Bujar Vreto: Librazhdi në varfëri ekstreme, mijëra familje janë zhytur në borxhe

1023
Sigal

 

Bizneset e vogla janë falimentuar po lulëzojnë vetëm kultivuesit e hashashit dhe drogave të lidhur me mafien e pushtetit

Bujar Vreto, kryetar i PD-së Librazhd

Mijëra familje janë zhytur në borxhe,  pasi nuk munden të ushqejnë, veshin e shkollojnë fëmijët. Bizneset e vogla dhe  të mesme kanë falimentuar dhe lulëzojnë vetëm kultivuesit e hashashit, drogërave, të lidhur me mafien e pushtetit

Librazhdi  në varfëri ekstreme, lulëzojnë vetëm kultivuesit e hashashit, drogërave, të lidhur me mafien e pushtetit

Jakup B. GJOÇA

Bujar Vreto, kryetari i PD-së Librazhd në intervistën për gazetën “Telegraf”, skanon realitetin e hidhur që jetojnë banorët e rrethit Librazhd, varfëri ekstreme, nuk janë bërë investime, as në infrastrukturë  dhe as për të shfrytëzuar pasuritë e mëdha minerale dhe ambjentale të Librazhdit, edhe pse Librazhdi është zona elektorale e Taulant Ballës, numri 2 i “Rilindjes”. Zoti Vreto, ndërkaq  pohon se miliona euro janë zhvatur nga tenderat dhe koncesionet që janë dhënë në rrethin e Librazhdit, tregon lidhjet e qeveritarëve me mafien.

– Para se t’i përgjigjem pyetjes tuaj, do ju tregoj një fragment bisede me Taulantin: Në qeshor 2014,  unë u zgjodha  Kryetar i Degës  të PD-së, dal nga selia me disa demokratë  dhe  përballë na u ndodh Taulanti me disa të tijët. Normalisht i dhamë dorën njëri- tjetrit dhe pas urimit të ndërsjelltë (pushtet – opozitë) i thashë:  -“Taulant, më dëgjo dy fjalë, por mos më ndërpre, se shkurt  e kam bisëdën!”  -“Po,” më tha, -në fakt nuk më ndërpreu!  I thashë:  -“Zoti Sali Berisha ishtë nga Tropoja, bëri shumë investime  në Librazhd, por më i rëndësishmi për ne ishte ‘shkëmbi i Lunikut’,  të cilin e çau dhe lidhi Librazhd-Stëblevë-Peshkopi.  Meqë jeni djalë Kostenje dhe jemi nipër të dy në Lunik, bëj rrugën (Shkallë e Lunikut –Lunik –Prëvallë -Kostenjë) që lidh fshatrat e vendlindjes tënde dhe të nënave tona.  Ke favor se 70% e ka bërë qeveria ime  dhe tani, ti, je dyshi apo treshi i vendit, pra i ke mundësitë  dhe të garantoj, se kur të përfundosh rrugën, do vi unë si kryetar  i opozitës dhe si nip i zonës të shpreh falënderimet.” Taulantin e tradhëtoi fytyra, buzëqëshi  pak dhe tha: -“Kryetar është gjëja më e vogël që mund të bëj, por a do e mbash fjalën që të vish në inaugurim se mbase nuk të lenë?!” – “Ti bëje se unë jam njeri që e mbaj fjalën edhe me kosto”, -i thashë.  Por e vërtëta është  se unë jam në pritje për të mbajtur fjalën dhe shoku Taulant  për të vazhduar me mashtrimet e tij se rrugën kurrë s’ka për ta bërë. Po kthehem tek pyetja:  Është shumë e vështirë të flasësh për një realitet të hidhur për Librazhdin,  por është kriminale të mos e pasqyrosh atë. Pritshmëritë e bashkëqytetarëve të mi tek Taulanti,  ishin të mëdha si numri dy i vendit dhe deputeti që mbulon zonat elektorale të Librazhdit dhe Prrenjasit,  do bëjë më të mirën dhe do mbajë  premtimet që bëri në 2013, 2015, 2017.  Nuk po flas për masakrën  zgjedhore  2019.  E vërteta qëndron se s’ka bërë asgjë, përveç poshtërimit  të intelektualëve, mjekëve, mësuesve, pensionistëve, fermerëve,  njerëzve në nevojë. Ka tradhëtuar interesat e socialistëve dhe ka tentuar me çdo çmim të përndjekë dhe përbaltë opozitën, duke u munduar ta përçajë atë, me përdorjen e atyre që lëpihën sa në një krah në tjetrin, të atyre që lidhen me korrupsionin  aktiv dhe pasiv,  me pak fjalë rilindjen e ka shndërruar në një organizatë  kriminale, që nuk mbron me interesat e popullit, por thjesht të dy apo tre personave. Edhe ato pak investime që kanë ardhur janë përdorur pa kriter me synimin e vetëm të vjedhin sa më shumë. U trumbetua se kemi tjetërsuar qytetin, (qendrën, parkun, ambjente sportive dhe kemi shtruar rrugë me asfalt), por e vërteta është se të gjitha këto investime janë shkatërruar plotësisht, sepse po bëhet një investim tjetër për disiplinimin e ujërave të bardha dhe të zeza, pra po hapen kanale  në gjithë  qytetin.  S’e di, a mban përgjëgjësi Taulanti më shërbëtorët e tij për paratë e taksapaguesve që shkuan dëm dhe tani, pa kaluar dy vjet duhen dhe njëherë  miliona dollarë të rehabilitohen  rrugët dhe gjithçka e dëmtuar në qytet. Po për zonat rurale çdo bëhet? E them me plot gojën, ishte fatkeqësi për Librazhdin që ra në dorë të sharlatanëvë dhë njërëzve të papërgjëgjshëm. Janë bërë njërëzit të flasin me veten!

Si e shpjegoni që Librazhdi, është kaq i pasur me minerale, me pyje, e banorët e rrethit të kenë jetesë kaq të varfër e të detyrohen të shpërngulen e të emigrojnë?

– Territori, gjeografikisht i Librazhdit është i mrekullueshëm dhe në fakt zoti i ka bashkuar  të gjitha të mirat në këtë vend, prandaj dhe të parët tanë e kanë mbrojtur me kaq fanatizëm. Ka plot destinacione  natyrorë për t’u vizituar, pyjet më ahe, pisha, bredha dhe pemë të tjera frutorë dhe të egra janë një pasuri përrallore. Uji gurgullon në të katër anët, nëntoka është e pasur pafundësisht me minerale, por gjithçka është shkatërruar nga dora kriminale e njeriut dhe pikërisht nga komunizmi dhe tani nga pjella e tyre,  që administrojnë pushtetin e vjedhur të shndërruar  në kriminal dhe mafioz. Bashkëqytetarët e mi, banorët e rrethinave, por dhe të zonave të thella,  po kalojnë ditët më të vështira dhe të zeza të jetës së tyre. Arsyet janë të shumta, por unë do përmend disa: U degradua vendi dhe u vra shpresa! Të rinjtë e të rejat po largohen çdo ditë, mendojnë si  të thonë lamtumirë familjarëve, trojeve e pronave, miqësisë e shoqërisë dhe gjithçkaje që kanë ndërtuar me mund e djersë prindërit e tyre. Ata po ikin, duke mos kthyer kurrë më kokën mbrapa! Kjo është një fatkëqësi dhe dhimbje e madhe.  Banorët, po lotojnë dhe përjetojnë trishtimin e të jetuarit! Janë shkatërruar  nga pamundësia  reale për minimumin jetik! Energjinë, ujin, medikamentët, ushqimet e shportës nuk mundën t’i përballojnë? Këtu nuk ka më humanizëm, por është kriminale,  gjithçka bëhet në kurrizin e shtresave  vurnerabël. Arsimi në çdo nivel është në kaos dhe është shndërruar në shtojcë të organizatës mafioze të rilindjes. Fermerët janë tallur nga zyrtarët e korruptuar!  S’kanë marrë asgjë në dorë dhe me letra janë vjedhur disa here, se lekët kanë shkuar në xhepat e titullarëve. Mijëra familje janë zhytur në borxhe,  pasi nuk mundën të ushqejnë, veshin e shkollojnë fëmijët. Bizneset e vogla dhe  të mesme kanë falimentuar dhë lulëzojnë vetëm kultivuesit e hashashit, drogërave të tjera të lidhur më mafien e pushtetit. Reforma territoriale ishte skandaloze dhe pa asnjë bosht llogjik, pasi ka larguar shërbesat ndaj qytetarëve dhe ka humbur thelbin për të cilin u propagandua se do kurseheshin  miliona dollarë? Në fakt është rritur numri i punonjësve pothuaj dy fish dhe s’bëjnë asgjë tjetër vetëm mendojnë si do vjedhin votat e radhës. Plani i mafies është të varfërojnë sa më shumë që banorët të shpërngulen nga trojet e tyre dhe të mos kthehen më kurrë. Fatkeqësisht kjo po ndodh me shpejtësi në Librazhd.

Cili ka qenë fati i denoncimeve dhe akuzave që qytetarët dhe opozita kanë depozituar në prokurori shumë korrupsione të zyrtarëve në rrethin e Librazhdit?

– Nën drejtimin tim Dega e Partisë Demokratike  Librazhd,  ka qenë mjaft aktive dhe koherente në çdo problematikë  të shkaktuar  nga keqqeverisja locale,  apo qendrore në territorin tonë. Ne me baza dhe fakte kemi denoncuar çdo paudhësi dhe dëm ekonomik të shkaktuar nga zyrtarët e korruptuar. Dua të them se institucionet nuk funksionojnë ose aktiviziohen vetëm për popullin e thjeshtë  dhe personat pa mbështetjen e mafies (rilindjes). Kemi denoncuar afera të mëdha korruptivë, si: Prokurimet për kanalët vaditëse në gjithë territorin që kanë kaluar lekët me situacionet përkatëse dhe ujë për vaditje nuk ka. Kemi denoncuar për pastrimin e mbetjeve (plehrave) të cilat hidheshin në një vend depozitimi afër qytetit dhe paratë paguheshin për t’u dërguar tek inceneratori. Kemi denoncuar zaptimin e pronave publike me bekimin e mafies për persona vip dhe mbështetës të rilindjes (rast konkrete, ndërtimi i një objekti mbi hekurudhë, prishja e konvikteve dhe dhurimi  i qindra m2 tokë privatit, shpërdorimi  i taksave dhe përvetësimi i tyre, prerja e pyllit pa kriter dhe vjedhje në masë e lëndës drusore, ndërtimi i HEC-ve dhe mos zbatimin e ligjit për të ndërprerë punën këta të fundit gjatë periudhës  së vaditjes dhe lënien e 30% të ujit në shtratin e tij, pasi janë shfarosur gjallesat dhe është shkatërruar ekosistemi, shtimi i numrit të punonjësve në administratën publike, zgjedhja e drejtuesve të arsimit pa mbështetje në ligj, por sipas orientimeve të organizatës mafiozë rilindase e tjera). Shurdhëria e institucioneve  ka bërë të lulëzojë korrupsioni, të fuqizohen organizatat kriminale dhe të nënshtrohet popullata, por kam bindjen e thellë se shkatërrimi i mafies do fillojë nga vota e qytetarëve, të cilët nuk do votojnë kurrë më rilindjen dhe do i japin mundësi z. Lulzim Basha të  normalizojë ekonominë dhe të shfarosë kleptokracinë.

-Cila është risia e PD-së në përzgjedhjen e kandidaturave për deputetë në qarkun e Elbasanit? Kush propozoi kandidaturat? Dhe përse?

– Ne sapo përmbyllëm fazën e parë të procesit në përzgjedhjen e kandidaturave për deputetë. Bazuar në statutin ë PDSH-së dhe udhëzimin nr. 60 dt. 25-06-2020, të Kryetarit z. Lulzim Basha, u hap procesi për evidentimin e kandidatëve  në listën e deputetëve të Qarkun Elbasan. Procesi në fazën e parë shkoi shumë mirë. Në degën e Librazhdit u propozuan njerëz të shkëlqyer, intelektualë,  kontributorë,  faktorë,  të rinj e të reja, e mjaft aktorë të politikës lokale, apo qendrore.

Si e mendoni ndryshimin e Kushtetutës në një kohë mjaft të shkurtër dhe risinë e listave të hapura?

– Ndryshimet kushtetuese u bënë në një kohë të papërshtatshme, në kohë pandemie, nuk ka Gykatë Kushtetuese, pa marrëvëshje me opozitën reale, me një parlament ilegjitim që nuk përfaqëson sovranin, por interesat e mafies që kërkon me çdo kusht të mbajnë Edi Ramën në pushtet. Ju më pyesni për listat e hapura, por në fakt ato nuk janë të hapura, sepse ndryshimet kushtetuese u bënë vetëm për të prishur koalicionet parazgjedhore dhe propaganda e kënetës me ujin e qelbur, thotë se ne plotësuam dëshirën e 80% të popullsisë për listat e hapura. Për çfarë lista të hapura flet eksperti i vjedhjes, blerjes dhe manipulimit të votavë, të faktuara me audiopërgjimet e Prokurorisë? Unë personalisht e përshëndeta lëvizjen e madhe të z. Basha për lista të hapura 100%. Unë duke parë demokracinë në Shqipëri, që  është e pakonsoliduar, që përdoret nga marifetçinjtë e majtë sipas orekseve, por edhe  piramidat udhëheqëse janë mësuar të kenë dikë mbi kokë, mendoj se i pari i çdo qarku, duhet të jetë me lista të mbyllura dhe të tjerët të jenë të hapur, kështu do të ruhet parlamentarizmi elitar dhe pjesa tjetër e terrenit. Kjo garanton një garë të barabartë si brenda partisë apo koalicioneve,  ashtu edhe me kundërshtarët  politikë, por dhe bën zgjedhësit të jenë të interesuar për platformat se e kanë kandidatin të prekshëm.

Ju, zoti Vreto përse do të kandidoni për deputët? Cila është ambicja juaj politike?

–  Unë dua të them pse duhet të vijë Partia Demokratike në pushtet dhe pse Librazhdi duhet të votojë z. Lulzim Basha dhe kandidatët ë tij. Librazhdi është një zonë kodrinore- malore, ku relievi  na mundëson të promovojmë bukuritë  përrallorë dhe ta shndërrojmë në një atraktivitet,  ku vizitorët vendas dhe të huaj të shijojnë peisazhët panoramikë, ujin e kristaltë, gjelbërimin pa fund,  ajrin e pastër, të ndjejnë aromën e luleve dhe flladin që valëvit gjethet e pemëve, të dëgjojnë blegërimat e bagëtivë dhe cicërimat e zogjve, të shijojnë kulinarinë e pasur dhe gastronominë fantastike që serviret në anët tona. Por për të arritur këtu duhet të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet intelektuale  të profileve të ndryshme që posedon Librazhdi dhe më gjerë. Duhet të thithim kreativitetin e tyre për të bërë një projekt tërësor zhvillimor, me një infrastructure  rrugore të përfunduar. Bujqësi të zhvilluar. Blegtori, bletari, pemtari, vreshtari, të shumëfishuar dhe çdo mundësi tjetër që gjeneron të ardhura në zonë. Implementimi i këtij projekti madhor  që e konsideron rrethin e Librazhdit  një fshat të madh turistik, që arterje janë të lidhura më zemrën do e bëjë vendin e  jetueshëm, të populluar dhe të admirueshëm nga fëmijët tanë që janë rrugëve të botës, ata do kthehen me mjaft dashuri për të jetuar në trojet e tyre. Ky projekt gjigand, do fuqizojë ekonominë  individuale do shtojnë bizneset nga fitimet. Administrata e vogël do grumbullojë më shumë të ardhura nga taksat e ulëta, të cilat do përkthehen në investime për shkolla, qendra shëndetësore, për një spital modern që të jetë i mjekëve në shërbim të pacientëve, përkujdesje për aftësitë e kufizuara dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitet. Kjo është rruga e duhur për të ndaluar shpopullimin, kjo është ambicja ime që nëpërmjet politikës vendimmarrëse të jetësoj jetën e qytetarëve Librazhdas në vendin e tyre dhe jo të marrin çantat në krah e të ikin me lot në sy, pa e kthyer kokën pas, me zemër të copëtuar.  Demokratët më vlerësuan me mbështetjen e tyre dhe unë do bëj gjithçka për ta dhe banorët.

– Falëminderit!