Debate në Komisionin e Jashtëm, Arta Dade: Drejtësi për ‘21 janarin’

280

Nëpërmjet ndryshimit të marrëveshjes së firmosur në vitin 2015 mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, qeveria amerikane ka vendosur të akordojë 3 milionë dollarë shtesë për kontrollin e zbatimit të Reformës në Drejtësi dhe të vetingut. Të pranishëm në Komisionin e Jashtëm, zëvendësministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë shpjeguan se ku do shpërndahet kjo shtesë. Lajmin e bëri dje të ditur zëvendësministrja e Brendshme, Elona Gjebrea e cila raportoi para anëtarëve të Komisionit të Jashtëm Parlamentar.

“Duhet rritje e aftësisë së prokurorëve dhe hetuesve për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe format e tjera të aktiviteteve kriminale, zhvillimin e një sistemi të drejtësisë penale përmes përmirësimit të legjislacionit duke asistuar gjyqësorin për të gjykuar rastet brenda termave kohorë, në mënyrë efiçente, të paanshme dhe etike. Duke rritur aksesin e shoqërisë civile kundrejt drejtësisë, duke monitoruar zbatimin e reformave në drejtësi, si dhe duke mbikëqyrur verifikimin e Gjyqësorit në koordinim me Komisionin Europian”, tha Elona Gjebrea.

Sipas deputetit socialist, Arben Isaraj, kjo nuk bën asgjë tjetër veçse ndihmon në atë pjesë ku ne jemi të gjithë të shqetësuar, reformën në drejtësi dhe sidomos reformën në drejtësinë penale, për të cilën ne vazhdimisht jemi të shqetësuar. Edhe opozita në komision e mbështeti këtë marrëveshje, por duke përfituar nga prezenca e zëvendëses së Saimir Tahirit në komision, deputeti Aldo Bumçi kërkoi shpjegime nga dy zëvendësministrat lidhur me mosarrestimin e Klement Balilit, duke përsëritur edhe njëherë akuzat e opozitës se ai ka mbrojtje nga qeveria.

“Rezulton që urdhri ndërkombëtar i ndalimit ka qenë në fuqi që nga 17 maji 2016. Pra, që nga 17 maji Policia e Shtetit duhet të kishte vepruar në bazë të këtij urdhri, por nuk e ka bërë. Pse nuk ndalohet ky person?”, deklaroi z.Bumçi. Nga ana e saj, zj.Gjebrea u përgjigj se ministri Tahiri është shprehur për këtë çështje dhe policia po punon për kapjen e tij. Ndërkohë, zëvendësministri i Drejtësisë, Arben Isaraj theksoi se ligji në Shqipëri e përcakton qartë se kush të arreston dhe këtë nuk e bën qeveria.

“Ministri i Brendshëm ka qenë shumë i qartë në deklaratat e tij në lidhje me arrestimin e Klement Balilit, ashtu si dhe Policia e Shtetit është e vendosur për të kryer detyrën dhe respektuar të gjitha veprimet procedurale”, theksoi z.Elona Gjebrea. Më pas ndërhyri Arben Isaraj: “Nuk e kuptoj pse i kërkohet qeverisë arrestimi, në një kohë kur Kushtetuta e përcakton qartë”. Më tej diskutimi kaloi tek vetingu, ku debati mes deputetit Bumçi dhe kryetares së komisionit, Arta Dade, u ashpërsua.

“Prokurorë të korruptuar që kanë menduar se duke i shërbyer kryeministrit duke liruar Frrokun, Rroshin do shpëtonin nga veting”, u shpreh z.Bumçi. Por socialistja Arta dade u përgjigj: “Ç’kryeministër, po ke pasur kryeministrin tënd 8 vjet që u bë nami këtu. Drejtësia duhet të japë drejtësi për Gërdecin, ‘21 janarin’. Reforma në drejtësi është e shtrirë ndër vite”. Komisioni në fund zhvilloi edhe një seancë dëgjimore me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme për situatën në Maqedoni, por pa praninë e mediave