Dosja e SPAK: Zoto dhe Mërtiri i dhanë Ahmetajt qindra mijëra euro, dhurata, apartamente dhe vilë

Është zbardh dosjen hetimore në lidhje me kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

Në dosjen hetimore thuhet se Arben Ahmetaj mori drejtpërdrejtë përfitim të parregullt për çështjen e inceneratorëve, nga biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri në periudha të ndryshme, duke futur dhe emra të tjerë në këtë ‘skemë’.

Sigal

“Ka marrë drejtpërdrejtë ose tërthorazi, përfitim të parregullt, për vete ose persona të tjerë, konkretisht shumën 170 480 euro në vitin 2016 dhe 2017, duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit dhe duke e paraqitur si pagesë e bërë të një shtetasi tjetër dhe Arben Ahmetajt, përkundrejt një ‘shitje’ ndaj një shtetasi., të dy apartamenteve me sipërfaqe 124.15 metra katrorë dhe një me sipërfaqe 148.8 m katrorë në vendin e quajtur Selitë, vlerë kjo e paguar në mënyrë të tërthortë nga shtetasi Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shtetasve të tjerë.

Truall+ndërtesë në Hamallaj, e përfituar në vitin 2017, nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri në mënyrë të tërthortë ndërmjet transaksioneve të kalimit më parë të kësaj pasurie në emër të Zotos, në vijim në emër të një personi tjetër, e më pas në emër të bashkëjetueses së Ahmetajt. Shumën prej 130.000 eurove në vitin 2017 dhe 2018, duke mbuluar natyrën e vërtetë të burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë ndaj një personi dhe ndaj Arben Ahmetajt, përkundrejt një shitje ndaj një tjetër personi, të një apartamenti dhe një garazhi.”, thuhet në dosjen hetimore të publikuar nga News 24.

Tre janë akuzat që janë ngritur nga Prokuroria e Posaçme ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, për të cilin kërkon nga Kuvendi heqjen e imunitetit që i siguron mandati si deputetit.

Në një njoftim zyrtar, SPAK bën me dije se Ahmetaj, nën hetim për proçedimin penal Nr. 277/1 të vitit 2022, dyshohet se ka kryer veprat penale:

  • “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, vetëm dhe në bashkëpunim, në formën e deklarimit të rremë, dhe në formën e fshehjes, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë, neni 25 i K.Penal;
  • “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i K.Penal, 6 (gjashtë) herë;
  • “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal.

Hetimet ndaj Ahmetajt nisën pas kallëzimeve për paligjshmëri me praktikat për dhënien me koncension të inceneratorit të Elbasanit.

Po ashtu, janë hetuar edhe lidhjet e dyshuara të tij me Klodian Zoton një nga tre sipërmarrësit e përfshirë në çështjen e inceneratorëve.

Në kompjuterin e Zotos, janë gjetur emaile të disa hoteleve të shtrenjta në qytete të ndryshme të Europës, u konfirmoheshin se në to kishte qëndruar Ahmetaj, pasi pagesa ishte bërë përmes kartës bankare të Zotos.

Në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka vendosur në sekuestro preventive dy vila në bregdet, pas dyshimeve se ato kanë lidhje me ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj. Për njërën vilë, e cila ndodhet në zonën e Palasës, prokuroria dyshon se i përket ish bashkëshortes së zoti Ahmetaj, ndërsa tjetra në zonën e Hamallajt është në pronësi të bashkëjetueses së tij.

Për këtë fundit, Ahmetaj ka kundërshtor në gjykatë një kontroll që ushtroi BKH në muajin Mars, megjithatë kërkesa është rrëzuar nga Apeli i GJKKO si dhe Gjykata e Lartë.

Vetë Ahmetaj ka pretenduar pafajësi ndaj akuzave.