Deputeti Bledi Çuçi: Konsensus me PD, nuk ndryshohet Kodi Zgjedhor, kemi gati ligjet e reformës së re zgjedhore

531
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Bashkryetari i Komisionit Parlamentar Bledi Çuçi zbardh konsensusin me PD-në për reformën e re zgjedhore

Gjatë 5 viteve që qeveris kryeministri Rama, mazhoranca dhe opozita asnjëherë nuk kanë gjetur konsensus politik për asnjë reformë, për asnjë çështje politike, në asnjë komision parlamentar. I vetmi përjashtim, ku mazhoranca dhe opozita dhanë bashkërisht konsensusin në parlament, ishte votimi i reformës në drejtësi në 22 korrik 2016, por edhe kjo pasojë e presionit të fuqishëm të ndërkombëtarëve, sidomos të ambasadës amerikane në Tiranë. Konsensus, që u braktis nga mazhoranca, e cila, asokohe kishte 84 vota dhe miratoi 6 ligjet e reformës në drejtësi pa konsensusin e opozitës. Prandaj, edhe sot reforma në drejtësi ka shkaktuar kolapsin në sistemin e drejtësisë.

Konsensusi i prapaskenave PS-PD për reformën e re zgjedhore

Ka zëra që janë publikuar kohë më parë për një konsensus në prapaskenë midis PS dhe PD-së për reformën në drejtësi. Madje, në qershor të këtij viti, edhe bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar të reformës zgjedhore deputeti i PD-së Bylykbashi deklaroi se mazhoranca dhe opozita në këtë komision kanë gjetur konsensusin, pa dhënë më shumë hollësira për cilat çështje. Mirëpo, ditët e fundit ka zëra që ky konsensus i heshtur, në prapaskenën politike midis PD dhe PS për reformën e re zgjedhore, ka të bëjë me mosndryshimin e sistemit zgjedhor. Siç dihet, PS dhe PD janë dy parti që kanë privilegjet zgjedhore nga ky Kod Zgjedhor aktual, i cili, njëkohësisht, penalizon partitë e tjera, dhe e bën votën e elektoratit jo përfaqësues. Para disa ditësh, deputeti Bylykbashi mohoi marrëveshjen e PD me PS për reformën e re zgjedhore.

Bashkryetari i Komisionit Parlamentar Çuçi: Ja ku dakordësohemi me PD-në

Në emër të PS-së, bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Bledi Çuçi thotë se do të pranojnë çdo propozimi që vjen nga demokratët për amendime në ligjin elektoral, përfshirë dhe votimin elektronik, i cili do të testohet në zgjedhjet lokale në një bashki që ende nuk është vendosur se cila do të jetë. Bledi Çuçi nuk mohon një ndërhyrje të mundshme në Kushtetutë, por jo për të ndryshuar sistemin por për të mundësuar votën e emigrantëve. “Po diskutojmë disa variante. Një nga variantet është dhe vendosja e një kuote për emigrantët që kërkon ndryshime kushtetuese”. Komisioni është në fazën që ka nisur të shkruajë draftin e amendimeve të Kodit Zgjedhor që do t’i dërgohet për votim Parlamentit. Për këtë, dy forcat politike me mbështetjen financiare të qeverisë gjermane, kanë kontraktuar dhe dy ekspertë të pavarur. Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Bledi Çuçi, konfirmon se amendamentet janë duke u shkruar, por votimi parashikohet për në dhjetor. Ekspert i PS-së në hartimin e draftit për Reformën Zgjedhore do të jetë ish-deputeti demokrat Viktor Gumi. Ndërsa demokratët kanë rikthyer sërish ish ministrin Ilir Rusmajli.

Deputeti Çuçi: “Kemi nisur tashmë shkrimin e amendamenteve konkrete për të përkthyer tre elementë të rëndësishëm. Së pari është një vendim politik i PS për të pilotuar përdorimin e teknologjisë në zgjedhje, së dyti për kërkesën tonë të kahershme për votën e emigrantëve, dhe kryesorja për të reflektuar rekomandimet e OSBE-ODIHR. Të dy partitë janë duke biseduar, se cila bashki do të përdoret për projektin pilot, i cili parashikon të testojë, jo vetëm identifikimin teknologjik, por edhe depolitizimin e komisioneve. Po shohim mundësinë e një pilotimi për përdorimin e teknologjisë, por edhe për depolitizimin e komisioneve. Ka ardhur koha të kemi një armatë profesionistë komisionerësh. Sigurisht, që nuk mund të kalojmë menjëherë nga një sistem kaq i politizuar në një të depolitizuar fare. Sa i takon votës së emigrantëve, PS-PD kanë rënë dakord ta përdorin vetëm në zgjedhjet parlamentare dhe detajet po përpunohen.

Anëtari i Komisionit Parlamentar Dashamir Shehi për “Telegraf”: Deri tani nuk kemi bërë asgjë

Pra, bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore Bledi Çuçi e zbardh tërësisht marrëveshjen në prapaskenë me PD-në për reformën zgjedhore, derisa pohon që po shkruhen edhe amendamentet e reformës zgjedhore, e këto amendamente që shkruhen janë pikërisht edhe ato pika të konsensusit PD-PS. Ndërkohë, që anëtari i këtij komisioni parlamentar për reformën zgjedhore, deputeti Dashamir Shehi thotë për gazetën “Telegraf” se deri tani në atë komision nuk është bërë asgjë për reformën. Por, derisa Çuçi deklaron që shkruhen amendamentet e reformës së re zgjedhore, do të thotë që PS dhe PD nuk kanë informuar fare partitë e tjera parlamentare, që janë anëtarë të këtij komisioni parlamentar.

Çuçi pohon: Nuk ka ndryshim të sistemit zgjedhor

Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore Bledi Çuçi nuk thotë asgjë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, që me fjalë të tjera, do të thotë, që nuk do të ndryshohet sistemi zgjedhor aktual, sipas konsensusit që kanë gjetur PS-PD. Ndërkohë, që aleatët e PD-së pohojnë se kanë një marrëveshje me kryetarin e PD-së, që PD-ja do të kërkojë që të ndryshohet sistemi aktual zgjedhor. Dihet, që pa konsensusin e PD-së, PS-ja nuk mundet ta miratojë dot reformën e re zgjedhore. Të dy partitë, PD dhe PS nuk bëjnë fjalë as për ndryshimin e ligjit elektoral për shpenzimet elektorale dhe të partive politike, ligj i cili, deri tani, u jep dorë të lirë partive (sidomos PD dhe PS) të shpenzojnë pa dhënë gjëkundi llogari për sasitë financiare ku shpenzohen, ku i sigurojnë, etj. Fenomeni i blerjes së votës, që u denoncua me forcë nga opozita dhe nga institucionet monitoruese ndërkombëtare të zgjedhjeve, si OSBE, ODIHR, edhe në zgjedhjet parlamentare të 2017-s, është pasojë, pikërisht e ligjit aktual elektoral “Për Partitë Politike”, ku as KQZ nuk ka mundësi ligjore të hetojë shpenzimet elektorale të subjekteve elektorale dhe partive politike.