Boiken Abazi: Anëtarët e KAS janë bërë pjesë e së keqes

166
Sigal

Jemi para një situate absurde. Absurdi në kuptimin muzikor lidhet me prishjen e harmonisë. Në kuptimin logjik, absurdi lidhet me zhvlerësimin dhe boshatisjen e akteve dhe veprimeve nga idealet. Këto seanca dëgjimore, i ngjajnë pjesëve të Teatrit të Absurdit, të cilat kanë një formë rrethore. Pika e përfundimit është e njëjta me pikën e fillimit. Logjika dhe argumentet i lënë vendin përfundimeve irracionale, duke çuar në konkluzionin e pashmangshëm: heshtja. Ne depozitojmë ankesa të cilat rrëzohen në tërësinë e tyre, ende pa u trajtuar. Argumentet dhe provat nuk merren parasysh. As pamjet filmike të numëruesve që vendosin X-a në fletët e votimit gjatë procesit të numërimit, nuk mjaftojnë. As fotografitë e fletëve të manipuluara nuk merren parasysh. Mohohet ekspertiza mbi fletët e votimit që janë manipuluar. Mohohet marrja e informacioneve shtesë nga organet e tjera shtetëtore. Të gjitha këto bëhen me synimin që vendimi i marrë prej fillimit për ta rrëzuar ankesën, pa marrë parasysh faktet dhe argumentet, të konfirmohet edhe në fund. Pra, që rrethi të marrë formën e plotë si në Teatrin e Absurdit dhe të vendoset heshtja. Ndërkohë, jashtë kësaj salle Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, hesht prej katër ditësh. Ai që kishte për detyrë t’i mbronte zgjedhjet nga krimi elektoral, duket se ka komunikuar pikërisht me numëruesin që ka kryer krimin elektoral. Ministri nuk jep asnjë shpjegim. Nuk bën asnjë distancim, asnjë denoncim. Dhe kështu edhe ai tenton të vendosë heshtjen. Anëtarët e KAS-it që kanë vendosur prej fillimit ta rrëzojnë ankesën tone, pavarësisht fakteve dhe argumenteve, kanë një detyrë të vështirë nga ana morale: të mbrojnë absurdin. Anëtarët e KAS-it që kanë vendosur prej fillimit ta rrëzojnë këtë ankesë po përgatiten të na thonë në mënyrë absurde se vjedhja, blerja dhe manipulimi i votës nuk ndikon te rezultati i zgjedhjeve. Se përdorimi i jashtëligjshëm i fondeve publike dhe i punësimeve në admnistratë, bashkë me shkeljet e procedurave, nuk ndikojnë te rezultati. Pa bërë asnjë ekspertizë të mbi 18.000 votave të pavflefshme në Tiranë, duan të na thonë se ato janë të gjitha gabime njerëzore dhe jo manipulime, siç dëshmojnë videot dhe fotografitë.