Sigal

Jakup B. GJOÇA

Dje u vu një pikëpyetje e madhe në përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur kërkesat e BE-së, deri në qershor për hapjen e negociatave. Kushtet më të rëndësishme, të BE-së ndaj Shqipërisë janë funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, dhe i Gjyqësorit në përgjithësi, si edhe ngritja e institucioneve të reja të Drejtësisë, sikurse Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, i Prokurorisë, emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm, ngritja e Prokurorisë dhe e Gjykatës speciale, SPAK, dhe BKH, KED, etj. Mirëpo, të gjitha këto tashmë vihen në pikëpyetje, pasi nuk ka më kohë, sepse koha është mjaft e pakët, ndërkohë, maxhoranca dhe opozita nuk gjejnë dot kompromisin, konsensusin për të dalë nga kolapsi i drejtësisë, e ardhur, edhe për shkak të Vettingut, i cili është një proces përjashtues dhe jo pranues. Domethënë, vettingu vetëm përjashton gjyqtarë dhe prokurorë, ndërkohë, që në reformën e drejtësisë nuk është parashikuar të ndërtohen mekanizma të tillë ligjor, që të pranojë njëkohësisht gjyqtarë dhe prokurorë. Skema e ndërtimit të institucioneve të reja të drejtësisë, është e tillë, që njëri institucion pengon edhe funksionimin e institucionit tjetër dhe kjo sjell paskëtaj edhe gjithë kolapsin, bllokimin e gjithë sistemit të drejtësisë. Derisa nuk është ngritur KED nuk mund të ndërtohen KLGJ dhe KLP, por pa këto nuk kemi kuotat për pranimin në Shkollën e Magjistraturës, por as Kryeprokurorin e Përgjithshëm, as Inspektoratin e Lartë të Gjyqësorit, etj. Deputetët e mazhorancës kanë votuar projektligjet e parashikuara në rendin e ditës me përjashtim të projektligjit për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve i njohur ndryshe si ligji i magjistratëve, pasi kërkon 84 vota. Projektligji për magjistratët është shtyrë për në shtator.

Dështon për herë të tretë votimi për projektligjin “Për gjyqtarët e prokurorët”

Dje në parlament për herë të tretë maxhoranca kërkoi të votohej projektligji “Për gjyqtarët dhe prokurorët”, i njohur si “Ligji i Magjistraturës” i cili u jep kompetenca KLD-së të bëjë emërime të gjyqtarëve, kryeprokurores së Përkohshme të emërojë prokurorë dhe të shtojnë kuotat e pranimeve në Shkollën e Magjistraturës. Arsyetimi i maxhorancës është se duhet të përshpejtohet koha e humbur për të shtuar vendet vakante që janë krijuar në të gjithë piramidën e Gjyqësorit, për shkak të përjashtimeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që ka bërë vettingu. Siç pritej, opozita nuk i dha votat dhe ky projektligj mbetet për në sesionin e ardhshëm të parlamentit në shtator.

LSI kërkoi tryezë bisedimesh PS-PD-LSI

Lëvizja Socialiste për Integrim fillimisht kërkoi në parlament dialog mes aktorëve parlamentarë për t’i dhënë zgjidhje reformës në drejtësi, duke propozuar një tryezë trepalëshe. Kërkesën e artikuloi nënkryetari i LSI, Luan Rama, i cili i kërkoi kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, të investohet me përvojën e tij. Madje, Luan Rama tha se Kuvendi nuk duhet të shpërndahet derisa të zgjidhen problemet e reformës në drejtësi. Në përgjigje Ruçi tha se është në pritje të përgjigjes së grupit të PD dhe sapo ta ketë do të mbledhë krerët e grupeve parlamentare në dialog. Ndërkohë, PD-ja ndryshe nga çfarë kishte lajmëruar, pas mbledhjes së grupit në orën 12 njoftoi se nuk do të jetë fare në seancë, dhe se PD-ja nuk ndërron qëndrim dhe nuk jep konsensus për ligjin e Magjistraturës. Përfundimisht, PD-ja e bojkotoi parlamentin, ndërsa kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi nuk iu përgjigj kërkesës së LSI për një tryezë të përbashkët për të dialoguar mes aktorëve parlamentarë për zgjidhjen e kolapsit të drejtësisë.

Basha: 7 pikat ndaj maxhorancës për konsensus

Kryetari i PD, Lulzim Basha pas bojkotit të Parlamentit dhe mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së dha një konferencë shtypi, duke argumentuar pse PD-ja nuk e voton projektligjin e maxhorancës dhe i parashtron PS-së 7 pika për të dhënë konsensusin e saj. “Ligji i magjistraturës është aprovuar vetëm me votat e mazhorancës dhe në mënyrë të tillë që pasi Rama ta kapte drejtësinë të mos ia hiqte askush nga duart. Tashmë ajo është një shkollë partie, pra është një institucion i kapur nga Rama dhe me emrat e PS. Me magjistratët synohet kapja e drejtësisë. Magjistratura nuk zgjidh ngërçin e Gjykatës Kushtetuese. Reforma në drejtësi u shndërrua në një kënetë. Reforma në drejtësi do funksiononte po të ishte Saimir Tahiri në burg. Reforma në drejtësi është në kolaps”- tha Basha. Basha renditi edhe pikat që duhet të zbatojë mazhoranca për të zgjidhur sipas tij ngërçin e reformës në drejtësi:

Zhbërjen e të gjitha ligjeve që janë miratuar në mënyrë të njëanshme për Reformën në Drejtësi.

zgjidhja e situatës së paligjshmërisë në organin e Prokurorisë, duke i dhënë fund kapjes politike të prokurorit të përgjithshëm.

Zgjidhja e situatës së paligjshmërisë në përzgjedhjen e anëtarëve të jashtëm të KLP dhe KLGJ duke futur në garë të gjithë kandidatët që ishin përjashtuar nga ONM.

Zgjidhja urgjente e ngërçit të krijuar në Gjykatën Kushtetuese. Sa kohë që vendi ska Gjykatë Kushtetuese vendi është në një situatë grushti shteti.

Ecuria normale sipas Kushtetutës dhe ligjeve i procesit të vettingut. Ndërprerja e menjëhershme e ndërhyrjes së mazhorancës në proces. Sot për të njëjtën shkelje dikush mbahet në detyrë, e dikush shkarkohet nga detyra.

Komision koordinimi që e përcakton dhe kushtetuta që të jetë i balancuar dhe i paanshëm që të mbikëqyrë ngritjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë.

Reagon Manja: Nuk bëjmë dialog me opozitën, do ndërtojmë vetë KLP-dhe KLGJ

Reagimi i parë i PS-së ndaj 7 kushteve të PD-së erdhi nga kryetari i Komisionit Parlamentar të Çështjeve Ligjore, Ulsi Manja, i cili, u shpreh se se sistemi i drejtësisë nuk është në kolaps, por opozita nuk e ka kuptuar këtë gjë. Për të kundërbalancuar bojkotin e PD-së, si edhe mosvotimin nga LSI-ja të projektligjit të Magjistraturës, Manja u shpreh se qeveria do të vazhdojë rrugën e saj dhe do të jetë shumë vonë për opozitën në shtator, nëse nuk e voton sot. “Nuk ka kolaps në drejtësi. Kushtetuta nuk ka dhënë zgjidhje për kapsillikun që ndodhet opozita. Reforma në Drejtësi po ecën sipas Kushtetutës. Reforma në Drejtësi nuk u kuptua siç duhet nga opozita. Opozita duhet të dalë dhe të kërkojë falje se kujt ja la 27 vite. Është një dispozitë tranzitore tani. Do të pranohen në dy vite akademike, 25 vetë. Por nuk është krijuar akoma KLGJ-ja dhe KLP-ja. E kemi këtë nxitim sepse shkolla e magjistraturës duhet të hapë aplikimet në gusht. Mos i jepni votat, se turpi do i ngelet opozitës që nuk jep votat. Ne pastaj do të ndërtojmë KLP dhe KLGJ-në dhe do ta bëjmë. Nuk do të bëjmë dialog me ta.

Ne po presim që opozita ta japë votën për “Magjistraturën”, ne do të vazhdojmë rrugën tonë. Do të ngremë KLP-në dhe KLGJ-në. Pastaj do të jetë vonë për opozitën. “, u shpreh Manja.

 

Luan Rama: Jemi përballë një kolapsi institucional, s’ka Gjykatë Kushtetuese

Jam i detyruar të shpreh keqardhjen që Kuvendi i Republikës së Shqipërisë e mbylli sesionin e vetë parlamentar pa mundur të ngrihet dot as në minimumin e nivelit të përgjegjësive dhe të angazhimeve të veta si institucion sovran që shpreh dhe ushtron në mënyrë kushtetuese vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Pikërisht për ta kthyer veprimtarinë e Kuvendit që të fokusohet dhe të investohet tek zgjidhja e çështjeve prioritare propozova sot në emër të LSI-së rikthimin te dialogu politik jo si kërkesë e LSI-së, por pikësëpari si një shenjë përgjegjësie për t’ju përgjigjur interesit të qytetarëve shqiptarë, por edhe si reflektim ndaj kriterit të parë që është i trajtuar dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në rekomandimet e fundit të Këshillit Evropian për të rikthyer dialogun dhe besimin e ndërsjellë politik në Shqipëri, sepse pa dialogun politik dhe pa klimën e bashkëpunimit të të gjithë aktorëve politik parlamentarë, Shqipëria nuk do të mund të mbërrij dot të çelë negociatat me Bashkimin Evropian. Kam qenë gjatë gjithë ditës në kontakt të vazhdueshëm dhe në përpjekje për të mundur të mbërrinim në një zgjidhje me Kryetarin e Kuvendit, me Kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së, me Kryetarin e Partisë Demokratike, por në mënyrë absurde, provokative dhe me një gjuhë aspak të denjë u shfaq në këtë skenë të teatrit politik edhe Ulsi Manja, i cili na u prezantua sot edhe si specialist i kapsllëkut. Seç deshi dhe seç pati Ulsiu që hyri për ta provokuar këtë përpjekje për të mundur që të mbërrinim në një zgjidhje është çështje e tij, por ta lexosh apo ta perceptosh përpjekjen për dialog, përpjekjen për normalitet dhe për të zgjidhur problemet e mëdha të Reformës në Drejtësi si kthim mbrapa të Reformës në Drejtësi, do të thotë jo vetëm lajthitje në objekt, dhe meqë është jurist Ulsiu e kupton këtë gjë, por për fat të keq kemi të bëjmë edhe me lajthitje në subjekt. Deklaratat provokative dhe gjuha arrogante natyrisht nuk i shërben interesit publik, interesit qytetar dhe interesit të jetësimit, ashtu siç është nisur në fakt Reforma në Drejtësi. Askush nuk është kundër Reformës në Drejtësi dhe kjo është e gjitha një spekulim i madh. Por kur projektohet zbrazja e vendeve që kanë zënë njerëz të korruptuar, duhet të ishte projektuar edhe se si do të zëvendësohen këto vende. Që sot, ne të mos ishim pa Gjykatë Kushtetuese. Pra, të mos ishim natyrisht me Gjykatën e Vjetër, por duhet të kishim Gjykatën e re Kushtetuese me të zgjedhurit përmes një procesi transparent dhe ligjor të Vettingut. Se i hoqën apo i hoqi Vettingu ata që duheshin hequr, nuk tha njeri gabim. Por problemi shtrohet. Kush i zëvendëson? Si i zëvendëson? Prandaj propozuan në nonsens kushtetues, juridik, logjik amendamentet për të bërë disa ndryshime në ligjin për statusin e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve që KLD-ja, pra Ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë së dikurshme apo Prokuroria e Përgjithshme të mund të emërojnë në kundërshtim me ligjet që janë pjesë përbërëse e Reformës në Drejtësi magjistratët që kanë kryer shkollën. Po kush e pengon këtë gjë? Dhe pikërisht këtë doja unë të inicioja sot që të hynim në një proces zgjidhje të të gjithë problematikës që reflekton Reforma në Drejtësi. Dikush nuk mund t’i pëlqejë, dikush edhe mund të nënqeshë, por është e pafalshme dhe madje është skandaloze që Shqipëria sot është një vend pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë dhe shumë shpejt do të jetë edhe pa gjykatat e apelit, edhe pa gjykatat e tjera, të cilat edhe ashtu siç janë nuk janë në punë, dhe ashtu siç janë nuk bëjnë drejtësi dhe e gjitha kjo në fund të fundit është pasojë e arrogancës, e pa përgjegjshmërisë, e abuzivizmit dhe e përpjekjes së kësaj mazhorance për të kapur sistemin e drejtësisë.