Bushati: Angazhimin gjithëpërfshirës në përmirësimin e lirisë së medias

440
Me rastin e 20 vjetorit të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Këshillin e Evropës, Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Zyrën Përfaqësuese të Këshillit të Evropës në Tiranë dhe shoqërinë civile, organizoi konferencën me titull “Liria e Shprehjes dhe Media”. Në të morën pjesë personalitete nga fusha e medias, si Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, znj. Dunja Mijatovic, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, z.Getachew Engida, etj. 
Konferenca kishte për qëllim diskutimin e çështjeve që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes dhe të drejta të tjera themelore, si e drejta e besimit dhe e fesë, roli dhe vlerat themelore të medias në shoqërinë pluraliste demokratike. Ministri i Punëve të Jashtme z. Ditmir Bushati, në fjalën e tij përshëndetëse, vlerësoi bashkëpunimin 20-vjeçar me Këshillin e Evropës dhe kontributin e kësaj organizate në drejtim të lirisë së shprehjes, si dhe evidentoi rëndësinë e padiskutueshme të lirisë së medias në zhvillimin demokratik të shoqërive dhe përmirësimin në vijimësi të standardeve drejt përsosmërisë. Po ashtu, Ministri Bushati nënvizoi angazhimin gjithëpërfshirës të Qeverisë Shqiptare në përmirësimin e kornizës ligjore që garanton lirinë e medias, si një instrument jetik për demokratizimin e mëtejshëm të vendit. 
Para zhvillimit të konferencës, Ministri Bushati zhvilloi një takim me Përfaqësuesen e OSBE-së për Lirinë e Medias, znj. Dunja Mijatovic, të cilën e informoi për gjendjen e lirisë së shprehjes në përgjithësi dhe të medias në veçanti, të shoqëruar me një reformë ligjore të përshtatshme me standardet më të mira ndërkombëtare. 
Zonja Mijatovic, nga ana e saj, shprehu mirënjohjen e saj për bashkëpunimin shumë të mirë me qeverinë shqiptare, të cilën e sheh si shembull për ta ndarë me shtetet e tjera Pjesëmarrëse të OSBE-së. Ajo gjithashtu vlerësoi gatishmërinë për të kërkuar ekspertizën e zyrës përkatëse, në dritën e integrimit evropian të vendit tonë.
Sigal