Deputetet dhe ministrat e dosjes 184 dhe 339 janë të kriminalizuar

321
Sigal

Forum në Telegraf/ Flasin, Prof.Kristaq Kume, Prof.Enver Bytyçi, Dr.Agim Nesho, Hysen Osmanaj: KQZ duhet të ndalojë kandidimin në 25 prill të deputetëve që dalin në përgjimet e dosjeve 184 dhe 339 për shitblerjen e votave duke kërkuar hetim të thelluar për të gjithë kandidatët. Pavarsisht amnistimit nga SPAK të vjedhjes dhe manipulimit të votës, kandidatët duhet të përgjigjen politikisht në bazë të ligjit të dekriminalizimit

 

Gazeta TELEGRAF

Prof. Dr. Enver Bytytçi

Mbyllja nga SPAK të hetimeve të dosjeve 184 dhe 339 për shkak të kalimit të afateve ka sjellë vetëm dyshim, e ka thelluar mosbesimin e qytetarëve te zgjedhjet e lira, që organizon Rilindja

Deputetët dhe ministrat e dosjes 184 dhe 339 janë të kriminalizuar! Të përjashtohen nga 25 prilli

Prof. Dr. Enver Bytyçi, në intervistën për gazetën “Telegraf” arsyeton se SPAK-u me mosdënimin e deputetëve dhe ministrave të Rilindjes, që u hetuar në dosjet 184 dhe 339, rrit mosbesimin se në 25 prill mund të kemi zgjedhje të lira. Prof. Bytyçi, pohon se, KQZ-ja ka kërkuar hetim për mbi 20 kandidatë , por nuk i ka përfshirë në këtë kategori emrat që kanë marrë pjesë në krimin zgjedhor të Dibrës dhe Durrësit,  edhe pse SPAK-u nuk i dënoi autorët e akuzuar në dosjen e vjedhjeve të votës, ata moralisht, i kap ligji i dekriminalizimit, prandaj asnjë nga ata nuk duhet të lejohet të kandidojë për deputet në 25 prill. 

 – Prof. Bytycci,  SPAK pranoi që shumë deputetë dhe zyrtarë të lartë kryen vepër penale në krimin elektoral në Durrës dhe Dibër, siç dëshmuan dosjet 184 dhe 339. Por për shkak të skadimit të afateve, ata nuk u dënuan. Ata që kryen vepër penale të krimit zgjedhor, a kanë fituar amnisti ligjore për të kandiduar më 25 prill si deputetë?

– Kur gazeta presigjioze gjermane “BILD” publikoi dosjet e lartpërmendura shqiptarët dëgjuan me veshët e tyre se si politika shtetërore ishte angazhuar në marrëdhënie e simbiozë me elementë të shumtë kriminalë të manipulojnë procesin dhe vetë zgjedhjet lokale në Dibër dhe ato të përgjithshme në Durrës. Këto dëshmi ishin të pjesshme vetëm për dy raste, dy qarqe. Por përgjimet e publikuara logjikisht kishin brenda përgjigjen e asaj se çfarë kishte ndodhur në të gjithë vendin. Përfundimi logjik i asaj që kishte ndodhur përmblidhet në faktin se Rilindja e Edi Ramës ka ardhur në pushtet me dhunë dhe e mban pushtetin po ashtu me dhunë. Wshtë i pakontestueshëm fakti se zgjedhjet përcaktojnë modelin e qeverisjes. Kushdo që bashkëpunon me krimin në fushatat zgjedhore, ai qeveris po ashtu me krimin dhe eksponentët e tij. Sipas filozofit Immanuel Kant, logjika njerëzore duhet të bazohet në principe. Në të kundërt, është skepticizmi dhe dyshimi  ajo që do ta shoqërojë ndërgjegjen. Bazuar në këtë aksiomë, mbyllja e hetimeve për shkak të kalimit të afateve ka sjellë në shoqërinë tonë vetëm dyshim, e ka thelluar mosbesimin e qytetarëve te zgjedhjet e lira që organizon rilindja. Përgjegjësit e kësaj situate mosbesuese duhet të ndëshkohen moralisht e politikisht. Por thelbi i ligjit të dekriminalizimit qëndron në faktin se ai ligj nuk teston vetëm veprat penale, por edhe kufijtë moralë të kandidatëve për deputetë. Pwrshembull,  ligji parashikon që dikush të ndëshkohet, nëse nuk deklaron me vërtetësi sa emra ka përdorur dhe pse i ka përdorur në jetën e tij. Dhe ne e dimë se kjo klauzolë nuk ndëshkohet nga ligji penal. Por kjo lidhet me aktin moral të secilit deputet. Në këtë pikëpamj,e kalimi i afateve nuk i amniston ata që janë duke kandiduar për parlamentin e ardhshëm e njëkohësisht kanë marrë pjesë në veprën e shëmtuar të manipulimit të votës së qytetarëve e dëshmuar në dosjen 184 e 339.
– Këta që tani kandidojnë për deputetë a duhet ta deklarojnë në formularët e dekriminalizimit atë krim zgjedhor?

– Secili kandidat është i detyruar të deklarohet jo vetëm për veprat për të cilat është dënuar, por edhe për ato për të cilat është akuzuar. Sepse formulari i dekriminalizimit përcakton qartë edhe kërkesën për t’u deklaruar nëse dikush ka qenë nën hetim ose jo. Ulsi Manja pwrshembull,  duhet të jetë vënë nën hetim, nëse është hetuar dosja 184. Gjiknuri po ashtu. Por ka dhe emra të tjerë, të cilët nuk po më kujtohen. Të gjithë këta duhet të deklarojnë se kishin një akuzë të tillë, edhe nëse SPAK nuk ka hapur çeshtje hetimi për ta. Derisa është hetuar dosja dhe është mbyllur për shkak të tejkalimit të afateve, një absurditet që e aplikon vetëm ligji shqiptar, atëherë këta njerëz duhet të përgjigjen politikisht e ligjërisht sa i përket pjeswmarrjes në politikë bazuar në ligjin e dekriminalizimit. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë kemi të bëjmë me arbirtratitetin e shtetit dhe institucioneve të tij. Askush, përfshirë dhe Edi Ramën, nuk mund t’i shpëtojë ndëshkimit ligjor.

Derisa dosja 184 dhe 339 është hetuar  dhe është mbyllur për shkak të tejkalimit të afateve, një absurditet që e aplikon vetëm ligji shqiptar, atëherë këta njerëz duhet të përgjigjen politikisht e ligjërisht sa i përket pjesëmarrjes në politikë, bazuar në ligjin e dekriminalizimit

 

Vetë kryeministri është akuzuar nga të tijët dhe opozita se ka shitur ikona në Francë e Gjermani dhe se ka qenë nën hetim për këtë vepër penale. Wshtë akuzuar se ka ndërruar dhe emrin nga Edvin në Edi, me qëllim që t’i shpëtojë pasojave që kishte hetimi i tij për veprën penale në fjalë. Për këtë arsye ai vetë duhet të jetë nën veprimin e ligjit të dekriminalizimit. Por ai është përfshirë edhe në dosjet përkatëse të manipulimit të zgjedhjeve e të procesit zgjedhor në Shqipëri. Prandaj Edi Rama duhej të ishte në listën e kandidatëve për verifikim.  Por nuk ka ndodhur kjo, sepse nuk kemi shtet të së drejtës. Ligji në vendin tonë është në duart e Maliqit, edhe pse Maliqi bërtet e çirret çdo ditë se do të “bëjë shtet ligjor dhe drejtësi” në Shqipëri. Ne e dimë se cila është “drejtësia” e Maliqit tonë kryeministër: T’ua shkurtojë këmbët të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve që hapin proces hetimi për miqtë, bashkëpunëtorët dhe bashkëkriminelët e tij.

– Nëse nuk e deklarojnë, a e kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit?

– Të gjithë ata që nuk deklarojnë gjithçka që parashikon ligji i dekrimalizimit automatikisht e shkelin këtë ligj. Shkelja e këtij ligji i përjashton ata pa mëdyshje nga kandidimi për deputetë të Kuvendit.  Nuk bën përjashtim në këtë çeshtje as kryeministri Rama. Nëse ai nuk ka deklaruar ndodhitë që ka pasur gjatë kohës së tij si emigrant, Edi Rama duhet hetuar për këtë dhe oponionit publik i duhet dhënë një përgjigje e plotë. Nuk e di pse gjermanët po heshtin për rastin e shkeljes së tij në Bajern, sepse francezët i kuptoj. Ata nuk demaskojnë një person të dekoruar si Rama. Dekriminalizimi ishte arritja më e madhe e opozitës. Do mjaftonte ky sukses i Lulzim Bashës që ai të përceptohej në publikun shqiptar si njeriu i së ardhmes dhe të shpresës. Por ky sukses i opozitës së sotme, e mobilizuar për të ardhur në pushtet më 25 prill, është sfumuar, është mbuluar me një tis harrese. Ndoshta vetë opozita duhet të zbulojë detaje për këtë.  Por ligji i dekriminalizimit duhet zbatuar pa dallim për të gjithë ata që duan të përfshihen në legjislativ dhe në administratën e lartë publike. Edi Rama ka interes imediat që ta harrojë e të mos e zbatojë këtë ligj.

– KQZ-ja a duhet të kërkojë hetim për këta kandidatë? A duhet t’i përjasjtojë nga lista e kandidatëve për deputetë, qoftë dhe për arsye morale dhe politike?

– KQZ-ja ka kërkuar hetim për mbi 20 kandidatë që kanë hyrë në listat zgjedhore të të gjitha partive politike, përfshirë partitë e mëdha e ato të vogla. Por nuk i ka përfshirë në këtë kategori emrat që kanë marrë pjesë në krimin zgjedhor të Dibrës dhe Durrësit. Nuk ka çuar kërkesë në prokurori për të sqaruar akuzat që i janë bërë Edi Ramës. Kjo është shkelje ligjore e KQZ-së. Duhet të kishte juristë të guximshëm që çwshtjet në fjalë t’i çonin për hetim penal në SPAK. Nuk mundet të bëhet shteti dhe të realizohet integrimi europian me zbatimin selektiv të ligjit. Kush beson se Shqipëria pranohet në BE me këtë situatë ndëshkueshmërie ndaj krimeve elektorale dhe krimeve të tjera, është naiv. Ne e dimë se çfarë kriteresh të shtetit të së drejtës ka Europa. Nga ana tjetër, nuk është e vërtetë se “Politika nuk ka moral”, siç dëgjojmë në opinion e madje edhe në studiot televizive e mediat e tjera. Morali politik është i shenjtë në shtetet demokratike. Atje ku politika nuk ka moral në atë vend sundojnë diktaturat, por jo shteti i së Drejtës demokratike. Morali dhe politika shprehen në demokraci në ligjet e shtetit. Sistemet demokratike nuk hartojnë e nxjerrin ligje të pamoralshme si ligjet e konsensioneve të paracaktuara, të cilat I ka renditur në radhë Edi Rama. Ligji i dekriminalizimit synon të rikthejë moralin në politikën shqiptare, moral që u nëpërkëmb me mburrje nga rilindja, kur ajo kandidoi dhe ende kandidon për deputetë e kryetarë bashkish njerëz me shumë emra e me precedentë penalë. Ligji i dekrimianlizimit është ligj që synon ta pastrojë politikën nga hajdutët e kriminelët, sepse kjo kategori e bën të pamoralshme atë. Morali në politikë është principi kryesor i saj. Wshtë normë e shkruar dhe e pashkruar. Wshtë jetik për një qeverisje demokratike. Janë principet morale ato që i çojnë politikanët dhe drejtuesit e institucioneve në vendet demokratike të dorëhiqen, kur i shkelin ato. Nuk e di p.sh nëse plagjiatura është e dënueshme në ligj p.sh në Gjermani, por është e mjaftueshme që të dalësh nga politika. Dhe kjo ka ndodhur me politikanë të majave më të larta të shtetit. Në Shqipëri askush nuk mban përgjegjësi të tilla morale. Në Shqipëri moralin politik e kanë nëpërkëmbur disa politikanë. Por kampion i nëpërkëmbjes së moralit është kryeministri i sotëm. Mashtrimet elektorale të tij janë spektakolare dhe çuditërisht vazhdon ritualin e mashtrimit edhe pas tetë vitesh në pushtet. Nesë do të duhej kërkuar përgjegjësi për amoralitet, kjo përgjegjësi i duhet kërkuar në radhë të parë Edi Ramës. Kur nuk i kërkohet atij, atëherë nuk duhet pritur se do të kërkohet moral politik te kandidatët me lidhje dhe precedente kriminale të dënueshme nga ligji për dekrimanlizimin.

-Faleminderit!

 

KQZ-ja ka çuar në prokurori për hetime 28 kandidatë për deputetë, të cilët, sipas deklarimeve të tyre, apo indicieve të KQZ-së, ata kanë probleme me ligjin e dekriminalizimit. Mirëpo, për çudi, KQZ-ja nuk ka çuar në prokurori asnjë nga kandidatët për deputetë, të cilët, me ofiqe zyrtare, si ministër, apo edhe deputet dhe kryebashkiakë, ishin protagonistët kryesorë të dosjeve 184 dhe 339, të ushtrimit të presionit dhe kërcënimeve ndaj elektoratit, bashkëpunimit me njerëz të botës së krimit për të blerë dhe manipuluar votat në zgjedhjet e 2016 dhe 2017. SPAK, pranoi që nga këta persona të akuzuar në dosjet 184 dhe 339 kishin kryer veprën penale të krimit zgjedhor, por nuk i dënoi sepse kishin kaluar afatet. Por, edhe pse SPAK-u nuk i dënoi, derisa këta deputetë, ministra, madje edhe vetë kryeministri Rama u dëgjua të bisedonte me personat e akuzuar për krimin elektoral, pra kishte dijeni për veprimet e tyre penale të krimit zgjedhor, moralisht ata janë fajtorë dhe duhet që KQZ-ja t’i ndalojë për të mos kandiduar më për deputetë.  Mosdënimi nga SPAK i deputetëve, ministrave, kryebashkiakëve që u dëshmuan në autopërgjimet e dosjeve 184 dhe 339 të vjedhjes së votës, dëshmoi se vetë drejtësie e re e reformuar është katandisur në një shtojcë të qeverisë, apo vendimet e saj janë të diktuara politikisht. KQZ-ja duhet të distancohej nga politizimi I SPAK-ut, duke hequr nga listat për kandidatë për deputetë ata që në dosjet 184 dhe 339, edhe sipas arësyetimit të SPAK-ut,  u vërtetua që kryen veprën penale të krimit zgjedhor.

“Ndonëse ata që u kapën në krim zgjedhor nuk u ndëshkua ligjërisht, kanë mbi supe peshën e krimieve të pandëshkuara.”

Pyetjet, që gazeta “Telegraf” u drejtoi Dr. Agim Nesho, Agron Duka, Prof. Dr. Kristaq Kume, Hysen Osmanaj

1. SPAK pranoi që shumë deputetë dhe zyrtarë të lartë kryen vepër penale në krimin elektoral në Durrës dhe Dibër, siç dëshmuan dosjet 184 dhe 339, por për shkak të skadimit të afateve, ata nuk u dënuan. Ata që kryen vepër penale të krimit zgjedhor, a kanë fituar amnisti ligjore, sa të kandidojnë në 25 prill si deputetë?

2. Këta, që tani kandidojnë për deputetë, a duhet të deklarojnë në formularët e dekriminalizimit,  atë krim zgjedhor?

3. Nëse nuk e deklarojnë, a e kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit?

4. KQZ- ja, a duhet të kërkojë hetim për këta kandidatë? A duhet t’i përjashtojë nga lista e kandidatëve për deputetë, qoftë edhe për arësye morale dhe politike?

Flasin për gazetën “Telegraf” :

 

“Mungesa e vullnetit politik për të dënuar ashpër protagonistët e vjedhjes së votave  lë dyshimin që edhe 25 marsi  mund të jetëë të rrezikuara”

Dr. Agim Nesho ish ambasador në SHBA: Për rastet e krimit elektoral në Dibër dhe Durrës nuk ka asnjë amnisti ligjore

-Zoti Nesho, SPAK pranoi që shumë deputetë dhe zyrtarë të lartë kryen vepër penale në krimin elektoral në Durrës dhe Dibër, siç dëshmuan dosjet 184 dhe 339, por për shkak të skadimit të afateve, ata nuk u dënuan. Ata që kryen vepër penale të krimit zgjedhor, a kanë fituar amnisti ligjore, sa të kandidojnë në 25 prill si deputetë?

-Pyetja juaj është e drejtë dhe për rastet e krimit elektoral në Dibër dhe Durrës nuk ka asnjë amnisti ligjore. Për më tepër krimi elektoral i kryer është përfshirë në kushtet që Parlamenti Gjerman dhe Bashkimi Europian i kanë vënë Shqipërisë përpara nisjes së negociatave si vend kandidat i BE-së. Ajo që vihet re në këtë rast është se mungon vullneti politik i mazhorancës për të dënuar strukturat e saj, të cilat janë të përfshira në këtë masakër elektorale. Ky vullnet mungon për arsye se lidhjet e këtyre strukturave shkojnë deri lart dhe ajo që është më e rëndësishme është se qëndrimi ndaj kësaj cështje reflekton psikologjikisht qëndrimin që ka lidershipi për shtetin ligjor, funksionimin e institucioneve demokratike dhe procesin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për mazhorancën socialiste dhe liderin e saj zotin Rama, ajo që ka rëndësi është qëllimi për të mbajtur pushtetin dhe ky qëllim justifikohet me cdo mjet, duke përfshirë këtu edhe strukturat e inkriminuara të shoqërisë. Procesi elektoral është një nga kushtet kryesore të funksionimit të shtetit demokratik por elektoralizmi nuk do të thotë domosdoshmërisht se është vlerësimi i vetëm për funksionimin e shtetit demokratik. Sot Shqipëria është një vend që gjithmonë e më shumë po rrëshqet nga rruga demokratike, me një krizë disa vjecare instititucionale dhe me një parti-shtet që ka kapur institucionet e shtetit. Pavarësisht rezultateve elektorale cështjet e funksionimit të shtetit ligjor nuk mund të fshihen vetëm me rezultatin, kur ky rezultat manipulohet. Duket që ka pasur një influencë politike ndaj Prokurorisë që dosjet e krimit electoral 186 dhe 339 të gjykohen në nivel të ulët dhe përgjegjësit e këtyre akteve të ishin zbatuesit e tyre dhe jo autorët e këtyre skenarëve. Kjo për arsyen e thjeshtë që skemat mund të përdoren në të ardhmen. Mungesa e vullnetit politik për të dënuar ashpër inskenuesit e këtyre skemave lë dyshimin që edhe këto zgjedhje mund të jenë të rrezikuara. Prandaj edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet anëtare të  BE-së gjithmonë e më shumë po shtojnë presionin për procesin zgjedhor, për mos-vjedhjen e votave dhe blerjen e tyre dhe për një proces të drejtë dhe të ndershëm.

– Këta, që tani kandidojnë për deputetë, a duhet të deklarojnë në formularët e dekriminalizimit,  atë krim zgjedhor?

-Ka individë të evidentuar në përgjimet e dala dhe të administruara në dosjet 186 dhe 339 që janë kandidatë në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Juridikisht ata prezumohen të pafasjhëm për sa kohë që nuk ka një vendim të formës së prerë nga gjykatat. Në këtë rast ata jo vetëm do të deklaronin vendimin por nuk do të ishin të pranishëm në listat elektorale sepse nuk i lejon ligji. Ajo që dukshëm vihet re në këtë rast është lidhja e tyre me vendim-marrjen kryesore të partisë dhe dëshirën e lidershipit të parties, që zgjedhjet t’i shikojë vetëm si shumatore votash dhe jo si vullnet i shprehur pastër i opinionit publik. Ky është edhe dallimi i parë, në një shoqëri demokratike, midis partive si bashkim i lirë i qytetarëve që ndajnë ide dhe interesa të njëjta dhe regjimeve pseudo-demokratike që justifikojnë pushtetin dhe përfitimeve prej tij.

– Nëse nuk e deklarojnë, a e kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit

-Pyetja juaj është e drejtë në qoftë se mendojmë që në Shqipëri është një shtet demokratik funksional, ku jo vetëm institucionet por edhe vetë opinioni publik dhe mediat nuk do të lejonin veprime dhe qëndrime të rrezikshme të konkuronin. Sot realiteti është i ndryshëm dhe regjimi i instaluar i Rilindjes kërkon të justifikojë veprimet e tij duke shfrytëzuar presionin ndaj institucioneve dhe gjetur hapësira ligjore për të mbrojtur veprimet e tij. Prandaj regjimet jo-demokratike është e rëndësishme të cmontohen me një votë plebishitare dhe pastaj të mendohet për funksionimin e institucioneve dhe shtetit ligjor.

– KQZ- ja, a duhet të kërkojë hetim për këta kandidatë? A duhet t’i përjashtojë nga lista e kandidatëve për deputetë, qoftë edhe për arësye morale dhe politike?

– KQZ është një institucion i pavarur dhe veprimtaria e tij kufizohet në zbatimin e ligjit. Nuk mendoj që ajo të gjykojë moralisht edhe për këtë cështje që opinioni publik qartësisht ka shprehur mendimin e tij. Prandaj në këtë proces midis vendim-marrjes së institucioneve dhe opinionit publik, ky i fundit duhet të përcaktojë zgjidhjet e mundshme me votën e tij. Shprehja me votë kundër fenomeneve të tilla është jo vetëm një detyrim moral por edhe një domosdoshmëri për të ardhmen demokratike të shtetit tonë.

 

“Regjimi i instaluar i Rilindjes kërkon të justifikojë veprimet e tij duke shfrytëzuar presionin ndaj institucioneve dhe gjetur hapësira ligjore për të mbrojtur veprimet e tij”

Agron Duka, kryetar i PAA: KQZ-ja duhet t’i largonte nga kadndidat për deputet ata që janë protagonist të dosjeve 184 të vjedhejs së votës

– SPAK pranoi që shumë deputetë dhe zyrtarë të lartë kryen vepër penale në krimin elektoral në Durrës dhe Dibër, siç dëshmuan dosjet 184 dhe 339, por për shkak të skadimit të afateve, ata nuk u dënuan. Ata që kryen vepër penale të krimit zgjedhor, a kanë fituar amnisti ligjore, sa të kandidojnë në 25 prill si deputetë?

– Dosjet e Dibrës dhe të Durrësit ishin një mundësi e mirë për drejtësinë e re për të fituar besimin e qytetarëve, si dhe të jepnin një shembull real për fundin e pandëshkueshmërisë për krimet zgjedhore. Fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Ndonëse ata që u kapën në krim zgjedhor nuk u ndëshkua ligjërisht, kanë mbi supe peshën e krimieve të pandëshkuara. Këtë e dinë shqiptarë dhe të huaj. Tani na takon ne si opozitë të mbrojmë votën e lirë dhe qytetarëve të reflektojnë, pasi kanë parë me sytë e tyre këto 4 vite se si një pushtet që buron nga krimi zgjedhor, nuk është një pushtet në dobi të tyre dhe familjeve të tyre.

– Këta, që tani kandidojnë për deputetë, a duhet të deklarojnë në formularët e dekriminalizimit,  atë krim zgjedhor?

-Këto janë hollësi ligjore, që kam bindjen se kanë mjeshtërinë të kapërcejnë. Kur vjen puna për të mbrojtur interesat e tyre janë mjeshtra, madje nuk u nxihet as faqja, kur gjithë Europa i ka dëgjuar zërat e tyre teksa shantazhonin mësues, blinin vota, përdornin policinë si mburojë dhe të fortët si agjentë për këtë krim të shëmtuar kundër demokracisë. Gjithsesi, edhe nëse nuk e shkruajnë në formuluar, të jeni të bindur që ne nuk i kemi harruar, qytetarët nuk i kanë harruar, i mbajmë mend fytyrat dhe metodat e tyre, prandaj në 25 prill pjesëmarrja do të jetë më e lartë. Sado që të vjedhin, ne përsëri do të fitojmë. Ata tashmë janë pakicë dhe pakica nuk e mban dot peng shumicën e shqiptarëve.

-KQZ- ja, a duhet të kërkojë hetim për këta kandidatë? A duhet t’i përjashtojë nga lista e kandidatëve për deputetë, qoftë edhe për arësye morale dhe politike?

– Interesi publik, shëndeti i jetës tonë politike, e ka të domosdoshme largimin e këtyre njerëzve nga politika. KQZ-ja do të duhej të vepronte në këtë kuptim, por mbetem dyshues që do ta bëjë këtë. Prandaj duhet të jenë qytetarët ata që do të duhet t’i japin një leksion në 25 prill, sepse ata që vodhën votat, rrezikojnë të vjedhin të ardhmen e tyre dhe fëmijëve të tyre. Shqipëria ka nevojë për ndryshim, ka nevojë për të zhbërë simbiozën e politikës me krimin, që riciklon kriza politike, të cilat pastaj kthehn në kriza ekonomike që ndihen në xhepat e çdo shqiptari.

 

“Të pohosh se dosjet 184 dhe 339  përmbajnë elemente të veprës penale të krimit zgjedhor dhe pas kësaj, të mos gjykosh personat përgjegjës që konsiderohen se kanë konsumuar këtë vepër penale, është e barazvlefshme me amnistimin e këtij krimi zgjedhor”

Prof. Dr. Kristaq Kume, ish kryetar i KQZ-së: SPAK-u, me mosdënimin e krimit zgjedhor, amnistoi vjedhjen dhe manipulimin e votës

– SPAK pranoi që shumë deputetë dhe zyrtarë të lartë kryen vepër penale në krimin elektoral në Durrës dhe Dibër, siç dëshmuan dosjet 184 dhe 339, por për shkak të skadimit të afateve, ata nuk u dënuan. Ata që kryen vepër penale të krimit zgjedhor, a kanë fituar amnisti ligjore, sa të kandidojnë në 25 prill si deputetë?

– Pas miratimit të Kushtetutës me referendum, në Nëntor 1998, reforma në sistemin e drejtësisë është ndër punët më të rëndësishme që  po behën nga shoqëria e jonë, në përpjekjet për të ndërtuar shtetin ligjor. Nevoja urgjente për një reformë të tillë është pasojë e faktit se, pushteti gjyqësor tek ne, realisht  ka vepruar si një pushtet  që nuk ka gjeneruar drejtësi, si një pushtet që shpesh ka funksionuar si mburojë dhe strehë për shkelësit e ligjit, për abuzuesit me pushtetin, për mbrojtjen më shumë se për dënimin e krimit, si një pushtet që jo rrallë ka vepruar i distancuar nga interesi i ligjshëm i shtetasve, si një pushtet që ka dënuar më të dobtin dhe ka institucionalizuar pandëshkueshmërinë për të fortët e pushtetit legjislativ ose ekzekutiv, qendror e lokal. Ndryshimi i kësaj gjendje mjeruese dhe me efekte të mëdha negative në gjithë jetën e vendit dhe të shoqërisë tonë kushtëzoi, si prioritet, ndër të parët, kryerjen e një Reformë të thellë në këtë sistem. Pritshmëritë nga kjo reformë janë të medha, por rezultatet e derisotme akoma nuk po ju afrohen këtyre pritshmërive. Mënyra se si i trajtoi SPAK dosjet 184 dhe 339, pa        hezitim mund të konsiderohet si një argument në favor të këtij pohimi.  Ndër arsyet nxitëse për ndërmarrjen dhe kryerjen e reformës në sistemin e drejtësisë ishte edhe sjellja e këtij pushteti ndaj të pushtetshmëve, e cila ngjizi në shoqërinë tonë fenomenin e pandëshkueshmërisë së tyre.  Veprimi dhe/ose mos veprimi i qëllimshëm i organeve të drejtësisë me afatet proceduariale, duke synuar dhe së fundi, duke i  përdorur ato si argumenta që pamundësojnë vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor të çështjeve, si pasojë e skadimit të afateve, ka qenë  dhe me sa duket, vazhdon të jetë, një ndër  problemet e mëdha që ka sistemi i drejtësise tek ne.  Të pohosh se dosjet 184 dhe 339  përmbajnë elemente të veprës penale të krimit zgjedhor dhe pas kësaj, të mos gjykosh personat përgjegjës që konsiderohen se kanë konsumuar këtë vepër penale, është e barazvlefshme me amnistimin e këtij krimi zgjedhor. Një sjellje e tillë e SPAK në zbatimin e detyrës, ka efekte të padëshiruara në dy dimensione njëkohësisht:  bien ndesh me pritshmëritë ndaj reformës në sistemin gjyqesor dhe ndikon negativisht në ecurinë e procesit zgjedhor që po zhvillohet dhe realizimit të standarteve në zgjedhjet e 25 prillit.  Një vendim i tillë i SPAK, në bazën e të cilit është pamundesia proceduariale për gjykim e shkaktuar nga skadimi i afateve, i “trimëron” gjithë ata që synojnë të përdorim mjetet jo ligjore në garën zgjedhore.

-Këta, që tani kandidojnë për deputetë, a duhet të deklarojnë në formularët e dekriminalizimit,  atë krim zgjedhor?

– Vendimi i SPAK për të mbyllur procesin e gjykimit pa vendim, për personat që konsiderohen se janë përgjegjës për konsumimin e veprës penale të krimit zgjedhor, si pasojë e përfundimit të afateve proceduariale, ka të njëjtin efekt me vendimin që do t`i shpallte ata të pafajshem.  Mbyllja në këtë mënyrë e procesit të gjykimit, bënë që  dosjet 184 dhe 339, pavarësisht nga pretendimet politike, të mos kenë autorë nga rradhët e personave me përgjegjësi të dalluara politike. Ato nuk arrijnë të prodhojnë asnjë efekt për këta persona. Vendimi i SPAK ka bërë që, ligjërisht e drejta e tyre për të kandiduar në zgjedhjet e 25 prillit, te mos ndikohet fare nga përmbajta e këtyre dosjeve.  Referuar kërkesave te ligji për dekriminalizimin, personat emri i të cilëve  shkruhet në dosjet 184 dhe 339,  nuk kanë asnjë detyrim ligjor të deklarojnë një fakt të tillë në fomularin e vetëdeklarimit të kandidatit për deputet. Në këtë formular kandidati është i detyruar të deklarojë në se është apo jo subjekt i këtij ligji dhe, sipas ligjit, subjekte të tij  janë ata persona të cilët janë dënuar me burgim, me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës për vepra penale, ku perfshihen edhe “vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve”. Personat që përmenden në dosjet 184 dhe 339 dhe që kandidojnë në zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në 25 prill, referuar vendimit te SPAK për pushimin e gjykimit për arsye të kalimit të afateve proceduriale, lidhur me çfarë trajtohet në këto dosje  nuk kanë asnje detyrim ose pasojë ligjore, që mund të ndikojnë në kandidimin e tyre.

– Nëse nuk e deklarojnë, a e kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit? KQZ- ja, a duhet të kërkojë hetim për këta kandidatë? A duhet t’i përjashtojë nga lista e kandidatëve për deputetë, qoftë edhe për arësye morale dhe politike?

– KQZ mund të kërkojë verifikimin e thelluar të të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit të kandidatëve për deputet.  Si rregull kërkesa për këtë verifikim duhet të përmbajë të dhëna, fakte apo rrethana specifike, të njohura botërisht. Por megjithë këtë, ligji thekson se mungesa e tyre, në çdo rast, nuk pengon fillimin e verifikimit.  Këtë të drejtë ligjore ka përdorur Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve për të mbështetur kërkesën, që ka bërë në Prokurorinë e Përgjithshme, për verifikimin e thelluar të vetëdeklarimeve të disa kandidatëve për deputet që garojnë në zgjedhjet e parlamentare të këtij viti. Në dijeninë time në asnjë rast, indicie për këtë kërkesë nuk kanë qenë dosjet 184 dhe 339. Vendimi i marrë nga SPAK ka bërë që, mundësia që kishte gjykimi i këtyre dosjeve për të krijuar një frymë, mjedis  dhe sjellje të ndryshme nga të mëparshmet, ndaj shkelësve të ligjit zgjedhor, të zerohet. Ky vendim e pamundëson çdo institucion, përfshirë edhe KQZ, të veprojë më tej, ndërkohë që duhet të kishte ndodhur e kundërta.  E përfshirë në një proces të rëndësishëm zgjedhor, shoqëria e jonë ka nevojë sot, më shumë se në çdo kohë tjetër, për  kontributin e të gjithëve, për parandalimin e shkeljeve të ligjit zgjedhor. Dhe kontributi më i mirë për këtë parandalim është zbatimi dhe veprimi efektiv i ligjit, dënimi i shkelësve të tij dhe jo fshehja e mosdënimi i  krimit, duke keqpërdorur përshembull afatet proçeduriale.  Mos gjykimi deri në fund i dosjeve 184 dhe 339 por shmangia e tij me arsye proceduriale  është një mesazh demotivues për reformën në sistemin e drejtësisë dhe motivues për të gjithe ata që synojnë  të përdorin mjete dhe të ndjekin rrugë jo ligjor në garën zgjedhore.

 

“Mos gjykimi deri në fund i dosjeve 184 dhe 339 por shmangia e tij me arsye proceduriale  është një mesazh demotivues për reformën në sistemin e drejtësisë dhe motivues për të gjithe ata që synojnë  të përdorin mjete dhe të ndjekin rrugë jo ligjor në garën zgjedhore”

Hysen Osmanaj, ish anëtar i KQZ-së: KQZ duhet të kërkonte hetim të thelluar për kandidatët deputetë e ministra të dosjeve 184 dhe 339

 SPAK pranoi që shumë deputetë dhe zyrtarë të lartë kryen vepër penale në krimin elektoral në Durrës dhe Dibër, siç dëshmuan dosjet 184 dhe 339, por për shkak të skadimit të afateve, ata nuk u dënuan. Ata që kryen vepër penale të krimit zgjedhor, a kanë fituar amnisti ligjore, sa të kandidojnë në 25 prill si deputetë?

-Të gjithë  zyrtarët e lartë  shtetëror dhe politik  që kanë kryer vepra penale të krimit zgjedhor lidhur me dosjet  184 dhe 339 në Durrës dhe Dibër nuk janë amistuar, pasi  siç  dini edhe SPAK e pranoi që ata kane kryer vepër penale të krimit zgjedhor, por nuk u dënuan se gjoja kanë kaluar afatet kohore dhe si rezultat  nuk u dënuan. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë ka sanksione të rënda për vepra të tilla dhe në varësi  të këtyre veprave  ligji i ”dekriminalizimit” i penalizon, duke ju ndaluar kandidimin për deputet dhe zgjedhjen apo emërimin në struktura të larta shtetërore. Veprat penale të krimit zgjedhor të këtyre dosjeve janë krime zgjedhore të njohura dhe të zbuluara nga SPAK, të vëzhguara dhe të konstatuara nga  vëzhgues vendas e ndërkombtarë të zgjedhjeve dhe të bëra publike në raportet përfundimtare të zgjedhjeve, siç është  ai i OSBE/ODIR-it. Këta zyrtar nuk mund të kandidojnë jo vetëm për deputetë, por as për anëtar të komisioneve zgjedhore të niveleve të dyta apo të treta.

– Këta, që tani kandidojnë për deputetë, a duhet të deklarojnë në formularët e dekriminalizimit,  atë krim zgjedhor?

-Në formularin e dekriminalizimit duhet ta deklarojnë patjetër, për ndryshe ata shkelin ligjin e dekriminalizimit dhe duhet të kallzohen për ndjekje penale, por nuk di të them se deri ku ka shkuar hetimi dhe ndalimi për ta. Sido që të jenë rrethanat për këta zyrtarë të lartë të përfshirë në dosjet 339 dhe 184,  ata duhet të deklarojnë në formularët e dekriminalizimit pasi kanë qenë subjekt i SPAK.

– Nëse nuk e deklarojnë, a e kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit?

– Mendoj se e kanë shkelur ligjin, por i mbron “Maliqi” subjekti politik që i kandidon dhe kryetari i saj, sot në detyrën e Kryeministrit, veprat penale zgjedhore, të kryera si duket me bekimin e plotë të tij. Mos dënimi i këtyre veprave penale të krimit zgjedhor tregon edhe një here se si është bërë reforma në drejtësi dhe efektiviteti i saj, sa ka nderhyrë politika në këtë reformë dhe se politika është shumë herë më keq se drejtësia në këtë vende.

– KQZ- ja, a duhet të kërkojë hetim për këta kandidatë? A duhet t’i përjashtojë nga lista e kandidatëve për deputetë, qoftë edhe për arësye morale dhe politike?

-KQZ-ja kërkon hetim të thelluar nisur nga deklarimet në formularin e dekriminalizimit, nga informacionet e Drejtorisë se Pergjithshme te Burgjeve, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Sa i përket rastit konkret, KQZ duhet të kërkonte hetim të thelluar, pasi këto janë fakte të njohura tanimë botërisht dhe pa tjetër duhet të kërkonte hetim të thelluar. KQZ-ja i perjashton apo heq nga listat vetëm per arsye ligjore, në zbatim të ligjit zgjedhor,  për arsye morale dhe politike i përjashton  nga lista vetëm forcat politike të cilat i kandidojnë, por kjo tregon se sa moral ka politika në vendin tonë dhe se sa zgjedhje të lira dhe demokratike synojmë ne të bëjmë.