Promovimi, ditën e shtunë, 28 mars 2026, ora 10:00, në Auditoriumin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Garnizoni “Skënderbej”, Tiranë.
Gjeneral Bardhyl Nuredinaj, Komandant i Akademisë së Mbrojtjes “Skënderbej”

Titulli i librit “Skënderbegasit ndër vite…” është një përmbledhje jetësore dhe historike e edukimit, formimit, shërbimit dhe sakrificës së mijëra djemve të rinj, që e lidhën jetën e tyre me uniformën ushtarake. Ky libër i radhës në kolanën e autorëve, sjell natyrshëm përpara nesh pjesëza jete dhe fragmente të spikatura të një plejade të “Skënderbegasve”. Autorët,
ish nxënës të kësaj shkolle, e më pas ushtarakë të nderuar, që shërbyen për shumë vite në radhët e uniformave të blerta, kanë sjellë përpara lexuesve çaste jete, personazhe, ngjarje dhe kujtime të veçanta të bashkëkohësve të tyre skënderbegas. Këto pasazhe jetësore vijnë përpara lexuesve me një stil të thjeshtë narrativ, me sinqeritet dhe realizëm, duke na kthyer për një çast pas në ato vite të largëta të rinisë së tyre të hershme.
Të shkruash për shkollën “Skënderbej” është nder dhe privilegj, për vetë natyrën, karakteristikat, veçoritë dhe vitalitetin e kësaj shkolle elitare, atributet e së cilës i tejkalon kufijtë e një institucioni arsimor ushtarak dhe ndërthuren natyrshëm me historinë e Forcave
të Armatosura dhe të vetë Shtetit Shqiptar. Skënderbegasit u rritën dhe hodhën shtat të veshur me uniformën e gjelbër, larg familjeve të tyre, por pjesëtarë të një familje të madhe, të shkollës “Skënderbej”. Ata ishin shumë të rinj, fëminorë në vite dhe ëndrra, por që shumë shpejt do të bëheshin burrërorë dhe të përgjegjshëm për privilegjin e madh që do t’u ofronte jeta në shërbim të Atdheut. Skënderbegasit do të mbahen mend e do të kujtohen si plejada e ushtarakëve që sakrifikuan rininë e tyre, duke mbajtur mbi supe përgjegjësinë e sakrificës dhe të vetëmohimit në ditë të vështira dhe në kohë transformimesh të mëdha. Skënderbegasit përfaqësojnë vazhdimësinë e një tradite, që ndërthur dijen profesionale me edukimin moral, disiplinën me ndjenjën e detyrës, jetës me vetëmohimin.

Historia e kësaj shkolle, prej fillesave të saj, është e lidhur ngushtë me historinë e ngritjes, konsolidimit dhe zhvillimit të Ushtrisë Shqiptare, si dhe me evolucionin e shtetit shqiptar në tërësi. Breza të tërë skënderbegas kanë shërbyer jo vetëm në strukturat e Forcave të Armatosura, por edhe në shumë fusha e drejtime të ndryshme të jetës shtetërore dhe shoqërore në Shqipëri. Ata kanë kontribuar në drejtimin ushtarak, në arsimimin dhe formimin e brezave të rinj, në administratën publike, në diplomaci, në strukturat e sigurisë dhe në procese të rëndësishme të shtet ndërtimit. Kudo ku kanë shërbyer, kanë bartur me vete frymën e kësaj shkolle: korrektësinë, përgjegjësinë, ndershmërinë dhe respektin për institucionin.
Formimi i skënderbegasve, sidomos në dekadat e para, u shoqërua me sprova e sakrifica të shumta. Kushtet materiale shpesh qenë të pakta, kërkesat e disiplinës tepër të rrepta dhe barra morale shpeshherë e rëndë për supet e brishta të djemve që e nisnin këtë rrugëtim në moshën 14 vjeçare. Jeta në shkollën e mesme ushtarake nuk ishte e lehtë, por pikërisht në atë vatër u farkëtuan karaktere të pathyeshme, u lidh fort ndjenja e vëllazërisë dhe u rrënjos bindja se “shërbesa ndaj mëmëdheut është mision që lyp përkushtim të plotë e gatishmëri për flijim”. Këto vlera u trashëguan brez pas brezi dhe përbëjnë sot një pasuri morale të pazëvendësueshme për të gjithë brezat. Shkolla “Skënderbej” ishte djepi ku farkëtoheshin ushtarakët e ardhshëm, rrugëtimi i të cilëve do të vijonte natyrshëm në Shkollën e Lartë të Oficerëve, për të vijuar më pas në shërbim anekënd vendit në detyra të ndryshme. Kujtesa e skënderbegasve dhe e ushtarakëve në tërësi, është e lidhur edhe me momente të dhimbshme, që kanë lënë gjurmë të thella në historinë kombëtare. Një nga këto është Tragjedia e Fekenit, 45 vite më parë, ku humbën tragjikisht jetën tre oficerë dhe tetë studentë. Kjo ngjarje e rëndë mbetet një symbol i sakrificës ekstreme në shërbim të detyrës. Ata që humbën jetën në atë tragjedi janë pjesë e pandarë e historisë së skënderbegasve dhe oficerëve. Kujtimi i tyre nuk është vetëm një akt nderimi, por edhe një mësim i përhershëm për përgjegjësinë, rrezikun dhe sakrificën më sublime, që mbart mbi vete profesioni i ushtarakut.
Në rrugëtimin e gjatë të ekzistencës së saj, shkolla “Skënderbej” iu nënshtrua transformimeve të nevojshme, sipas ndryshimeve të kohës që impaktuan shoqërinë shqiptare, ku Forcat e Armatosura sikundër institucionet e tjera të shtetit, u përballën me nevojën për ndryshim, reformim dhe përshtatje me realitete të reja. Në këto procese, Skënderbegasit kanë luajtur një rol të rëndësishëm, duke kontribuar me përvojën, dijen dhe ndjenjën e përgjegjësisë për të
ruajtur stabilitetin dhe për të ndërtuar institucione funksionale. Kjo e bën kontributin e tyre edhe më të gjerë dhe më të thellë se kufijtë e shërbimit thjesht ushtarak.
Sot sfidat janë të ndryshme, por po aq komplekse. Realiteti bashkëkohor i sigurisë, zhvillimet teknologjike, standardet e reja profesionale dhe proceset e integrimit euroatlantik kërkojnë
një ushtri moderne, të përgatitur dhe fleksibil. Në këtë kontekst, Akademia e Forcave të Armatosura ka një rol kyç në përgatitjen e oficerëve të ardhshëm që do të përballojnë sfidat e shekullit XXI.
Modernizimi i programeve, rritja e cilësisë akademike dhe hapja ndaj bashkëpunimeve ndërkombëtare janë pjesë e këtij misioni, por pa humbur kurrë lidhjen me traditën dhe identitetin historik të institucionit.
Modernizimi, megjithatë, nuk nënkupton shkëputje nga e shkuara. Përkundrazi, ai mbështetet mbi kujtesën dhe vlerat e trashëguara. Skënderbegasit e djeshëm janë modeli mbi të cilin ndërtohet formimi i ushtarakëve të sotëm dhe të së nesërmes. Ruajtja e kësaj kujtese, dokumentimi i saj dhe përcjellja te brezat e rinj është një detyrë institucionale dhe morale. Ky libër i autorëve Boriçi dhe Fejzulla i shërben pikërisht këtij qëllimi, duke sjellë një pasqyrë
të gjerë historike, publicistike dhe reflektuese mbi rrugëtimin e skënderbegasve ndër vite.
Për mua personalisht, kjo vepër e dy bashkautorëve të nderuar ka një domethënie të veçantë. Edhe unë, ashtu si qindra bashkëmoshatarë të brezit tim, jam formuar në këtë shkollë dhe
kam qenë pjesë e një brezi që u edukua me vlerat më të larta morale, të disiplinës, sakrificës dhe shërbimit ndaj atdheut. Çdo faqe e këtij libri risjell kujtime dhe përvoja që kanë ndikuar drejtpërdrejt në formimin tim profesional dhe njerëzor. Ndaj, ky botim është edhe një shprehje mirënjohjeje ndaj institucionit që më ka formuar, ndaj pedagogëve, drejtuesve dhe shokëve të armës, si dhe ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuar ndër vite në mbajtjen gjallë të kësaj shkolle.
Si Komandant i Akademisë së Forcave të Armatosura, e shoh këtë detyrë si një mision të dyfishtë: garantimin e një formimi bashkëkohor dhe cilësor për oficerët e rinj dhe, njëkohësisht, ruajtjen dhe forcimin e trashëgimisë morale dhe historike të brezave që kanë shërbyer me nder dhe dinjitet në radhët e Forcave të Armatosura. Synimi ynë është që Akademia e Forcave të Armatosura të jetë një urë e forte mes vlerave të trashëguara dhe objektivave të së ardhmes, duke përgatitur ushtarakë, që jo vetëm të zotërojnë dije profesionale, por edhe të mbartin vlerat njerëzore dhe profesionale që kjo shkollë ka
kultivuar me mjeshtëri ndër vite.
“Skënderbegasit ndër vite…”, ky libër plot jetë e histori njerëzore, është dëshmi se kjo trashëgimi nuk përfundon me brezat. Ajo vazhdon të shkruhet çdo ditë, në auditorët e Akademisë, në përkushtimin e brezave të rinj që do t’i shërbejnë atdheut. Ky libër
është një memorial i gjallë për ato jetë njerëzore, një shprehje vlerësimi për sakrificat e tyre, si dhe një model për të ardhmen e Forcave tona të Armatosura.
NJË ITALIAN, SKËNDERBEGAS, SPORTIST, OFICER DHE INXHINIER I TALENTUAR
Francesko Fiore quhet. Një italian, skënderbegas në Shqipëri! Një rast i veçantë ai i Francesko Fiore, nxënës i Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej” në vitet 1960-1964. Në vijimësi, student për inxhinieri mekanike në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe në vijimësi, një kuadër e intelektual i njohur që ka dhënë në dekada kontribute në Shqipëri. Vetëm pas ndryshimeve politike të vitit 1990 në vend, ai kalon Adriatikun dhe shkon në Itali, kërkon familjarët, të parët e tij, sheh qytetin, shtëpinë e trojet ku kanë jetuar e jetojnë brezat e të parëve, gjaku i tij. Por nuk e takon të atin, Genorozo Fiore, i cili e braktisi atë e të ëmën, Dallëndyshen, në vitin 1946, kur Francesko nuk kishte lindur akoma… Një jetë që përmbledh fatkeqësi, dhimbje, tragjedi, por në fund, dhe gjetjen e ndjesinë e të të njëjtit gjak… Në fakt, çuditërisht, një herë në vitet e monizmit, në rrethanë të pa qarta ardhja dhe misioni i të atit, Francesko është takuar me babanë e tij, në Hotel-Dajti në Tiranë. Ishte takimi i parë dhe i fundit atë e bir, me mistere të zbardhura e të pazbardhura, që i rrëfen dhe sot me ndjenja të përziera, ku revolta e thirrja e gjakut, braktisja atësore, peripecitë e jetës që kaloi Francesko në Shqipëri, jeta e misioni misterioz i babait të tij në Itali, Francë etj, gërshetoheshin me njera-tjetrën në këtë ballafaqim.
Shkurtimisht, historia është kjo: Generoso Fiore, babai i Franceskos, vjen në Shqipëri me valën pushtuese të vitit 1939. Po për shkak të moshës, lihet i lirë nga uniforma (ndoshta për mision tjetër) me synim integrimin në Shqipëri. Kështu ndodh gjatë luftës. I atashuar në fushën e bujqësisë e ndërtimtarisë, ai lëviz nëpër Shqipëri. Njihet me mamanë e Franceskos, Dallëndyshen, infermiere, fejohen dhe martohen. Ai, siç mësohet më pas, ishte pjesë e një projekti italian, sipas të cilit, 2 milion italianë do të vinin të jetonin në Shqipëri.
Jetonin tek ‘Rruga e Kavajës’ në Tiranë. Pas luftës, deri në vitin 1948, nis riatdhesimi i italianëve që ishin në Shqipëri, apo që dhe kontribuan në ushtrinë shqiptare kundër nazizmit. Ndër të riatdhesuarit, ishte dhe halla e Franceskos, (motra e babait italian), që kishte luftuar për çlirimin e vendit tonë me batalionin ‘Antonio Gramshi”, (e vetmja femër në këtë batalion) që u dekorua më vonë nga shteti shqiptar dhe ai italian.
Pa ardhur janari i vitit 1946 (kur lindi Francesko), i ati thotë se do të shkonte të rregullonte punët në Itali, (mos e quanin dezertor dhe e dënonin) dhe do të kthehej shpejt. Lindi Francesko, dhe e ëma, në pritjen e vonuar të bashkëshortit, i vuri djalit emrin e babait të burrit të saj, Generosos. Por asnjë letër, asnjë gjurmë të Gerosos, dhe pse e shoqja nuk la vend pa kërkuar, letër pa dërguar, italianë shokë të Generosos në Shqipëri e ku mundi. Në ec e jaket e saj në zyrën e riatdhesimit që kishin italianët në Tiranë, ajo u njoh me një tjetër italian, shok të bashkëshortit, e meqenëse ky i fundit u ‘zhduk’, ajo u martua me ‘të.
Fransesko rritet me mundim, me përkujdesje të së ëmës e njerkut dhe në mbarim të shkollimit fillestar, shkon në Shkollën ‘Skënderbej’, në Shkollën e Bashkuar dhe nga aty, në Universitetin shtetëror të Tiranës. Si inxhinier dhe studjues, punoi e drejtoi në uzina e fabrika të rëndësishme të industrisë sonë. Francesko u bë një intelektual e specialist e sportist i njohur e mbi të gjitha, një njeri punëtor, i dashur dhe i respektuar. Asnjë lajm apo dijeni për babanë që kishte ikur 40 vite më parë… Vjen befasia. 29 nëntor 1984, një shok i tij, i thotë se e pret një shok tek Hotel-Dajti që njihte babanë e tij. Kështu bën. “Shoku”, nuk ishte gjë tjetër, veçse babai i tij biologjik. Babë e birë, njëri në pleqësinë e fundit dhe i biri sapo ka kaluar 40-tat, takohen për herë të parë. Momente interesante e të veçanta, i sjellë Francesko në rrëfimin e tij, pjesë në vazhdim në këtë volum të 5-të të kolanës ‘Skënderbegasit ndër vite…”
Po Francesko sot? Për shokët e tij, dhe gjithë ata që e kanë njohur apo kanë punuar me ‘të, është ai Francesko që ka qenë: I dashur, njeri me horizont, me humor, që nuk e ‘mbanë’ Italia, toka e babait dhe paraardhësve. Nëse do të pyesni brezin e tij të ish-skënderbegasve kur tradicionalisht mblidhe bashkë në Tiranë, aty do të gjeni Franceskon. Na thonë se është ai që bën këto organizime. Dy muaj më parë, në përvjetorin e kujtimit të aktivitetit me luftë në Shqipëri të batalionit ‘Antonio Gramshi’ (partizane dhe halla e Franceskos) e Antonio Gramshit, ai u nis enkas nga Italia për të qenë në ceremoninë e zhvilluar në Bulqizë.
…Si autorë të kolanës “Skënderbegasit ndër vite…”, shkarazi na ra në biseda përfolja për një italian-ish skënderbegas dhe kërkuam të binim në ;gjurmët’ e tij.
-Franceskon, ua gjej unë- na tha direkt miku jonë, Thoma Konduri;
-Si e gjen ti, apo, me këtë seriozitet e bindje na befason -i thamë Thomait.
-Këtu ishte, u takuam dhe iku në Itali, po rikthehet shpejt.
Menjëherë nxori telefonin dhe i ra një numri, por për momentin, nuk ma hapi. Thomai tha se do të marrë vetë sapo të jetë i lirë.
Kontaktuam me Franceskon me ndihmën e Thomait dhe Skënder Alikajt, bashkëshok klase në shkollën “Skëndebej” me të dhe biseduam.
- Boriçi & M. Fejzulla
(Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI
-Rrëfimi i Francesko F.Giores: Misioni i ardhjes së tim eti, Generoso Fiore, ushtarak, në prillë të vitit 1939 në Shqipëri, detyrat që mori nga shteti italian për LANÇ, shkëputja nga ushtria dhe misioni misterioz i ri.
-Si u njoh Francesko me Dallëndyshen (mamanë time), vajzën nga Vlora, martesa e tyre gjatë luftës dhe akomodimi familjarisht në “Rruga e Kavajës” në Tiranë.
-Zhdukja misterioze e babait tim, Franceskos në vitin 1946, rritja ime e vështirë, rimartesa e nënës me një tjetër italian, ‘damka e italianit’ në adoleshencë dhe regjistrimi im në shkollën ‘Skënderbej”





















