Dosja ‘Tahiri’, Basha: Ta harrojnë se mund ta dënojnë për krime të lehta

443

Pas lëvizjes që bëri dje ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri duke dorëzuar tek Krimet e Rënda prova të reja në favor të çështjes së tij, vjen një reagim i ashpër nga kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Në një bashkëbisedim me gazetarët lideri i PD-së tha se maxhoranca duhet ta harrojë faktin nëse mund ta dënojnë Tahirin për krime të lehta, në një kohë kur sipas tij implikohet në trafik droge.

“Tahiri duhet të hetohet në thellësi dhe ta heqin nga mendja që të hetohet për vepra të lehta. Pasi duhet të hetohet për trafik droge. Ai ka qenë eksponent për trafikun e drogës dhe këtë nuk e mbulon dot askush”, tha Basha.

Po ashtu kryedemokrati ripërsëriti qëndrimet e tij lidhur me akuzat ndaj kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, që sipas tij duhet të arrestohet për bashkëpunim me krimin.

“Edi Rama e ka nënkontraktuar fushatën elektorale tek krimi, proces që ka nisur një vit para zgjedhjeve të 2017-ës. Në vend të shtabeve, Rilindja krijoi organizata kriminale që të manipulojë. Këto shtabe kriminale kanë pasur objektiva të qarta që përbëhen nga drejtues të lartë të PS. Edhe po të lëmë mënjanë Rroshin, Ndokën, të gjithë personat e tjerë janë faktuar për lidhjet me krimin. Pra organizata e Rilindjes si një organizatë kriminale e ka kthyer PS në një narko-parti. Qeverisja ka mbaruar. Rama ka ndalur së qeverisur vendin dhe pushteti që ka marrë është për të mbrojtur lidhjet e tij me krimin. Xhafaj edhe pse dha dorëheqje, duhet të hetohet. Madje edhe Ardi Veliu. PD dhe opozitës i ka ngelur në çark Ardi Veliu. Vangjush Dako duhet të arrestohet. As Dako, as Rroshi, as Ndoka, e Gent Daja dhe as eksponentët e tjerë të dosjes 339 nuk hetohen në liri. Përgjimet që janë bërë publike, janë vetëm maja e Ajsbergut, me qëllim që të mbahet në kontroll situata. Dako është kriminel i mirëfilltë që ka bashkëpunuar me krimin për para. Burgjet dhe paraburgimi në Shqipëri, vazhdon të procedojë me dhjetra qytetarë për vepra të lehta dhe të rënda. Është e papranueshme që një kriminel që ka bashkëpunuar me krimin të jetë i lirë. Balla duhet të merret i pandehur. Nga bashkëpunimi me Edmond Begon, deri tek çështja e ‘Toyota Yaris’, tek çështja ‘Xhisiela’ apo dhe bashkëpunimi me bandat e Elbasanit. Janë akuza të bazuara në fakte dhe prova e përgjime, që duhet të hetohen deri në një”, pohoi kreu i PD-së.