Blushi: Me buxhetin antisocial 2025 Rama pasuron veten dhe oligarkët gjakpirës, në kurriz të pensionistëve

51
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi i shoqëruar dhe nga sekretari për Çështjet e Financave dhe Ekonomisë, Prof. Petraq Milo dhe sekretarja për Familjen dhe Kundër Shpopullimit në Partinë e Lirisë,  znj, Brunilda Haxhiu, kanë akuzuar Edi Ramën se me buxhetin e vitit 2025, po pasuron veten.

Fjala e Tedi Blushit:

Buxheti për vitin 2025 i miratuar mbrëmë me votat e “Rilindjes” është buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë e Shqipërisë, buxheti më antisocial dhe buxheti i thellimit të mëtejshëm të varfërisë së pamerituar për qytetarët e thjeshtë, pensionistët, të papunët dhe shtresat në nevojë.

Edi Rama provoi atë që kishim paralajmëruar se ky buxhet i krijuar nga mundi, gjaku, djersa dhe sakrificat e jashtëzakonshme të shqiptarëve, do të vidhet dhe do të grabitet barbarisht nga Qeveria më e korruptuar e kontinentit.

Të gjithë shqiptarët, në veçanti pensionistët dhe shtresat sociale më në nevojë duhet ta dinë se vitin e ardhshëm do të mbajnë mbi supe koston e korrupsionit të përbindshëm qeveritar.

Vetëm 170 lekë në muaj mbështetje për pensionistët dhe 777.2 miliard lekë për projektet korruptive PPP.

0 fonde për indeksim të pagave nga rritja e çmimeve dhe 109.5 miliard lekë shtesë për projektet koncensionare.

Jo vetëm 0% rritje por ulje të fondeve me 9.2% për familjet me ndihmë ekonomike që jetojnë në një varfëri të tejskashme dhe 75.1 miliard lekë ose një rritje me 3.9% të shpenzimeve operative.

0% fonde shtesë për kategorinë e të papunëve kur ndërkohë shtohet numri i të papunëve dhe 532.3 miliard lekë për shpenzimet administrative të Qeverisë.

Jo vetëm 0% fonde shtesë për kujdesin social por përkundrazi ulje të fondeve të shtresave në nevojë me 7.3% dhe ndërkohë 11,7% rritje ose 112.3 miliard lekë për vjedhje me rrugët e florinjta e investimet gjoja publike, që në fakt janë gropa septike korruptive.

Në ulje është dhe buxheti i kujdesit social me rreth 3 miliard lekë, ndërkohë në rritje do të jenë shpenzimet për pagesën e principalit të borxhit (të marrë për t’u vjedhur) që do të arrijë shifrën rekord në vitin 2025 në 103.1 miliard lekë nga 45.4 miliard lekë në vitin 2024.

Për vitin 2025 çdo qytetar i Republikës përfshi dhe çdo pensionist do të paguajë 698 Euro për interesat dhe principalin e borxhit publik, kur ndërkohë indeksimi i pensionit për një vit është vetëm 21 Euro.

Në vitin e 12 të qeverisjes, me Buxhetin e fundit të antisocial, Edi Rama provoi edhe njëherë se është në pushtet për të rritur mirëqenien e tij dhe gjakpirësve oligarkë pranë tij dhe se në asnjë nga 365 ditët e vitit të ardhshëm ai nuk ka menduar për mirëqenien e qytetarëve.

Në mbështetje të 5 Prioriteteve madhore për 4 milion shqiptarë plus, Partia e Lirisë depozitoi për miratim në Kuvendin e Shqipërisë, 11 amendamente me fokus të vetëm rritjen e mbështetjes sociale dhe zbutjen e kostos së jetesës dhe të varfërisë për pensionistët dhe qytetarët e thjeshtë për shkak të rritjes galopante të çmimeve të ushqimeve, ilaçeve, karburantit dhe taksave, si dhe një mbështetje për Arsimin në të gjithë nivelet e tij, Kërkimin Shkencor dhe rritjen e pagave për pedagogët, për Shëndetësinë e Bujqësinë për gjendjen e rëndë që përjetojnë këta dy sektorë, si edhe gjithashtu mbështetjen për të papunët dhe personat me aftësi të kufizuar.

Partia e Lirisë, nëpërmjet dy deputetëve të saj propozoi:

1. Rritje të mbështetjes për pensionet me 16.2 miliard lekë, ndryshe nga rritja qesharake e Qeverisë e parashikuar me vetëm 1.6 miliard lekë.

2. Rritje me 6 miliard lekë të mbështetjes për barnat e rimbursueshme, si ndihmë konkrete për pensionistët dhe qytetarët në përgjithësi.

3. Shtesë 2 miliard lekë për trajtimin me barna dhe aparatura për sëmundjet onkologjike, si përgjigje për dramën që po përjetojnë mijëra të sëmurë dhe familjet e tyre.

4. Shtesë 2 miliard lekë për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor, që po përjetojnë një situatë tepër të rëndë.

5. Shtesë 1.5 miliard lekë për Arsimin bazë, si përgjigje ndaj analfabetizmit dramatik funksional, që po rrënon të ardhmen e vendit.

6. Shtesë 1.2 miliard lekë për Arsimin e Mesëm.

7. Shtesë 1 miliard lekë për Arsimin Universitar.

8. Shtesë 0.5 miliard lekë për Zhvillimin e Sportit.

9. Shtesë 5.6 miliard lekë për Përkujdesin Social, të papunët dhe personat me aftësi të kufizuar, ndryshe nga përbuzja e Qeverisë, që nuk parashikon asgjë për këtë kategori që përballet me varfëri ekstreme.

10. Shtesë 1.5 miliard lekë për subvencione për Bujqësinë dhe fermerët, si përgjigje për dramën që po përjeton fshati dhe fermeri shqiptar.

11. Fond 7.9 miliard lekë për mbështetjen e rritjes së pagave që nga fillimi i vitit 2025.

Vota e Edi Ramës dhe deputetëve të “Rilindjes” kundër 11 propozimeve të bëra nga Partia e Lirisë nuk është votë kundër nesh, por vote kundër pensionistëve, qytetarëve në nevojë dhe në varfëri ekstreme, kundër fermerëve dhe bizneseve të ligjshme, kundër të rinjve, arsimtarëve dhe mjekëve.

Në 11 vite pushtet, Qeveria e Edi Ramës, në vend të përmirësonte jetën e pensionistëve, ka zgjedhur të rrisë pagat për veten dhe ministrat: 70% për Kryeministrin, 80% për ministrat dhe 90% për deputetët.

Ndaj largimi i kësaj qeverie antiqytetare, antipensionist dhe antisociale është mision kombëtar dhe qytetar.