane e vendit varet nga vullneti politik i këtij regjimi, interesat e të cilit bien ndesh me vlerat dhe parimet europiane. Duhet të jemi me shqiptarët që duhet të zgjidhin problemet e funksionimit të demokracisë dhe shtetit ligjor. Shqiptarët për të realizuar aspiratat e tyre drejt Europës së Bashkuar duhet ta largojnë sa më shpejt këtë regjim.

– A mendoni, se arrestimi i ministrave të Qeverisë “Rama” për korrupsion, është kushtëzimi i Bashkimit Europian ndaj kryeministrit Rama për hapjen e negociatave? 

– Sigurisht që arrestimi i qeveritarëve shqiptarë të akuzuar për korrupsion është bërë nga presioni në rritje i opinionit publik shqiptar dhe presioni ndërkombëtar. Asnjë regjim autokratik nuk shet si rregull shërbëtorët e tij. Shqipëria nuk do të kishte korrupsion të këtij niveli në qoftë se regjimi do të kishte vullnet politik për ta goditur atë.

Për skemat e mëdha korruptive të PPP-ve, të abuzimeve me fondet publike në infrastrukturë, të inceneratorëve, etj. është vetë regjimi që motivon. Një regjim i tillë i babëzitur për të abuzuar me pasuritë e popullit të tij nuk është parë në Shqipëri që nga koha e Mesjetës.

– Ju, zoti Nesho, ditët e fundit po aktivizoheni aktivisht përkrah Ilir Metës në partinë e re ” Partia e Lirisë”. Cili është motivi juaj personal i këtij angazhimi?

– Motivi im personal ka qenë të mos mbetem indiferent në një kohë të vështirë për vendin tonë. Unë isha pjesëtar në lëvizjen e 2 marsit, lëvizje në mbrojtje të Kushtetutës dhe Shtetit ligjor dhe ndieja përgjegjësi morale për të vazhduar atë betejë që Presidenti Meta kishte filluar në mbrojtje të Republikës dhe demokracisë. Ky është një moment kritik për zhvillimet e ardhshme në Shqipëri, ku janë vënë në rrezik demokracia, liria dhe çdokush duhet të jetë i përgjegjshëm për rolin e tij.

“Hapja e negociatave ishte më tepër një akt përgjegjshmërie dhe vendim-marrje për interesa gjeopolitike e vendeve të BE-së, sesa arritje e kësaj qeverie.”

– Ku ndryshon Partia e Lirisë nga LSI?

– LSI ishte një lëvizje, që doli nga Partia Socialiste në pushtet, me misionin për të shpejtuar dhe mbajtur prioritet integrimin Europian. Partia e Lirisë ka lindur si një lëvizje mbarë kombëtare për t’ i kthyer popullit lirinë, demokracinë funksionale, mbrojtjen e Kushtetutës dhe shtetit ligjor. Nga misioni i saj i rëndësishëm është një parti e gjerë, pa ideologji dhe kufizime në spektrin politik. Është parti e qytetarëve për të bërë ndryshimin e madh dhe kthyer popullit të drejtën e pjesëmarrjes dhe vendosjes nëpërmjet referendumeve të vullnetit të tij duke realizuar parimin e demokracisë direkte. Partia e Lirisë ka për qëllim të luftojë padrejtësitë, të çojë përpara drejtësisë abuzuesit me pasurinë e popullit, duke e bërë luftën kundër korrupsionit lajtmotiv të saj.

Partia e Lirisë nuk është një parti e krijuar nga sipër, por një lëvizje që i përgjigjet kërkesës së popullit të 2 marsit për drejtësi, liri dhe demokraci.

– Ju falenderoj!