Gjatë një deklarate për mediat, lidhur me vendimin e mazhorancës për shkarkimin e Arben Malajt nga bordi drejtues, në mënyrë indirekte Banka e Shqipërisë është pozicionuar në anën e qeverisë.
Në një pikë të deklaratës së saj, sqaron se: Banka e Shqipërisë shprehet e vendosur në qëndrimin e vet se, gjatë ushtrimit të detyrave, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës duhet të respektojnë kufizimet e Kodit të Etikës mbi veprimtarinë e tyre politike dhe publike, të vendosura ligjërisht dhe për shkak të natyrës së veçantë të pozicionit dhe funksionit të tyre.
Lidhur me këtë qëndrim ka reaguar edhe Arbën Malaj i cili shprehet se për këtë debat, BSH nuk mund të shprehet si institucion, por vetëm Këshilli Mbikëqyrës.
‘Reagimi në emër të Bankës së Shqipërisë sot pas kërkesës së deputeteve dhe jashtë hapave ligjorë dhe institucionale që në këtë rast është vetëm Këshilli Mbikëqyrës, përben cenim te kredibilitetiti dhe Pavarësisë se Bankës së Shqipërisë’, shkruan Arben Malaj në Facebook.
Reagimi i plotë i Arben Malajt:
Për këtë debat nuk shprehet Banka e Shqiperise si institucion, por vetëm Këshilli Mbikëqyrës.
Kam respektuar në maksimum kodin e etikes, nuk marr pjesë në asnjë strukturë të asnjë partie, këtë kërkon ligji i Bankës, nuk jam i angazhuar në asnjë aktivitet politik, sapo mbaruan zgjedhjet vendore kjo konstatohet lehtë. Po ngatërrohet me keqdashje dallimi midis angazhim apo aktiviteteve publike me angaxhimet dhe aktivitete publike. Kam plotësuar me integritet dhe profesionalizem mandatin e dhënë nga Kuvendi vendit tim në rastin e parë me 100 % të votave dhe në rastin e dytë me vetëm dy vota kundra.
Reagimi në emër të Bankës Shqipërisë sot pas kërkesës së deputetëve dhe jashtë hapave ligjore dhe institucionale që në këtë rast është vetëm Këshilli Mbikeqyrës, përbën çenim të kredibilitetiti dhe Pavaresisë së Bankës së Shqipërisë.
Kredibiliteti publik dhe pavarësia reale e Bankës së Shqipërisë duhet të jenë te shenjta dhe duhen ruajtur me përgjegjshmëri maksimale nga çdo pozicionim publik jashtë kornizave institucionale.
Kam qenë unë që pas mandatit të ri kam kërkuar që rezoluta e kuvendit për vitin 2018 që ka detyra për vitin 2019 të diskutohej në Këshill dhe me detyrat e dhëna nga kuvendi të njihej Këshilli dhe stafi drejtues i Bankës dhe për detyrat konkrete Këshilli të ndërtonte një plan veprimi përmbushës të detyrave të lëna nga Kuvendi.
Qëndrimet si gjatë mandatin plotësues dhe aktualisht janë të dokumentuara në proces verbalet e Këshillit Mbikëqyrës.
Ky sqarim është në respekt të institucionit të BSH.
Arbeni