Bundestagu i flet gjermanisht Ramës

CDU/ CSU voton rezolutën për Shqipërinë: Nuk ka negociata pa plotësuar 9 kushtet. Në Shqipëri ka krizë të rëndë politike, mungon Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë. Për zgjedhjet e 30 qershorit nuk ka vendim mbi ligjshmërinë e tyre dhe i kërkohet prokurorisë të zbardhë shit-blerjen e votës dhe ndëshkimin e autorëve

Bundestagu i flet gjermanisht kryeministrit shqiptar

Sigal

Për zgjedhjet e 30 qershorit, nuk ka vendim mbi ligjshmërinë e tyre

 

Jakup B. GJOÇA

 

CDU/CSU voton rezolutën për Shqipërinë: Nuk ka negociata pa plotësuar 9 kushtet

 

Bundestagu gjerman vendosi dje, se për Shqipërinë nuk ka hapje të negociatave pa plotësuar 9 kushte kryesore dhe disa nënkushte të tjera. Në krye të shqetësimit të Bundestagut gjerman është kriza politike në Shqipëri.

 

Bundestagu: Ka krizë  të rëndë politike në Shqipëri

Për herë të parë, parlamenti gjerman njeh me dokumentin e vet më të rëndësishëm që ka prodhuar për Shqipërinë,  se në vendin tonë ka një krizë të rëndë politike dhe se ajo duhet zgjidhur menjëherë për të mos dëmtuar negociatat. “Nuk do të ketë çelje negociatash për Shqipërinë, pa plotësuar 9 kushtet kryesore”. Është ky vendimi i grupeve Parlamentare të Koalicionit Qeverisës CDU-CSU dhe SPD në Bundestagun Gjerman, të cilat votuan dje për Shqipërinë. Krahas 9 kushteve kryesore, vendit tonë në rezolutën e votuar dje në parlamentin gjerman i vendosen edhe disa nënkushte të tjera. Në krye të shqetësimit të Bundestagut gjerman është kriza politike në Shqipëri, e cila në rezolutë, konsiderohet e rëndë, ndaj edhe apelohen palët të nisin sa më shpejt dialogun për ta kapërcyer atë. “Shqipëria është në një krizë të rëndë politike. Bundestagu gjerman u bën thirrje me ngulm të gjitha forcave demokratike në Shqipëri që të ndërmarrin menjëherë të gjitha hapat për të kapërcyer këtë krizë sa më shpejt përmes dialogut politik, përndryshe rruga për negociatat e anëtarësimit do të vështirësohet në mënyrë të konsiderueshme”,- thuhet në rezolutën e përbashkët të partive qeverisëse të Gjermanisë, CDU/CSU dhe të SPD. Në këtë dokument grupet parlamentare të koalicionit qeverisës në Gjermani nuk kanë një datë për çeljen e negociatave për Shqipërinë, shifra e vetme për të cilën flitet janë kushtet të cilat nga 7 kanë shkuar në 9.

 

Dy  kushtet e reja të Bundestagut ndaj Shqipërisë për 2019-n

E reja e dy kushteve të Gjermanisë këtë vit është se ato lidhen drejtpërsëdrejti me problemet me zgjedhjet, përfshirë edhe ato të 30 Qershorit.

 

  1. Procedime penale të shpejta për ata që janë përfshirë në blerje votash.
  2. Një vendim urgjent i Gjykatës Kushtetuese mbi ligjshmërinë e votimeve të 30 Qershorit dhe, nëse urdhërohet përsëritja e këtyre zgjedhjeve, ato të bëhen mbi bazën e ligjit të ri zgjedhor.

 

Kushtet e tjera kanë të bëjnë me ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë si SPAK, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, reforma zgjedhore gjithëpërfshirëse, dënimi i zyrtarëve dhe politikanëve të lartë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Bundestagu gjerman mbështet perspektivën e Shqipërisë në BE dhe vlerëson përpjekjet për reforma në vend, ndonëse nënvizon edhe mangësitë. Pavarësisht se vlerëson që sasia e kanabisit të konfiskuar në Itali ra me 81% brenda një viti, (6,59 ton në vitin 2018 krahasuar me 34,72 ton në vitin 2017) për grupet parlamentare në Gjermani, Shqipëria mbetet sidoqoftë, bazë e trafikut të drogës për tregun evropian. Trafiku i drogës është rritur ndjeshëm. Sakaq vendimi i grupeve parlamentare të koalicionit qeverisës në Gjermani është ndryshe për Maqedoninë, për të cilën rekomandohet të nisin negociatat e anëtarësimit.

 

Nëntë kushtet e Bundestagut gjerman ndaj Shqipërisë

– Funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese

– Miratimi i reformës zgjedhore;

– Implementimi i reformës zgjedhore;

– Ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar provimin e Vettingut;

– Ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave;

– Vënia në punë e prokurorisë speciale për luftimin e korrupsionit, SPAK,

– Rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”;

– Përparime në reformën e administratës publike;

– Sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

 

Bundestagu gjerman: Për zgjedhjet e 30 qershorit, nuk ka vendim mbi ligjshmërinë e tyre

Për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, Bundestagu gjerman mendon se për to ende nuk ka një vendim mbi ligjshmërinë e tyre. Përveç kushteve të tjera, partitë e koalicionit qeverisës në Gjermani, CDU/CSU dhe SPD, kërkojnë një vendim urgjent nga Gjykata Kushtetuese për ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve. “Zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019 ishin kryesisht paqësore; megjithatë mungon një vendim mbi ligjshmërinë e tyre. Nevojitet një vendim urgjent i Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve”, thuhet në kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman. Gjithashtu, shumica e deputetëve gjermanë kërkojnë që Prokuroria të ndërmarrë një hetim kundër atyre që akuzohen për blerje të votave, duke nënvizuar se deri më tani nuk është lëshuar asnjë urdhër-arresti. “Prokuroria ka ndërmarrë një hetim kundër atyre që akuzohen për blerje votash; megjithatë, deri tani nuk është lëshuar asnjë urdhër arresti. Duhet të fillojnë menjëherë procedime penale dhe të përfundojnë shpejt, sapo të vërtetohet një dyshim për veprën”, thuhet në vendim. Bundestagu gjerman kërkon gjithashtu që të miratohet reforma zgjedhore. “Është paraqitur një ligj për reformën zgjedhore që përputhet me rekomandimet e OSBE / ODHIR dhe siguron një financim transparent të partive dhe fushatës zgjedhore, por mbetet për t’u vendosur”, thuhet gjithashtu nw rezolutën e Bundestagut gjerman për Shqipërinë.