Dekriminalizimi, Bylykbashi: Test droge për zyrtarët e lartë

426
Partia Demokratike ka prezantuar platformën e saj për dekriminalizimin e Parlamentit. Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi duke prezantuar pikat kryesore të kësaj platforme ka theksuar se nuk duhet të lejohet prania e personave me të shkuar kriminale në Kuvend. Pika më e fortë e kësaj platforme, ku e ka vënë theksin Bylykbashi, është ajo e ndalimit të kandidimit për deputetë apo për poste publike për personat në gjykim në vendet e BE. 
“Gjithashtu, PD propozon edhe testin e drogës për zyrtarët e lartë”, ka deklaruar Bylykbashi, i cili ka lënë të kuptohet se mbështet propozimin e qeverisë për modelin italian.  “Ligji italian, i njohur si “Ligji Severino”, do të jetë boshti i këtij procesi. Çdo zvarritje, si ato që ka bërë deri më sot qeveria, do të thotë hapje e dyerve për kriminelët”, ka thënë Bylykbashi.
PD propozon që ndalimet kushtetuese apo ligjore të përfshijnë persona që kanë llogari të hapur me drejtësinë e vendeve të tjera. Do ndalohen të kandidojnë apo të mbajnë funksione publike të gjithë personat që janë në proces hetimi apo gjykimi në vendet e BE-së apo në shtetet e tjera në lidhje me kryerjen e krimeve të rënda. 
Paketa e dispozitave garanton që personat me rekorde kriminale që përdorin identitetit të dyfishtë të mos futen në parlament apo në organet e tjera të pushtetit për këtë do verifikohen shenjat e gishtërinjve.
Sigal