Doris Pack ia plas në fytyrë Ramës e Veliajt: Po shkatërrojnë Teatrin për të ndërtuar kulla të larta

458
Sigal

Në një takim në aktivitetin e quajtur “Qytetarët dhe zëri i tyre në mbrojtje të trashëgimisë” pak më parë ish-eurodeputetja Doris Pack, i ka dalë në mbrojtje Teatrit Kombëtar dhe “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit” duke apeluar pro mbrojtjes së vlerave kulturore.

Ftesës së artistëve për t’ju bashkuar kauzës së tyre ajo i është përgjigjur me miratimin e saj. Pack, ka pranuar që të jetë anëtare e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe të luajë rolin e zëdhënëses që të ndihmojë në ndërkombëtarizimin e kësaj çështje që për artistët dhe opinionin qytetarë është jetike.

Qeveria ka njoftuar shembjen e Teatrit Kombëtar, pavarësisht vlerave të tij historike.

Pack i bëri thirrje kryeministrit Rama për reflektim dhe shtoi se ky vendim duhej të merrej me referendum nga vota e shqiptarëve.

Ajo tha:

Meqë kryeministri është edhe artist duhet të angazhohet më shumë në këtë çështje. Mund t’ju them se jam në mbështetje të protestës suaj të vazhdueshme, një kauzë e paqshme që kërkon të ruhet kjo trashëgimi kulturore për brezin e ardhshëm. Nuk e kam kuptuar asnjëherë pse kryeministri do t’ia heqë kryeqytetit Teatrin Kombëtar. Ata nuk kanë marrë një vendim të konsultuar, qeveria e mori vendimin vetëm me qëllimin për ta shkatërruar dhe ndërtuar aty kulla. Unë them që qytetarët e Tiranës duhet të jepnin mendimin e tyre se çfarë do të donin të ndodhte me teatrin, përmes një referendumi.”

Pack foli edhe për reagimin e Komisionit të Parlamentit Europian në Shqipëri, duke qenë se viti 2018 ishte viti i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe nuk ndërhyri për këtë çështje.

Ajo nuk e kurseu një thirrje edhe për ambasadorët:

Kam një apel për të gjitha Ambasadat dhe ambasadorët se ata duhet të jepnin përgjigje se çfarë do të bënin për të njëjtën çështje në vendet e tyre”.

Duke trumpetuar fort se me shembjen e Teatrit po shuhej çdo normë morale, Pack u shpreh se nuk donte të ndërhynte në politikën e brendshme shqiptare.

Ndër të tjera, ajo i dërgoi një mesazh Veliajt duke i thënë se disa persona kanë interesa ta marrin për të ndërtuar kulla të larta dhe nuk duhej ta lejonte që Rama ta prishë Teatrin e se ky i fundit ka dhunuar jetën e shqiptarëve.

Ajo u shpreh:

Kryetari i Bashkisë është zgjedhur që të mbrojë trashëgiminë kulturore të qytetarëve. Nuk e di se si ai mundet të lejojë Kryeministrin që ta heqë këtë godinë nga trashëgimia e qytetit. Në mbrojtje të kësaj duhet të protestojnë të gjithë. Kryeministri dhunoi të drejtën tuaj. Nuk e kuptoj kush është i interesuar ta prishë. Më lejoni t’i dërgojë një mesazh kryebashkiakut që është zgjedhur për të mbrojtur mirëqenien e shqiptarëve, nuk e kuptoj se si mund ta lejojë kryeministrin t’ia heqë teatrin qytetit. Kjo nuk është morale, po thyhet çdo normë morale. Janë disa njerëz që duan ta marrin dhe të ndërtojnë disa ndërtesa të larta. Kundrejt tyre ka edhe disa njerëz që duan ta ruajnë. Kryeministri ka dhunuar jetën tuaj. I bëj apel ta rishohë me një tjetër sy këtë çështje. Nuk jam këtu si një politikane partiake, por se më pëlqen vendi juaj. Ndaj i bëj apel të kuptojë ndjenjat e artistëve, qytetarëve që e kanë votuar dhe të kuptojë se qëndrimi çdo ditë përpara këtij teatri do të thotë qëndresë për të ruajtur shpirtin e Tiranës.”

Me sa duket të huajt e kanë kuptuar se çfarë skeme luhet pas prishjes së Teatrit dhe po ua plasin në sy “krerëve” të shtetit, të cilët e mbulojnë ose e heqin nga vëmendja duke u shpërlarë mendjen shqiptarëve me propagandë televizive.