Dako në Lagjen 17: 342 banesa sociale për njerëzit në nevojë, premtim i mbajtur

445
– Premtime të mbajtura, 342 banesa sociale për banorët e zonës në nevojë.
– Mirëqënie nëpërmjet nxitjes së zhvillimit ekonomik
– Kthimi i Durrësit në qytet turistik europian
Këto deklarata, Dako i ka bërë gjatë një takimi të zhvilluar me banorët e strehuar në banesat sociale të lagjes 17. Aktualisht janë shpërndarë 126 apartamente, 128 të tjera janë në proces dhe 88 banesa sociale të tjera do të ndërtohen në zonën e Shkozetit. Në këtë mënyrë janë 342 banesa sociale për ketegoritë e njerëzve në nevojë që përfitojnë nëpërmjet këtij programi strehimi.
“Përkrahje e vazhdueshme për njerëzit në nevojë të qytetit, mirëqënie nëpërmjet nxitjes së zhvillimit ekonomik dhe kthimi i Durrësit në qytet turistik europian”, kanë qenë angazhimet e Kreut të Bashkisë së Durrësit gjatë takimit me banorët e lagjes 17 të qytetit.
Kjo lagje ka tashmë një infrastrukturë të rehabilituar, u shpreh kryebashkiaku Dako, duke theksuar gjithçka u mundësua falë përkushtimit dhe vëmendjes që Bashkia i ka kushtuar kësaj zone, nëpërmjet rikonstruksionit të lulishtes kryesore dhe rrugëve dytësore të kësaj zone.
“Këto investime kanë ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e jetesës së banorëve të kësaj lagjeje,” tha më tej kryebashkiaku i qytetit bregdetar, i cili u zotua para banorëve se “në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar do të rikonstruktohet rruga që lidh lagjen 17-të me autostradën.” 
Sfida kryesore për katër vitet e ardhshme, vuri më tej në dukje Dako, është puna dhe përpjekjet për nxitjen e “zhvillimit ekonomik dhe përmirësimin e nivelit të jetësës për banorët e kësaj zone, me qëllim kthimin e Durrësit në qendër kryesore turistike më parametra europianë.”
Sigal