Dako me banorët e Arapajt: Shërbejmë njësoj, për të djathtët dhe për të majtët

433
Kandidati i Aleancës për Shqipërine Europiane për bashkinë e Durrësit, z. Vangjush Dako, është takuar këtë herë me banorët e fshatit Arapaj, të komunës Rrashbull. Gjatë bashkëbisedimit me banorët e Arapajt, Dako ka vënë theksin tek filozofinë e punës së tij që nuk i diferencon qytetarët në të majtë e të djathtë, por i konsideron çdo qytetar të barabartë që meriton të gjitha shërbimet e bashkisë, ndryshe nga ajo që ka ndodhur deri më sot nga drejtuesit djathtë të komunës Rrashbull, të cilët kanë kryer shërbime vetëm për zonat që votonin të djathtën. Kandidati socialit ka shpjeguar gjithashtu për bashkëbiseduesit edhe projektet që do të realizojë në fshatin e Arapajt, sikurse janë ndërtimi i rrugëve e shkollave, dhe mbi të gjitha, zgjidhja njëherë e mirë e problemit të furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e kësaj zone.
“Prej 20 vjetësh ju jeni drejtuar nga të djathtë dhe jeni dëshmitarë të një situate, të një infrastrukture shumë të rënduar”, ka thënë midis të tjerash Dako në takim, duke shtuar se “një nga dallimet që është bërë në këtë komunë ka qenë se kush është i majtë të mos i jepen shërbime, dhe kush është i djathtë t’i përfitojë ato”. “Unë mendoj se kjo kohë ka përfunduar, unë mendoj, se kjo kohë i përket së shkuarës sepse për ne, qytetarët janë të gjithë të barabartë, si të majtë, ashtu dhe të djathtë, si nga veriu dhe nga jugu, si të rinj e të vjetër, si gra dhe burra. Dhe për këtë arsye, ata duhet të marrin të gjitha shërbimet e bashkisë,” – tha Dako.
Ndërsa lidhur me projektet që do të realizohen në këtë zonë ai u zotua para banorëve të Arapajt se “fshati juaj do të jetë përfitues i madh në projektin e ndërtimit të 12 shkollave të reja në territorin e bashkisë së Durrësit. Dhe besoj, se ky komunitet e meriton të ketë një shkollë të re, një shkollë të një cilësie të lartë, e cila do t’i shërbejë të gjithë nxënësve të kësaj zone dhe do të rrisë cilësinë e mësimdhënies”, tha kryebashkiaku i qytetit bregdetar.
“Do të doja gjithashtu t’ju flisja edhe për një projekt shumë të rëndësishëm,” – vazhdoi fjalën e tij z. Dako, duke shpjeguar për të pranishmit projektin e furnizimit me ujë të bashkisë së Durrësit. “Ka nisur investimi i Bankës Botërore për furnizimin me ujë nga Fushë Kuqja deri në depot e Durrësit. Ky investim do të rrisë 3 herë kapacitetin e furnizimit me ujë krahasuar me sot,” – tha Dako për projektin, zbatimi i të cilit do të zgjidhë njëherë e mirë çështjen e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e këtij fshati.
Sigal