Celibashi i jep tenderin 430 milionë lekë vëllait të ministrit Ferit Hoxha

SPAK nuk është edhe aq i frikshëm, sidomos për oligarkinë që lidhet me Kryeministrin Rama. Ky raport krijon pasuri dhe pushtet, por edhe siguri. E si mos të ndihet i garantuar Gëzimi, vëllai i ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha?! Ambasadori bëhet ministër i fuqishëm. Vëllai mbush arkën me tenderat!Gëzim Hoxha po hetohet nga SPAK, për njërën nga kompanitë që rezulton e lidhur me grupin kriminal të AKSHI-t. Nga ana tjetër, Hoxha vazhdon tw korr tendera me një tjetër firmë.Në këtë rrjedhë korrupsioni orientohet edhe Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi. Komisioni i ngritur prej tij favorizon haptazi vëllain e ministrit Hoxha të marrë paratë e mirëmbajtjes së rrjetit të KQZ. Manipulimi i vlerësimit të ofertave është kaq i trashë, sa edhe Komisioni i Prokurimit Publik detyrohet ta bllokojë tenderin. Jemi duke raportuar prokurimin e KQZ me objekt “Mirëmbajtja e moduleve ekzistuese të KQZ-së” me fond limit 430 milionë lekë pa TVSH. Tenderi është regjistruar zyrtarisht në qershor 2025, por procedurat janë stërzgjatur. Shkak janë bërë denoncimet e pjesëmarrësve që kanë refuzuar ta pranojnë rezultatin me fitues të paracaktuar. Ja çfarë ka ndodhur: Nën trysninë e porosisë, shpallet fituese oferta më e shtrenjtë. Kështu, operatori ekonomik “INSTANT.AL” Sh.p.k ka ofertë me vlerë 33,7 milionë lekë të reja (pa TVSH). Në këtë nivel është edhe kompania “EVOLVE WEB STUDIO” Sh.p.k, me vlerën 33 milionë lekë. Ndërsa “INTELISOFT” sh.p.k që udhëheq një bashkim operatorësh propozoi ta bëjë mirëmbajtjen me 40.8 milionë lekë pa TVSH. Një fakt tjetër që tregon fiktivitetin e tenderit është pjesëmarrja e një operatori me ofertë zero lekë. Megjithëse oferta e Gëzim Hoxhës është mbi 70 milionë lekë më e lartë, Ilirjan Celiabashi e ka mbyllur pazarin në favor të vëllait të ministrit. Denoncimi i parë për tenderin është bërë nga  “INSTANT.AL” sh.p.k. Denoncimi i dytë është bërë më 28 tetor 2025 nga kompania “Evolve Web Studio” SHPK, e cila kërkon “Shfuqizimin i vendimit tё Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për skualifikimin”. “Evolve Web Studio”  kërkon shfuqizimin e vendimit tё Komisionit të Vlerësimit të Ofertave lidhur me vlerësimin me pikë të propozimeve teknike dhe ekonomike të paraqitura nga ky operator. “Kërkojmë që KPP të realizojë korrigjimin e tabelës përfundimtare të vlerësimit dhe pikëzimit. Për pasojë, ndryshimin e klasifikimit përfundimtar të operatorëve ekonomikë, në përputhje me ofertën ekonomikisht më të favorshme bazuar në kosto”, theksohet në denoncimin e kompanisë. Ajo që ka ndodhur në komisionin e Celibashit është praktikë e rëndomtë manipulimi, por këtë radhë ka dalë në dritë nga denoncimi. Më 10 shkurt 2026, KPP pasi pranoi ankesën e kompanisë urdhëroi KQZ të bëjë rivlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve. Më datën 6 mars 2026, KQZ mashtron KPP me një shkresë ku e “informon” se tashmë e kishte kryer rivlerësimin e ofertave. Nga verifikimi në sistemin e prokurimeve elektronike KPP konstatoi se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i KQZ përbëhej nga 3 anëtarë. Konkretisht  znj. Daniela Alimemeti, z. Redion Lila dhe znj. Fatjona Sulaj, të cilët kanë rivlerësuar me pikë të tri kompanitë. Ndërkohë konstatohet se ofertat janë “rivlerësuar” edhe nga një person tjetër pranë KQZ me username “Jonaq Josifi” (e cila nuk është anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave). Ajo ka rivlerësuar më 0 (zero) pikë çmimin e ofertave dhe propozimet teknike të “INSTANT.AL” SHPK dhe firmës “Evolve Web Studio” SHPK. Ndërsa oferta e “INTELISOFT SHPK & WOW Digital SHPK” është rivlerësuar me pikët maksimale për 5 kriteret e përzgjedhjes. Kjo nuk është hera e parë që Celibashi mbush me lekë arkën e vëllait të ministrit. Më 22 prill 2025, Celibashi e ka ftuar Gëzim Hoxhën, pronarin e kompanisë “Intelisoft” shpk, në një tender sekret. Kjo quhet ndryshe “me procedurë me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”. Bëhet fjalë për tenderin “Shërbimi i sistemit të regjistrimit (regjistri elektronik) dhe shpërndarja e votave sipas kutive VJ përkatëse pas mbërritjes në Tiranë deri në momentin e fillimit të numërimit”. Tenderi ka nisur me fondin limit: 22,997,000 lekë pa TVSH. Vlera totale përfundimtare e kontratës është fiksuar me shifrën 252 milionë lekë me TVSH. Celibashi nuk kishte asnjë nevojë ekstreme, sepse ka pasur kohën e nevojshme, që ia jep Kushtetuta, dekreti i Presidentit për datën e zgjedhjeve dhe ligji i Kuvendit  për buxhetin e vitit 2025. Në dosje citohet se, Mirlinda Karçanaj, drejtoresha e AKSHI-t, e cila po hetohet me masën e sigurisë arrest shtëpie, ka vendosur kritere të paligjshme te procedurat e prokurimit që favorizonin dhe u krijonin privilegje të padrejta për disa operatorë ekonomikë, ndër të cilët edhe “First”. “Gëzim Hoxha ka rol aktiv në pjesëmarrjen dhe përfitimin e paligjshëm të procedurave të prokurimit, të cilat diktohen nga shtetasit e sipërpërmendur. Ai ka kredituar shuma të konsiderueshme te shoqëria ‘EA Solution’” thuhet në dosje. Në dosjen e AKSHI-t detajohet edhe dëshmia e vetë biznesmenit Gëzim Hoxha, i cili ka deklaruar se firmën e ka prej vitit 2008, ndërkohë që është fokusuar te siguria kibernetike. Në dëshmi ai ka pranuar indirekt se ka paguar një shumë prej rreth 600 mijë eurosh si ryshfet. Ndërkohë ka bërë edhe fatura të tjera me dy biznesmenët kryesorë, të shpallur në kërkim. Dëshmia e tij kryesore ka qenë për një super tender sekret, i cili nuk dihet ende sot e kësaj dite se çfarë është bërë. Ndërkohë, një tjetër lidhje e Gëzim Hoxhës me Ermal Beqirin dhe të tjerë oligarkë del te afera DURANA, me kompani guaskë dhe fiktive, duke i regjistruar në Xhafzotaj.

Sigal