Sigal

Petraq BARJAMI

Kreshnik Çollaku, Kryetari i Departamentit të Politikës së Jashtëme të PD në intervistën për gazetën “Telegraf” nuk e përjashton mundësinë, që disa negociatorë shqiptarë të marrëveshjes me Greqinë të jenë “shpërblyer” nga fondet  e diplomacisë greke, ndërsa heshtjen e ministrit Bushati e cilëson provë që përmbajtja e marrëveshjes është në dëm të shqiptarëve. Zoti Çollaku shton se votat e Shqipërisë në OKB për Rezolutat për Palestinën janë vota antiTrump, të nxitura edhe nga Soros.

Zoti Çollaku, a mendoni se ka vërtetësi në publikimet, se Diplomacia greke ka “shpërblyer” negociatorë shqiptarë të Marrëveshjes që përgatitet për të marrë ato rezultate të cilat i dëshiron Greqia?

-Nuk ka asnjë pikë dyshimi se në ministrinë e Jashtme greke ekziston një fond sekret për pagesa e veprimtari sekrete në Shqipëri (aludohet; media dhe politikanë). Nëse janë paguar apo jo negociatorët e Detit, kjo është diçka qe duhet hetuar dhe provuar, por duhet t’u kujtoj se ka pasur akuza publike se një ose dy anëtarë të grupit negociator janë individë të rekrutuar nga shërbime të huaja madje në disa raste dhe të ndjekur nga shërbimet tona të inteligjencës. Po të lidhësh këto akuza dhe provës së fundit të pagesave sekrete duket qartë se vend për dyshime në këtë histori ka pak ose aspak. Qartësisht pjesa më e madhe e grupit negociator, por edhe nivelet e larta të ministrisë së Jashtme shqiptare kanë punuar në shërbim të interesave të një shteti tjetër. Ky do të mbetet një nder skandalet më të mëdha e të rënda në historinë e shtetit shqiptar.

– Ju si e shpjegoni Heshtjen e Qeverisë shqiptare për fondet e diplomacisë greke por edhe për  marrëveshjen që përgatit me Greqinë? 

-Çudia më e madhe por edhe prova më e madhe është pikërisht heshtja e qeverisë shqiptare dhe ministrit të Jashtëm, Bushati për një skandal ndërkombëtar që implikon direkt atë. Në raste të tilla minimumi i sjelljes së ministrit të Jashtëm duhet të ishte thirrja për sqarime të ambasadorit të vendit, me të cilin lindi kjo problematikë. Edhe heshtja për përmbajtjen e marrëveshjes është provë logjike se marrëveshja është në dëm të interesave shqiptare. Rastin e kundërt e bën sjellja e qeverisë greke, e cila jo vetëm flet për marrëveshjen, por e quan atë një arritje te madhe për Greqinë, e cila në bazë të saj fiton hapësira të gjera territoriale dhe detare si dhe pasuri gazi nënujore me vlerë disa bilionë barilash gaz. Pala që hesht është ajo që ka humbur ose me ndërgjegje ka firmosur diçka në dëm të vendit të vet. Kjo është sjellja e qeverisë shqiptare. Heshtja e tyre është provë se dëmi që kanë shkaktuar interesave kombëtare dhe shtetërore me këtë marrëveshje është i ndërgjegjshëm. Heshtja është frikë.

– Qeveria e Maqedonisë për emrin e Shtetit të vet bëri Referendum. A duhet që qeveria jonë të bëjë Referendum Nëse në marrëveshje me Greqinë pranon dhënien e Detit?

-Po është e vërtetë. Opsioni i referendumit është krejt logjik për një vendimmarrje të tillë. Për më tepër duket rastësi, por sot unë dyshoj edhe në këtë rastësi se përgjatë marrjes së këtij vendimi për kontribut dhe ndikim të qartë të qeverisë shqiptare, vendi është pa gjykatë kushtetuese dhe ka thuajse të paralizuar pjesën më të madhe të sistemit të drejtësisë. Në një moment kolapsi të tillë të sistemit të garancive kushtetuese qeveria shqiptare tenton të kalojë një ligj në shkelje flagrante të sovranitetit të vendit dhe Kushtetutës së tij. Qartësisht, nëse kjo aventure shtyhet më tej rezistenca popullore e njerëzve është garancia e vetme, qoftë në formë referendumi, qoftë në formë revolte në rrugë.

– Kryeministri Rama në një intervistë të ditëve të fundit pohoi: “Shko tek Trumpi e vër baste…” Çfarë donte të thoshte me këtë Kryeministri Rama?

-Në fakt në këto kohë të trazuara e plot strese për kryeministrin nuk i duhet marrë parasysh çdo gjë që thotë. Unë do t’ju ftoja t’ia injoroni batuta të tilla të shpëlara e tone halabakësh. Nuk ka nevojë për analizë për të kuptuar problematikën e tij personale, por edhe institucionale me administratën Trump.

– Zoti Çollaku, nga Serbia publikohen fakte që Kryeministri Rama para dy vitesh është takuar me Vuçiç e kanë rënë në dakordësi për “Korrigjimin e kufijve”. Besoni se Rama e Thaçi e kanë diskutuar në prapaskenë këtë skenar? Dhe në interes të kujt?

-Një ndër personalitetet e njohura të jetës politike dhe publike në Serbi, Sonja Biserko ka pohuar këtë fakt. Në të vërtetë nuk është rasti e zëri i vetëm që pohon një bashkërakordim midis Ramës e Vuçiç në projektin e ndarjes së Kosovës. . Në disa raste ne kemi akuzuar Ramën se po saboton pozicionin e Kosovës në dialogun Prishtinë – Beograd. Sot mund të lexohen qartë se ajo ka qenë një strategji e mirëmenduar e Ramës, për të sabotuar zhvleftësuar rolin e Prishtinës në dialogun me Serbinë, duke devijuar qëllimshëm në tezën serbe, se nuk ka nevojë për marrëveshje Serbi-Kosovë (pasi kjo detyron njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës si i tillë e i pacenuar), e duke preferuar një marrëveshje me Tiranën për Paqen midis serbëve dhe shqiptarëve. Kjo e dyta është skema të cilës Rama i ka shërbyer në tërë këto vite.  Qartësisht ndarja e Kosovës është në interes apo interesi i vetëm i Serbisë. Se çfarë është interesi i Ramës në kontributin e zellshëm në këtë projekt mbetet ende e vështirë apo e rëndë të pranohet megjithëse modelin e kemi pasur në historinë tonë të shkuar.

– Rastësisht po ndodh që Shqipëria disa herë voton në OKB disa Rezoluta në favor të Palestinës dhe kundër votës së SHBA? 

– Është një kundërvënie e hapur me atë që është sentimenti popullor në vend në raport me SHBA. Është një votë anti-Trump. Çfarë ka ndodhur unë e mendoj se është paraqitja e politikanëve tanë si çirakë të nivelit të tretë, duke iu bashkëngjitur fushatës globale anti-ShBA e anti-Trump, të reflektuar edhe në OKB e të mbështetur ndër të tjerë dhe nga një nder armiqtë më të mëdhenj të Trump dhe një ndër miqtë më të mëdhenj të Ramës, George Soros. Në bindjen time vota kundër Trump në OkB është shërbim prej çiraku, asgjë më shumë.

Është paraqitja e politikanëve tanë si çirakë të nivelit të tretë, duke iu bashkëngjitur fushatës globale anti-ShBA e anti-Trump, të reflektuar edhe në OKB e të mbështetur ndër të tjerë dhe nga një nder armiqtë më të mëdhenj të Trump dhe një ndër miqtë më të mëdhenj të Ramës, George Soros