Vargu: Spitali drejtohet nga mekanikët, të paaftë për menaxhim

537
Një nga mjekët që ka firmosur MEMO-n drejtuar krerëve të shtetit dhe drejtuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, është edhe Petrit Vargu. Edhe më herët, ai ka vënë në dukje kushtet skandaloze në spital, por tashmë gjithçka ka dalë hapur. Mjekët flasin për mungesë të kushteve, pacientë që largohen pa marrë shërbimin dhe për një urdhër të dhënë nga drejtori i spitalit, Enkelejd Joti, i cili nuk i lejon mjekët e urgjencës të bëjnë shtrime në pavijon. Urdhri ka, të paktën, tre javë që ka dalë. 
Zoti Vargu, kur ka nisur protesta juaj?
Kjo që ka ndodhur sot ka të bëjë edhe me të shkuarën, që është “Rilindja”, e cila vendosi në krye të shëndetësisë njerëz të paaftë, por dhe me të ardhmen, që ata që janë në krye të spitalit dhe pretendojnë se janë zgjedhur përmes të ashtuquajturave konkurse, nuk pranojnë të japin dorëheqjen. 
Çfarë ka ndodhur në të vërtetë?
Spitali drejtohet nga njerëz të paaftë, në krye të tij është një mekanik. As në kohën e Enver Hoxhës nuk lejohej që një mjek të drejtonte Uzinën e Traktorit, ndërsa tani lejohet që një mekanik të drejtojë një spital. 
Pas dorëzimit të MEMO-s, kanë ardhur drejtues të ministrisë. Çfarë u tha në takim?
Unë nuk isha në atë takim, pasi nuk më lajmëruan. Por nga shokët e mi mësova se kryefjalë e takimit dhe me rëndësi për ministrinë ka qenë fakti, se si e morën vesh gazetarët lajmin. Më pas mjekët e pranishëm në mbledhje janë shprehur se e kanë dorëzuar MEMO-n për dorëheqje, pasi më parë ia kishin kërkuar këtë gjë, drejtorit dhe ai nuk e ka bërë. Pra mjekët kishin kërkuar dorëheqjen e drejtorit Joti, por ai nuk ka pranuar të largohet. Në këto kushte mjekët kanë vendosur të largohen vetë. 

Si është situata në urgjencë sot që po flasim?
Sot kur nuk jemi në kushte epidemie apo të ndonjë katastrofe, urgjenca është e mbingarkuar. Askush nuk ka vënë dorë në të. Çdo gjë bëhet vetëm për fasadë.

Çfarë pritet ?
Asgjë nuk pritet. Ata do të bëjnë pak makijazh. Do të marrin pas vetes ndonjë nga mjekët që u shkon para prapa dhe do u thonë të ulin ngarkesën në urgjencë. 
E di që protesta spontane e kolegëve, miqve, vëllezërve të mi do të shuhet. E di që pushteti do të bëjë normalizim të përkohshëm të situatës me forcë dhe padije. E di që aleatët tanë të vetëm janë mediat. Di gjithashtu, që ata që do të vuajnë janë pacientët.
Sigal