E ftuar në emisionin ‘Ilva Noë’ kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka folur mbi deklaratën e ambasadës së Bashkimit Europian në Tiranë në lidhje me votimin në Parlament të Kodit Zgjedhor. Kryemadhi tha se në të gjitha deklaratat e ndërkombëtarëve vërehet zhgënjimi i tyre ndaj Edi Ramës. Sipas kryetares së LSI, sot Edi Rama dhe qeveria kanë opozitë jo vetëm PD dhe LSI por dhe administratën publike.
‘Unë lexoj zhgënjimin e radhës së institucioneve ndërkombëtare që deri më sot e mbajtën me oksigjen Edi Ramën. Sot kemi një histori që ka marrë fund tashmë. Për mua është detyra e LSI dhe e gjithë opozitës, është që t’u drejtohen shqiptarëve për angazhimet që do të marrin pas 25 prillit. Beteja e 25 prillit ka marrë fund.
Nga ju buron kjo bindje?
Ilva mjafton të shikosh reagimet fëminore, por edhe në panik jo vetëm të Edi Ramës, por edhe të gjithë shpurës së tij, kupton që situata dhe lëvizjet e asaj që shikojmë edhe ne në terren, kupton që rrënimi i pushtetit të Edi Ramës është i jashtëzakonshëm. Sot Edi Rama nuk ka opozitë vetëm LSI, PD, sot ka opozitë edhe administratën e vet publike. Në votimet e 30 qershorit, 30% e administratës publike i votoi kundër. Sot Edi Rama ka opozitë PS, socialistët e vet’.






















