Dhjetori 1990 dhe pabesia ndaj integrimit Euro-Atlantik

327
Sigal

Anlizë nga Prof.Dr. Lush Susaj: Qeveria e  e sotme e ka thelluar varfërinë, përccarjen dhe largësinë me Europën. Kjo ditë është thirrja më aktuale dhe kushtrim për rininë studentore, që të reagojë e protestojë ndaj, korrupsioni, oligarkisë duke mos ju nënshtruar diktaturave dhe diktatorëve

Shqiptarët po i orientojnë drejt individualizmit, përçarjes në klane, heshtjes përballë së keqes

8 Dhjetori dhe një përfundim i At Zef Pllumit

Duke qenë njohës i shkencës, filozofisë, historisë, administratës, si dhe veprimtar dhe mbështetës i sinqertë i lëvizjeve studentore të viteve 1990 dhe 2018, mendoj se ka ardhur koha për të folur troç mbi faktorët dhe shkaqet reale të prapambetjes, të sabotimit dhe të defaktorizimit të vazhdueshëm të Lëvizjeve Studentore dhe të fitoreve politike të përkohshme. Dihet se natyra njerëzore dhe natyra gjeopolitike e rajonit dhe Europës nuk është se ka ndryshuar shumë. Pavarësisht nga ato që janë shkruar në arkiva dhe histori, arritjet dhe fatet tona shtetërore e politike duket që i kanë përcaktuar faktorë, personazhe dhe interesa jashtë kufijve të Shqipërisë. Në këtë mënyrë edhe ndjeshmëria dhe varësia e shtetit dhe politikës sonë ndaj ndërhyrjeve të jashtme, ka qenë dhe vazhdon që të jetë e madhe. Historia jonë e gjatë nën pushtues, sundimtarë dhe diktatura, ndonëse në periudha të ndryshme, është pothuajëse e njëjtë. Nëse analizohet me pak vëmendje, do të kuptohet se janë të njëjtat skema, të njëjtat shkaqe, si dhe të njëjtat mjete e strategji të përdorura gjatë viteve 1908-1914, por edhe gjatë viteve 1920-1926, edhe gjatë viteve 1939-1948, si dhe gjatë viteve 1988-1994, kohë kur ka ndodhur edhe metamorfoza e fundit e një rregjimi oriental, e me deformime të rënda për botën shqiptare. Të gjitha periudhat e mësipërme kanë një të përbashkët të madhe që ka të bëjë me atë zakonin e dhunimit, të vrasjeve, të dëbimit dhe të mënjanimit të disidencës së mirëfilltë dhe të elitave me formim dhe orientim Euro Atlantik. Në këtë mënyrë është bërë e mundur qeverisja abuzuese me anë të elitave, të platformave dhe të sundimtarëve orientalë që ngjiten dhe qëndrojnë në fronet e sundimit të tyre me anë të mbështetjes nga diplomacia dhe shërbimet sekrete të vendeve të rajonit dhe mashtrimit, dhunës, hipokrizisë, demagogjisë dhe sjelljeve të tjera antishiptare dhe antieuropiane. Shkenca na mëson se midis metamorfozave (të gjallesave dhe metamorfozave të sistemeve politike), ka një ngjashmëri të lartë që ka të bëjë me faktin se tek metamorfozat, në asnjë rast nuk ka ndryshime cilësore. Metamorfozat janë ndryshime të dukshme sipërfaqësore, përmes të cilave sigurohet gjenotipi apo thelbi i ngjarjeve, nga ku buron vazhdimësia e specieve, e modeleve, si edhe vazhdimësia e elitave, e sistemeve dhe e modeleve të diktaturave obskurantiste e shkatërrimtare. Profesor Vasfi Semimi, në analizën e tij mbi origjinën dhe historinë e shqiptarëve, theksonte faktin që shqiptarët, që nga koha e Skënderbeut e deri më sot, nuk kanë luftuar dhe nuk kanë punuar seriozisht e me vendosmëri për prosperitetin, për shtetformimin dhe as për europianizimin e sjelljes së tyre politike e shtetërore. Edhe në këto 108 vite të ekzistencës së shtetit të pavarur, sikurse edhe më përpara, shqiptarët nuk kanë nisur as përfunduar asnjë betejë, apo reformë cilësore për demokratizimin, për prosperitetin dhe as për maturimin e tyre shoqëror, shtetëror e politik. Shqiptarët janë të prirur drejt individualizmit, përçarjes në klane, heshtjes përballë së keqes dhe nënshtrimit të lehtë ndaj diktaturave dhe diktatorëve, duke e pranuar kalimin si pa të keq nga njëri mashtrues tek tjetri, pa sjellë asgjë të re në standardet e jetesës dhe përafrimit të Shqipërisë me rrugën dhe standardet Euro Atlantike. Në lidhje me këtë traditë, At Zef Pllumi (2005), ka shkruar: “Ne jemi nji popull që kemi kalur një diktaturë shumë të vështirë. Por, para kësaj diktature, përveç një periudhe shumë të shkurtë lirie, kemë kalue nji robni 500-vjeçare. Në këtë mënyrë, ky popull asht mësue që, edhe me i shtie opangën në gojë, nuk flet, as bërtet. Këtu nuk jam dakord me popullin tem”. Shqipëria është në këtë situate të rendë shtetërore, ekonomike e politike, pikësëpari për shkak të mungesës së reagimit shoqëror ndaj dhunës, korrupsionit dhe padrejtësive që burojnë prej tij. Është edhe më keq se në kohën e diktaturës komuniste, kjo vetëm për shkak se protesta studentore e Dhjetorit 1990, si edhe protesta e Dhjetorit të vitit 2018, si dhe çdo lëvizje tjetër shoqërore e politike, është sulmuar dhe sabotuar nga brenda dhe në dëm të faktorit shqiptar në rajon dhe botë. Strukturat dhe elitat e komunizmit, në bashkëpunim me shërbimet sekrete antishqiptare, i kanë manipuluar dhe defaktorizuar pa mëshirë këto levizje, duke i degraduar ato në përçarje, nepotizëm, vogëlsira dhe interesa të ngushta. Në këtë mënyrë, gjithnjë kemi patur thjeshtë metamorfoza dhe ndërrim klanesh nepotike, kriminale e hajdutërore. Asnjëherë nuk ka patur dekomunistizim real dhe as rotacion e ndryshime të mirfillta të sistemeve dhe të elitave të vjetra politike. Për pasojë, politika shqiptare ka mbetur orientale, konfliktuale dhe pa softin Euro Atlantik dhe forcën integruese.

Dhjetori dhe larvat mishtore që po e rrjepin Shqipërinë

Për ta kuptuar edhe më mirë atë që ka ndodhur në këto 108 vite, po sjell një shembull nga profesioni dhe puna ime e përditshme. Është një dukuri që mund ta shihni, ta vrojtoni e ta krahasoni shumë lehtë. Është fjala për Fluturën e Bardhë të Manit (Hyphantria cuenea), një dëmtues i përhapur dhe i njohur kudo në Shqipëri. Flutura e bukur e me krahë të bardhë, i vendos vezët tek gjethet e manit, nga ku dalin krimbat-larvat. Larvat mishtore e të verbëra, sapo dalin fillojnë të ushqehen me gjethet dhe me lastarët e ri të manit, duke e rrjepur e përçudnuar gjithë bimën. Larvat apo krimbat me kokë të zezë, pasi rrjepin dhe shkatërrojnë çdo gjë, kalojnë në stadin e njohur të krisalidës, mbështillën nga një mburojë ngjyrë kafe, brenda së cilës krimbi pëson ndryshime sasiore duke u shndërruar në një flutur të rritur e të bukur, e cila rifillon përsëri ciklin me vendosjen e vezëve, nga dalin  larvat dhe nga sigurohet vazhdimësia e dëmit.

Mënyra e dëmit dhe sjelljes së këtij dëmtuesi, më ngjason deri në detajet dhe prefeksionin më të lartë me sjelljen dhe metamorfozën reale të sistemeve dhe elitave despotike e orientale të Shqipërisë së këtyre viteve. Pavarësisht nga periudha e sundimit dhe emri i sundimtarit, pavarësisht nga demagogjia dhe propaganda, që të gjithë kanë patur një të përbashkët: sjelljen politike e shtetërore antieuropiane, antidemokratike dhe antishqiptare. Për pasojë, vetëm sa e kanë thelluar varfërinë, përçarjen, largësinë dhe hendekun e Shqipërisë me Europën, tregjet, modelet dhe politikat euroatlantike të zhvillimit. Në këtë mënyrë, lexuesi mund ta bëjë lehtë krahasimin, duke menduar se ajo pema e bukur që rripet është Shqipëria, ndërsa fluturat me ngjyrat dhe krahët e bukur janë modelet dhe platformat orientale që na erdhën, bashkë me ato parullat e njohura sikurse janë “Do të hamë me lugë florini”, “Bashkim vllazërimi”, “Në emër të popullit”, “Për klasën punëtore dhe internacionalizmin”, “Shqipëria si Europa”, “Rilindje me timon e tepsi”, “Me ne fitojnë të gjithë”, etj. Ndërsa krimbat apo larvat që llupin, rrjepin e përçudnojnë bimën (gjithë strukturën e shtetit dhe ekonomisë), janë ata që u hoqën si firmëtarë të pavarësisë pa qenë fare aty, janë ata që u hoqën si partizanë pa shkrepur asnjë pushkë, janë ata që krijuan historitë me ato 200 apo 300 petritat apo themeluesit pa asnjë kontribut real, janë klanet politike dhe administrative të korruptuara që vjedhin, korruptojnë, varfërojnë, degradojnë e shkatërrojnë çdo ditë jetën, imazhin, prodhimin, mirëqënien dhe çdo gjë tjetër në jetën dhe natyrën e vendit tonë. Kurse krisalida duhet të krahasohet me mënyrën e rikthimit dhe riciklimit në politikë dhe administratë të fytyrave e duarve të zeza të ish drejtuesve të lartë të diktaturës. Sidomos të ish spiunëve, të krerëve dhe të bashkëpunëtorëve të agjenturave antishqiptare që gabimisht u amnistuan, e më pas janë këta që goditën, dëbuan dhe menjanuan pa mëshirë disidencën dhe elitën e mirëfilltë Euro Atlantike nga institucionet e politikës dhe administratës shoqërore të këtyre 30 viteve. Shikjoni pak me kujdes mënyrën se si larvat e neveritshme, pasi shkatërrojnë çdo gjë, tërhiqen për të ndërruar ngjyrën, për t’u shumuar e për t’u rikthyer fuqishëm në politikë, ekonomi dhe institucione.Edhe në lidhje me rracën e krimbave dhe me modelin e sjelljes së tyre krimbore – larvore në politikën shqiptare në vite, nuk është se ka ndodhur ndonjë ndryshim i madh nga koha e Fan Nolit e deri më sot. Për këtë arsye, përfundimet e Nolit (1924), sipas të cilit krimbat dhe rriqnat që llupin dhe thithijnë trupin dhe gjakun e Shqipërisë, janë shumë të egër dhe nuk shqitën dot pa ua prerë dhe shtypur kokën. E njëjta gjë vlen edhe për kolltukofagët pa moral, e me një mendësi të dyzuar Aziatiko-Europiane, që vjedhin, mashtrojnë dhe shkatërrojnë çdo gjë që prekin, e që nuk është e lehtë që të shqiten nga kolltuqet ku janë ngjitur.

Dhjetori dhe çdo ditë e vitit është thirrje dhe kushtrim për rininë studentore, për elitën dhe të gjithë popullsinë e Shqipërisë që të reagojnë e protestojnë sa më parë ndaj situatës së rëndë që është krijuar nga korrupsioni dhe uzurpimi i institucioneve të shtetit dhe politikës me injorantë, të pamoralshëm dhe inkompetentë. Duhet të mbyllet njëherë e përgjithmonë rruga e rikthimit të mashtruesve dhe të korruptuarve me kollare, bashkë me vezët, larvat, krisalidat dhe gjithë habitatin e tyre të politikës dhe sjelljes orientale.

 

somario

 

1

Politika e sotme vetëm sa e ka thelluar varfërinë, përçarjen, largësinë dhe hendekun e Shqipërisë me Europën, tregjet, modelet dhe politikat  euroatlantike  të  zhvillimit

2

Shqiptarët janë të prirur drejt individualizmit, përçarjes në klane, heshtjes përballë së keqes dhe nënshtrimit të lehtë ndaj diktaturave dhe diktatorëve, duke e pranuar kalimin si pa të keq nga njëri mashtrues, tek tjetri

3

Gjithnjë kemi patur thjeshtë metamorfoza dhe ndërrim klanesh nepotike, kriminale e hajdutërore. Asnjëherë nuk ka patur dekomunistizim real dhe as rotacion e ndryshime të mirëfillta të sistemeve dhe të elitave të vjetra politike

4

Politika shqiptare ka mbetur orientale, konfliktuale dhe pa softin Euro Atlantik dhe forcën integruese

5

Duhet të mbyllet njëherë e përgjithmonë rruga e rikthimit të mashtruesve dhe të korruptuarve me kollare, bashkë me vezët, larvat, krisalidat dhe gjithë habitatin e tyre të politikës dhe sjelljes orientale