Deputetët legjendarë, pengmarrësit e Kuvendit

528
Sigal

 Propozimi: Deputetët me më shumë se 3 mandate do të kandidojnë për mandatin e deputetit

Reformat në Shqipëri kanë ngecur, ndërsa armiqësia dhe polarizimi politik u rritën, duke arritur kulmin në prag të zgjedhjeve të vitit që sapo lamë. Ky ishte konkluzioni i institucioneve europiane dhe që gjeti pasqyrim në raport progresin e OSBE-së në fund të vitit 2013-të.  Dhe për të riparuar këtë situatë KE-ja vendosi si pikën e parë të kushteve të saj: “Vijimin e reformës  në konsolidimin e administratës publike”. Këtë lloj reforme politika shqiptare e shikon thjeshtë si zëvendësime të disa nëpunësve të administratës qendrore, lokale dhe atyre të niveleve të bordeve. Që këto institucione duhen reformuar dhe bashkë me ‘to edhe institucionet e drejtësisë, rendit, hetimit etj., kjo nuk ka më dyshim, pasi këto ndryshime i kërkuan shqiptarët me votën plebishitare të 23 Qershorit. Por ndërkombëtarët dhe europiano-perëndimorët kërkojnë jo vetëm reformimin e administratës, por edhe të vetë tempullit të demokracisë, që është organi më i lartë legjislativ, Kuvendi i Shqipërisë. Faktori ndërkombëtar ka kërkuar vazhdimisht në mënyrë direkt dhe indirekt reformimin e sistemit dhe mënyrës së ardhjes së këtyre njerëzve në sallën e Parlamentit. Kërkohet që njerëzit që u propozohen shqiptarëve në listat e tyre të detyruara të jenë personalitete dhe jo banditë dhe trafikantë që arrijnë të blejnë me oferta edhe vetë krerët e partive. Dhe kjo është e keqja më e vogël pasi ka edhe deputetë që e kanë marrë apo rimarrë mandatin duke kërcënuar vetë liderët e partive. Personazhet që kanë menaxhuar politikën dhe fatet e shqiptarëve në këto 23 vite, janë ish-funksionarë të lartë të regjimit komunist, spiunë dhe bashkëpunëtorë të sistemit, por që u duhen se votojnë sapo u kujton pseudonimin si dhe gangsterët e trafikantët e qenieve njerëzore dhe drogës. E pra kjo është edhe arsyeja e vërtetë që si e Majta edhe e Djathta është e mbushur me këta personazhe dhe po mbajnë peng 2.8 milionë shqiptarë që jetojnë në Shqipëri dhe 1.2 milion të tjerë që kanë marrë arratinë. Në këto kushte dhe për këto arsye Europa dhe Amerika nuk mundet të na pranojnë në gjirin e tyre me të drejta të plota. Është kjo arsyeja e vërtetë që Shqipëria nuk integrohet në Europë dhe janë këto shkaqet e vërteta, që na u përplas dera në fytyrë dhe jo gojëzezat se, ne jemi vend mysliman, apo se sherret dhe inatet e tyre Europa ja nxori shqiptarëve. Po ç’inat zeza kanë me ne Europa dhe kush janë këta që s’na duan?! Janë Gjermania, Angli, Franca, Holanda dhe Danimarka?! Po nuk na duan këto 5 shtete që janë vetë Europa, ne na ka marrë lumi. Po si ka mundësi që këto shtete ishin të mira, kur na futën në NATO,  kur na mbështetën dikur për çlirimin e Kosovës apo akoma më afër, kur na liberalizuan vizat dhe i lanë shqiptarët të lëvizin lirshëm në Europë? E pra, Europa i do shqiptarët, por Europa nuk do politikanët e inkriminuar dhe të zhytur me zullume deri në fyt. Ata nuk duan ata deputetë që kanë mbytur klandestinë në mes të detit, që kanë shpërndarë drogë në qytetet e Europës, që kanë vrarë  dhe trafikuar femra, që kanë zaptuar minierat, që kanë monopolizuar cigaret, alkoolin, ilaçet, naftën etj.. Ja pra, këta janë ata që sot na hiqen si engjëj, por që janë më të zinj se vetë djalli. Për këto fakte dhe për shumë e shumë të tjera  po diskutohet ideja  për t’u kërkuar partive politike dhe politikanëve që deputetët e Parlamentit të mos kenë të drejtën e ushtrimit të më shumë se tre mandateve në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk mund të konceptohet dhe të pranohet që deputetë të kohës së diktaturës  dhe që kanë njollosur me gjak demokracinë të vazhdojnë të mbajnë peng dhe të dalin me fotografinë e Enverit në salla të mbyllura dhe në sheshet publike. Shqipëria trashëgon nga sistemi i mëparshëm dy nga perlat sociale dhe që i ka zili sot edhe vendi më i zhvilluar në botë, arsimimi në çdo cep të vendit dhe shërbimi shëndetësor. Atëherë, si mundet që në Shqipëri, në vend që të vendosen njerëz me nivel profesional dhe integritet, vendosen  deputetë me diploma false. Ky është një turp, i cili justifikohet me faktin se kur deputetët janë mediokër  dhe trafikantë  do emërojnë injorantët dhe kontrabandistët në administratë ashtu sikurse po ndodh me emërimet e koalicionit PS-LSI. Por le t’i kthehemi mandatit të deputetit, i cili po shikohet si i vetmi opsion për të larguar nga politika  ata që sot janë baballarët e Ballkanit. Nga viti 1989 e deri më sot janë larguar të gjithë liderët e Ballkanit. Të vetmit që nuk shkulen nga karrigia janë ata, deputetët, ministrat dhe liderët shqiptarë. Vendi më demokratik në botë SHBA-të ka ndërruar nga vitet ‘90 Presidentë,  Bushin e madh me një mandat, Klintonin me dy mandate, Bushin e vogël me dy mandate dhe Obama në mandatin e dytë. Këta Presidentë të nderuar janë larguar ndërsa politikanët tanë që kanë fuqi vendimmarrëse vazhdojnë stoik në brigjet e Adriatikut, duke ju afruar dalëngadalë edhe Enverit që qëndroi 40 vjet në pushtet. Shpresojmë që këta deputetë të mos ndjekin fatin e kryetarëve të partive, të cilët në statut vendosën për të mos qëndruar më shumë se dy mandate dhe që faktikisht e kanë përdhosur jo se duan vetë, por nga dëshira e madhe që “elektorati” i do vetëm në krye. Vetëm në Shqipëri dhe në vendet e Amerikës Latine, ku lulëzojnë trafiqet e kokainës mund të gjesh personazhe të tipit “Çe Gevara” që blejnë votat me para në dorë apo duke shlyer listat e borxhlinjve të ushqimeve dhe dyqaneve të bukës. Dhe këta janë deputetë që mbajnë në kurriz nga 7 mandate. Është koha që këta agallarë të kthehen në senatorë të përjetshëm dhe me këtë rast, biem rehat edhe ne si popull, por edhe ata i zë gjumi pa ëndrra.