Sigal

BE-ja konfirmoi dështimin e Reformës në Drejtësi, ambasadorët dhe organizmat ndërkombëtarë bashkëfajtorë

Tani është fakt. Që organizmat ndërkombëtare eksperimentuan në Shqipëri sisteme të tilla në drejtësi, të pazbatuara asgjëkund, që nuk kishin lidhje as me traditën, as me veçoritë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, por morën copëza të sistemeve të drejtësisë në shumë vende, i modifikuan dhe po përpiqen që t’i eksperimentojnë akoma në Shqipëri. Rezultati i deritanishëm është pezullimi për një kohë të papërcaktuar i Gjykatës Kushtetuese, ku asnjë nuk bëhet më merak, dhe zvarritja e vetingut deri në 5 vite, mosngritja e institucioneve në Gjyqësor dhe kolapsi në gjithë sistemin gjyqësor në Shqipëri.

ONM-ja, Euralius dhe ambasadorët bashkëfajtorë të shkatërrimit të drejtësisë

Vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs dje në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit shprehu pakënaqësinë për mungesën e zonjës Kryeprokurore përballë trupit të Vetingut, dhe, pas kësaj argumentoi shumë ankesa për kryeprokuroren e Përkohshme Arta Marku, si për mungesën profesionale dhe organizuese të punës në Prokurorinë e Përgjithshme, duke renditur madje, edhe fakte konkrete, dhe në fund shprehu edhe mendimin se “duhet të fillojë të ndryshojë mentalitetin e Prokurorisë”. Vëzhguesi i ONM-së ka shumë të drejtë, por, që të bëjë kaq vërejtje për mungesë profesionalizmi dhe organizuese ndaj kryeprokurores, (bashkë)fajtorë, madje ata vetë, institucionet ndërkombëtare, si Euralius, ONM-ja, etj, që udhëhoqën, diktuan, reformën në drejtësi, sot janë fajtorë kryesorë të katandisjes në këtë gjendje të produktit të reformën në drejtësi. Sot, këto organizma ndërkombëtarë fajësohen pse Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese, pse pranuan që vetingu të ishte një proces kaq i stërzgjatur, sa shkaktoi edhe kolapsin në Gjyqësor. Këto organizma ndërkombëtarë, që në fillim, u bënë, si të thuash, sponsor politik i maxhorancës, sepse, që në përzgjedhjen e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtar për reformën në drejtësi, ata u pajtuan vetëm me propozimet e maxhorancës dhe nuk u dhanë rëndësi kritikave të opozitës, e cila u përjashtua. Ishin po këto organizma ndërkombëtarë, që mbështetën mekanizmin antikushtetues të maxhorancës për emërimin e kryeprokurores së Përkohshme, pa konsensusin e opozitës. Janë këto organizma, që pajtohen me emërimet e njëanshme të maxhorancës të kandidatëve për institucionet gjyqësore. Akoma nuk e kemi parë të keqen e madhe të këtij eksperimenti të organizmave ndërkombëtarë në sistemin tonë të drejtësisë. Një gjë ia arritën me “sukses”. Qindra milionë euro të financuara nga SHBA, USAID dhe BE-ja për reformën në drejtësi u shpenzuan, duke financuar fondacione dhe organizma të ndryshme, sa edhe senatorët konservatorë amerikanë e ngritën problemin se u shpenzuan miliona dollarë, nëpërmjet fondacionit “Soros” për t’i dhënë mundësi së Majtës në Shqipëri, ta kapte drejtësinë. Rezultati është që Gjyqësori ende nuk mundet të hetojë dhe dënojë dot korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe inkriminimin. BE-ja në vendimmarrjen e saj “Jo” hapjes së negociatave me Shqipërinë konfirmoi dështimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, mirëpo ambasadorët Vllahutin, Donald Lu etj., nuk e pranojnë, sepse ata vetë janë shkaktarët dhe fajtorët e shkatërrimit të drejtësisë në Shqipëri, ndryshe kanë raportuar dhe ndryshe është tashmë realiteti i drejtësisë në Shqipëri. Ankesat e vëzhguesit Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs në KPK ndaj integritetit joprofesional të kryeprokurores së Përkohshme, dhe vendimi i BE-së kundër Shqipërisë në 28 qershor për “JO” ndaj negociatave të anëtarësimit, duke evidentuar si shkaqe moskryerjen e Vetingut, të mosgritjes së institucioneve të reja të drejtësisë, të mosndëshkimit të inkriminimit, të krimit të organizuar, të korrupsionit, flasin për qëndrime krejtësisht të kundërta me raportimet dhe fjalët e bukura të ambasadorëve Vllahutin, Lu, të EURALUS etj.

Puçi kushtetues i qeverisë ndaj drejtësisë

Ka disa javë që mazhoranca kërkon të miratojë projektligjin për “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Propozohen ndryshime në dy nene, duke i kthyer Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të drejtën e emërimeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Socialistët propozojnë në ligj dhe hapjen e konkursit nga shkolla e magjistraturës për magjistratë të rinj. Mirëpo, me reformën në drejtësi, dhe me ndryshimet e reja kushtetuese, që nga 2017-ta Prokuroria e Përgjithshme dhe KLD-ja nuk kanë më asnjë kompetencë kushtetuese të emërojnë gjyqtarë dhe prokurorë, pasi kjo kompetencë kushtetuese u është deleguar institucioneve të reja të Drejtësisë, që duhet të ishin ngritur, sikurse Këshilli i Lartë I Prokurorisë, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Afatet kushtetuese të ngritjes së këtyre institucioneve janë tejkaluar. Madje, kryeprokurorit I mbaroi mandate, dhe duhej që KLP-ja të emëronte kryeprokurorin e ri. Mirëpo, duke qenë se nuk është ngritur KLP-ja, mazhoranca me një procedurë antikushtetuese, emëroi me votim të thjeshtë në parlament një kryeprokurore të Përkohshme, ku gjatë diskutimeve në parlament, u tha se afati kohor i saj do të ishte vetëm 2-3 muaj, dhe nuk do të ketë kompetenca për emërime. Mirëpo, praktikisht kanë kaluar 7 muaj, kryeprokurorja e Përkohshme vazhdon, edhe pse në parlament nuk iu përcaktua afat, ndërkohë, që ka marrë të gjitha kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm të Përhershëm, duke bërë emërime dhe shkarkime të prokurorëve. Mazhoranca qëllimisht i lë afatet kushtetuese të ngritjes së institucioneve të tejkalohen, për dy qëllime: Së pari, ende nuk ka numrat e deputetëve në parlament që të votojë kandidaturat që dëshiron për në institucionet e reja të Drejtësisë. Së dyti, qeveria me pretekstin e ngutjes së kohës, propozon ligje, sikurse ligji që lart-përmendëm, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, që kryeprokurorja e Përkohshme dhe KLD-ja të vazhdojnë (pa afat kohor) të bëjnë emërime të prokurorëve dhe gjyqtarëve të rinj. Kjo taktikë politike, ka dy qëllime nga qeveria:

Së pari, qeveria, duke përfituar edhe nga kohëzgjatja e vetingut, që është deri në 5 vjet, nuk ngutet më që të ndërtojë institucionet e reja, sikurse KLP, KLGJ, KED, sepse institucioneve të vjetra të Drejtësisë, sikurse KLD-së dhe Kryeprokurores së Përkohshme, u jep të drejta ligjore të bëjnë emërime.

Së dyti, me këto manovra ligjore, që në fakt është puç kushtetues, mazhoranca do të zgjatë pa mbarim, edhe afatin e kryeprokurores së Përkohshme, të cilën e ka përzgjedhur vetë, me votat e deputetëve të saj, pa asnjë konsensus me opozitën. Deri tani, në 7 muaj, kryeprokurorja e Përkohshme, jo vetëm që nuk ka hapur asnjë nga çështjet e korrupsionit dhe inkriminimit, por, përkundrazi, është akuzuar dhe përfolur për favore në ndihmë të maxhorancës, madje, edhe për super skandale, sikurse është çështja “Tahiri” dhe çështja “Xhafaj”.

Së treti, mazhoranca, nëse miraton projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, do të ketë dorën e lirë, që ajo të përzgjedhë kandidatët për anëtarë në institucionet e reja të Drejtësisë, sikurse janë KLP. KLGJ, KED, por edhe Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, duke kapur de fakto gjithë Gjyqësorin dhe Drejtësinë.

 Jakup B. GJOÇA