Dosja 184/ Në Dibër është dërguar vetëm urdhër-transferimi, jo lënda hetimore; rrethet nuk i hetojnë dot deputetët

544
Sigal

Kujtesë krye-prokurorit Olsian Çela; për t’i dhënë fund, farsës me dosjen e krimit zgjedhor/ Arta Marku dhe “ogiçët” e saj, Donika Prela e Klodian Braho, zbatuan skenarin e Edi Ramës dhe ministres Etilda Gjonaj, për ta shtyrë e shfryrë dhe këtë dosje kriminale; duke e degdisur në “fshatin” e Ulsi Manjës e Ymer Lalës, megjithëse Arta Marku e di, se sipas Nenit nr. 141 të Kushtetutës, prokurorët e rretheve, nuk kanë tagër të trajtojnë krime të zyrtarëve të lartë e me mandat Burime tepër të sigurta, nga (ish)Prokuroria e Krimeve të Rënda, kanë bërë me dije për “Pamfleti”; një tjetër skandal të rëndë, lidhur me “Dosjen 184”, të degdisur e ngujuar në Prokurorinë e Rrethit-Dibër, qysh prej datës 21 gusht 2019. Sipas informacionit, treshja Arta Marku, Donika Prela dhe prokurori Klodian Braho, nuk e kanë depozituar lëndën hetimore “Dosja 184” në Prokurorinë e Dibrës; por kanë dërguar vetëm shkresën përcjellëse, njoftuese për delegimin (transferimin) e saj. Skandali thellohet më tepër; kur mëson se përveç faktit, që “Dosja 184” nuk është transferuar akoma si material hetimor në Prokurorinë e Dibrës; kjo prokurori e ka regjistruar atë si të “marrë në dorëzim”, duke i ndryshuar dhe numrin, nga “184” në 385”. Ndryshimi i numrit apo statusi, bie ndesh me ligjin për procedurat e regjistrimeve të dosjeve hetimore; mbasi “Dosja 184” nuk është kallëzim i bërë në Dibër, por lëndë hetimore procedimi në proces, tranferuar për efekt kompetencash. Tjetër skandal, është fakti; se megjithëse Prokuroria e Dibrës, nuk e ka marrë akoma në dorëzim lëndën fizike hetimore; ajo ka deklaruar (mashtruar), se gjoja ka cakuar prokurorët Rifat Kojku e Belina Kryemadhi, të cilët kanë nisur dhe po vazhdojnë hetimin. Madje, në datën 23 shtator 2019, ose 1 muaj pas transferimit; dy prokurorët e Dibrës, kërkuan 3 muaj shtyrje afati për të mbyllur hetimet, gjë të cilën Arta Marku e miratoi urgjent, megjithëse e di që në Dibër nuk ka çuar asnjë fashikull e “CD” nga ajo dosje, ku “shef” krimi është vetë kryeministri Rama. Sot në datën 27 dhjetor 2019; ka 4 ditë që ka përfunduar dhe afati 3 muaj shtesë, për hetimin e dosjes “Gjiknuri dhe çunat problematikë”; por nuk ka asnjë hetim, madje nuk janë thirrur as për t’u pyetur, kryeministri Rama dhe Gjiknuri, Manja, Qefalia e asnjë prej personave të tjerë që janë pjesë e krimit zgjedhor në përgjime.
Pse nuk janë thirrur? Së pari, prokurorët e Dibrës, Rifat Kojku e Belina Kryemadhi, nuk e kanë dosjen fizike në zyrë; dhe të detyruar nga Arta Marku, kanë bërë e po vazhdojnë të bëjnë akrobaci, sikur kërkojnë shtyrje afatesh për shkak të volumit të madh. Së dyti, gjersa personat nën akuzë, janë evidentuar, skeduar e marrë në akuzë dhe tashmë; procesi hetimor ka nisur nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda, sipas Nenit nr. 141 të Kushtetutës, “zarat” e Dibrës, nuk kanë as këllqe e as tagër ligjor, të marrin në pyetje kryeministrin dhe deputetët.
Së treti, sipas Nenit nr. 141 të Kushtetutës; në raste krimesh të zyrtarëve të lartë të shtetit, të drejtën e përfaqësimit të akuzës dhe hetimit në Gjykatën e Lartë, e ka vetëm Prokuroria e Përgjithshme. Së katërti, degdisja e “Dosjes 184” në Dibër, zbulon shkeljen e qëllimshme të Kushtetutës nga Arta Marku, si skenar për ta vonuar e çuar drejt shuarjes, këtë hetim ku bënë pjesë kupola e pushtetit dhe miku i saj shpirtëror, Ulsi Manja. Mos u çuditni, por brenda datës 25 janar 2020; Prokuroria e Dibrës, do ta vazhdojë skenarin e vonesës së kësaj dosjeje, me dy variante, njerin prej të ciëve do ta miratojë dhe kryeprokurori i ri Olisan Çela. Varianti i parë, që ka menduar banda “Rama-Manja”, është kërkesa për shtyrje hetimesh edhe me 6 muaj për “Dosjen 184”. Varianti i dytë, është që pas shtyrjes së hetimeve me 6 muaj (korrik 2020), Prokuroria e Dibrës, do të zbatojë Nenin 141 të Kushtetutës, duke e rikthyer dosjen në Prokurorinë e Përgjithshme “Për mungesë kompetence”. E rëndë është kjo lojë; por ja që Arta Marku, Donika Prela e Klodian Braho dhe shefi i KLP, Gent Ibrahimi; kanë vepruar sikur nuk e dinin, se hetimi i “Dosjes 184” me kryeministrin dhe 4 deputetë brenda; është kompetencë e Prokurorisë së Përgjithshme dhe Gjykatës së Lartë. Mirëpo Gjykata e Lartë, nuk dihet se kur do të krijohet; por edhe nëse krijohet shpejt e nëse në krye të saj; do të jenë përsëri “zaganjorët”; “Dosja 184” do trajtohet pas dy dekadash, mbasi radha e saj është menduar të caktohet pas 65 mijë dosjeve të tjera, që po presin “stok” prej 10-20 vitesh./Pamfleti