MAQEDONI – Deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi është i pari nga politikanët shqiptarë që vizion Kumanovën, pas sulmit të përgjakshëm mes policisë dhe grupit të armatosur të cilësuar nga autoritete vendase si terrorist.
Blushi është gjendur sot në Lagjen e Trimave, ku shumica e shtëpive janë të shkatërruara nga ajo që u kthye në një luftë të vërtetë të shtunën e dy javëve më parë, ku është takuar me banorët e kësaj zone.
Deputeti i PS e ka cilësuar si të pabesë shtetin maqedonas.
“Jam këtu për të parë ç’po ndodh me civilët e pafajshëm. Ju kanë cenuar pronat dhe dinjitetin njerëzor. Ju kanë cenuar pabesisht dhe padrejtësisht. Kur shteti është i pabesë, ky është fundi i tij”, ka thënë Blushi.
Sipas portaleve vendase, Blushi është shprehur i tmerruar nga ngjarja që ka parë dhe përjetuar në këtë lagje, e cila sipas tij, është goditur nga një terror i paparë. Në fjalën e tij me banorët, Blushi është shprehur se gjatë aksionit atyre u janë cënuar të drejtat.