Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për SPAK dhe prokurorët e saj, teksa ky institucion po heton kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj ka ardhur edhe reagimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Në qëndrimin zyrtar, ky institucion thotë se të gjithë aktorët duhet të respektojnë pavarësinë dhe integritetin profesional të prokurorëve, duke siguruar që ata të ushtrojnë funksionet e tyre pa ndikime të jashtme në funksion të dhënies së drejtësisë.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë rithekson edhe njëherë mbështetjen ndaj institucionit të prokurorisë për ushtruar funksionet e tij në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe në përputhje me ligjin.
‘Ruajtja e këtyre parimeve është thelbësore për funksionimin e drejtësisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës’, thuhet në reagimin zyrtar të KLP.
DEKLARATE PER MEDIA E KESHILLIT TE LARTE TE PROKURORISE
Në vijim të qëndrimeve të mëparshme për garantimin e pavarësisë së prokurorëve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë rithekson mbështetjen ndaj institucionit të prokurorisë për ushtruar funksionet e tij në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe në përputhje me ligjin. Ruajtja e këtyre parimeve është thelbësore për funksionimin e drejtësisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Këshilli kërkon nga të gjithë aktorët që të respektojnë pavarësinë dhe integritetin profesional të prokurorëve, duke siguruar që ata të ushtrojnë funksionet e tyre pa ndikime të jashtme në funksion të dhënies së drejtësisë. Pavarësia e prokurorisë është një gur themeli për besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe për garantimin e një sistemi ligjor të drejtë e transparent.





















