Dështimi me shëndetësinë, dorëhiqen mjekët e urgjencës

678
Furtunë në shëndetësi, dorëhiqen mjekët e urgjencës, kushtet e punës skandaloze 
Tetë mjekë i drejtohen Presidentit, Kryeministrit, Ministres së Shëndetësisë për kushtet e punës, ngarkesën në urgjencë dhe paaftësinë e drejtorit të spitalit
Tetë mjekë të urgjencës së QSUT kanë dhënë dje dorëheqjen. Ata kanë firmosur një MEMO, drejtuar krerëve të shtetit, dhe drejtuesve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të spitalit më të madh në vend. Ndonëse MEMO-ja është firmosur, pakënaqësitë e mjekëve janë të mëdha dhe ato duket, se zanafillën e kanë shumë më herët. Gjithçka ka filluar me emërimin e drejtorit të spitalit Enkelejd Joti, që sipas mjekëve nuk është specialist i fushës, për të mos thënë, që nuk e njeh fare mjekësinë, pasi është një mekanik. Por ka edhe më tej. Mjekët janë shprehur edhe më herët për atë se çfarë ka ndodhur në shëndetësinë falas të “Rilindjes”. Kanë denoncuar tenderët, koncesionet e dhënë nga ish-ministri Ilir Beqaj. Dhe tani vjen një tjetër furtunë. Mjekët e urgjencës janë ngritur kundër drejtorit që, sipas tyre, nuk ka bërë asgjë për të përmirësuar kushtet dhe për të zbutur mbingarkesën. Madje këtyre mjekëve u është hequr edhe e drejta për të bërë shtrime të pacientëve që paraqiten në urgjencë në gjendje të rëndë. “Kushtet e punës për stafin nuk plotësohen, bazuar në kontratën punëdhënës- punëmarrës . Ka mbingarkesë me të sëmurë të shtruar mbi 48 orë në urgjencë për mungesë vendesh në pavijonet e tjera në kundërshtim me urdhrin. Mos zbatimi i urdhrave të tjerë, të nxjerrë nga drejtoria e nga shërbimet e tjera që reflektojnë mbingarkesën e urgjencës. Në këto kushte ku për shkak të mbingarkesës, e cila nuk lidhet me punën e mjekëve, por të shërbimeve; Tërhiqemi nga pozicioni i punës duke respektuar paralajmërimin sipas Kodit të Punës me 30 ditë përpara”. Kjo është përmbajtja e letrës, ndërkohë që reagimet kanë qenë të menjëhershme. Fillimisht në takim me mjekët ka shkuar zv/ministrja e shëndetësisë. Ajo ka bërë një mbledhje me ta, duke i kërkuar llogari se kush e ka nxjerrë informacionin në media, ndërkohë që sipas mjekëve nuk është diskutuar për kushtet dhe për dorëheqjen që duhet të kishte bërë me kohë drejtori i spitalit, Joti. Reagime kanë ardhur edhe nga politika. LSI përmes Petrit Vasilit ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, duke e konsideruar këtë gjendje, skandal. Edhe deputeti Bardh Spahia, e ka konsideruar të paprecedentët këtë situatë. Sipas tij, shëndetësia falas ka degraduar. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe Tritan Shehu. Ministria e Shëndetësisë, prej më se tre vitesh është në qendër të sulmeve, si pasojë e koncesioneve që ish-ministri ka dhënë personave afër qeverisë. 
Sigal