“BILD” nxjerr “lakuriq” qeverinë/ Media gjermane publikon 6 audiopërgjime që dëshmojnë, si krimi ka kapur shtetin dhe mafia manipuloi votimet në Shqipëri. Reagojnë: Nishani, Kryemadhi, Basha. Pas prokurorisë reagon për “Telegraf” Agron Duka: Ja kush është urdhëruesi i blerjes së votave

518
Sigal

Media më e madhe në Gjermani “Bild” publikoi dje 6 audiopërgjime  të dosjes 339 që dëshmojnë si bashkëpunojnë krimi dhe politika për blerjen e votave

 

Si i manipulon mafia votimet në Shqipëri.

Nga Peter Tiede

A lejohet të hyjë në BE ky vend? Shqipëria e dëshiron, Brukseli nuk ka gjë kundër- dhe Gjermania e mbështet në parim çeljen e negociatave të pranimit me shtetin ballkanik, duke i dëshmuar atij përparim të madh në demokratizim. Por në të vërtetë, vendi po zhytet në kaos, gjendet në udhëkryq: Ose në rrugën drejt kushteve demokratike- ose përfundimisht si republikë e mafias.

Shqipëria- ky bastion i drogës në Evropë!

Protesta masive çdo javë, policë dhe prokurorë që largohen nga vendi, një udhëheqje e korruptuar policore, pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë funksionale- Shqipëria është në një krizë të madhe, pavarësisht disa përparimeve në turizëm. Një nga arsyet, që i ka nxjerrë masat në rrugë: akuzat se qeveria e kryeministrit Edi Rama ka blerë votat në mënyrë masive- me ndihmën dhe paratë e mafias së drogës, që dominon vendin. Që kur Edi Rama mori detyrën, kultivimi i marihuanës është përhapur në të gjithë vendin- duke u bërë industria kryesore e vendit përveç trafikut të drogës.

Dhe paratë e drogës po qeverisin vendin!

Kur “Bild” raportoi para pak kohësh për një transkriptim të përgjuar, në të cilin kryeministri Edi Rama e pyet një zyrtar vendor të zgjedhjeve, nëse gjërat kanë shkuar ashtu siç ishte rregulluar, qeveria u zemërua: “Bild” është një gazetë e blerë, pretendimet (që në fakt bazohen në dokumentet e hetuesve shqiptarë dhe të Evropës Perëndimore) janë krejtësisht të pabaza. Edhe hetuesit shqiptarë e konfirmojnë vërtetësinë e telefonatave. Por tani “Bild” ju sjell përgjimet telefonike, duke treguar se si përpara zgjedhjeve të vitit 2017, një baron famëkeq i drogës blen votat për Partinë Socialiste të Ramës. Ai siguron që një politikan i caktuar të futet në parlament. Ne po u tregojmë gjashtë përgjime konkrete. Përgjimet janë pjesë e një hetimi të policisë shqiptare- të ashtuquajturës ‘Dosja 339/1’. Dokumentet e bollshme u morën nga hetuesit shqiptarë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. Dhe që atëherë janë kryesisht të mbyllura në dosje- pjesë të saj nuk mund të fshihen. Sipas hetuesve, ky është vetëm një fragment ekzemplar nga një tërësi komplekse regjistrimesh, që janë mbledhur gjatë muajve të vitit 2017. Rasti konkret është vetëm një nga dhjetëra anembanë Shqipërisë. Shumica e tyre – janë akoma nën qilim. Hetuesit që punojnë për këto raste ose janë heshtur, ose kanë ikur jashtë vendit. Baroni i drogës në fjalë: Mafiozi Astrit Avdylaj- sipas hetuesve kreu i një bande me të paktën 44 persona, që organizon tregtinë ndërkombëtare të drogës (kokainë dhe heroinë) në rajon rreth qytetit port të Durrësit. Ai dhe vëllezërit e drejtojnë bandën nga qyteti i vogël i Shijakut. Për të ia ka vlejtur përpjekja: disa muaj pas zgjedhjeve ai u arrestua gjatë hetimeve ndërkombëtare së bashku me anëtarët e tjerë të klanit dhe dy vëllezër. Ai vetë është përsëri në liri- thuhet se kishte depresion dhe se qëndrimi në burg për të ishte i pamundur. Përgjimet tregojnë se si mafia kujdeset që një politikan i caktuar të bëhet kandidat i Partisë Socialiste. Më pas ata sigurohen që ky politikan i partisë qeverisës të Ramës të zgjidhet. Në hetime përfshihet: Kryebashkiaku socialist i Durrësit, qytetit të dytë më të madh në Shqipëri. Në përgjime mund të dëgjosh se si bosi i i mafias bie dakord me politikanët lokalë, me kryebashkiakun e vendlindjes së tij dhe qytetit të madh të Durrësit, që të caktojnë një kandidat për Partinë Socialiste dhe të blejnë dhe organizojnë vota për të. Në një përgjim, shefi i ujësjellësit merr një telefonatë nga mafia e drogës, që të sigurojë që stafi i tij të votojë për Partinë Socialiste të Edi Ramës dhe kandidatët e tyre. Durrësi dhe qyteti tjetër port i Vlorës janë vendimtarë për mafian: Sipas hetuesve, përmes këtyre porteve në Shqipëri vijnë kokaina dhe heroina. Nga atje, droga- duke përfshirë edhe kanabisin e rritur në të gjithë Shqipërinë- kontrabandohet në Itali dhe në Evropën Veriore dhe Qendrore. Fitimet: gjigante. Dhe ata duhet të sigurohen. Siç tha ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani për “Bild”, ekziston një pakt mes politikës dhe mafias në Shqipëri: Politika siguron biznesin, mafia sjell votat; mafia investon paratë e drogës në pasuri të paluajtshme, politikanët bëjnë një sy qorr për pastrimin e parave dhe trafikun e drogës. Dhe në sistemin klanor të Shqipërisë, edhe fermerët e marihuanës, që kultivojnë bimët për bosët, janë votues të lumtur, nëse qeveria u siguron pagën e drogës. E gjitha kjo nuk është e pazakontë në shumë shtete të Ballkanit, edhe në mesin e paraardhësve të Ramës në Shqipëri- por sistemi i perfeksionua si një program mbarëkombëtar nën Ramën. Dy ish-ministra të Brendshëm janë tashmë të ikur. Të dy ishin të dyshuar si pjesë e bandave të drogës. Aktualisht nën akuzë është ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Dhe Rama dhe ekipi i tij e kanë mohuar tradicionalisht kërkesën për të bërë testin e drogës përpara zgjedhjeve.

Rama dhe lidhjet e tij me mafian e drogës

Edhe Rama vetë konsiderohet si një njeri me lidhje të ngushta me mafian e drogës: hetuesit perëndimorë dhe opozita shqiptare e akuzojnë atë se ka blerë votat me paratë e drogës. Regjistrimi i një telefonate duhet ta provojë këtë: Rama i telefonoi më 11 shtator 2016 drejtuesit të një komisioni rajonal zgjedhor, duke e pyetur nëse gjithçka shkoi në zgjedhje ashtu ‘siç ishte diskutuar’. Përgjigja e kreut të komisionit: “Po, shef, siç është diskutuar”. Ish-ministri i Drejtësisë, Manjani, një profesor i respektuar i ligjit, thotë për “Bild”: ‘Organizata të ndryshme ndërkombëtare kanë konfirmuar se ka pasur blerje të votave në masë’. Ish-ministri sheh pas kësaj një projekt të përbashkët të Ramës dhe mafias: ‘Qeveria mbron mafian dhe lejon biznesin e tyre të drogës. Në këmbim, bandat dhe klanet blejnë vota për qeverinë’. Rama i mohon të gjitha: Duket si viktimë e një komploti. Vetëm se: Këto regjistrime, që i kanë bërë hetuesit e tij, ai nuk mund t’i pastrojë nga kjo botë.

Qeveria e Rilindjes mbetet “lakuriq” përpara  Evropës. Krimi ka kapur Shtetin

Kur qeveria shqiptare, lobon me vendet evropiane, për të hapur negociatat për anëtarësim në BE, duke pasqyruar si suksese reformën në drejtësi dhe vetingun, dje media më prestigjioze dhe më e madhe e Gjermanisë “Bild” publikoi 6 audiopërgjime të nxjerra nga dosja 339 e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në të cilat faktohen bashkëpunimi i zyrtarëve më të lartë të Rilindjes Socialiste me persona të Botës së Krimit të Organizuar, për blerjen e votave gjatë fushatës zgjedhore parlamentare të 2017-s.  Ndërkohë, që KE i ka përcjellë Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian edhe kërkesën e parlamentit holandez, që Shqipërisë t’i hiqet e drejta e lëvizjes së lirë në zonën ‘Shengen’, për shkak të rritjes së krimit shqiptar në Hollandë, qeveria e Rilindjes Socialiste mbetet “lakuriq” përpara evropianëve, pak ditë përpara se Këshilli i Evropës të marrë vendimin nëse do hapen negociatat ose jo me Shqipërinë. Është paksa ironike edhe fakti që dje kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla ndodhet në Berlin dhe bën lobin me deputetë gjermanë, ndërkohë, që deputetët gjermanë dëgjojnë nga “Bild” si Rilindja Socialiste bashkëpunoi me krimin e organizuar në zgjedhjet parlamentare të 2017-s për të blerë votat. Ironi e kohës është që po dje Taulant Balla dha intervistë në DW pikërisht, duke renditur “sukseset” e qeverisë në reformat e integrimit, ndërkohë, që në të njëjtën orë “Bild” transmetonte audiopërgjimet e blerjes së votës në 2017-n nga krimi i organizuar për llogari të Rilindjes Socialiste.  Rilindja Socialiste mbeti “lakuriq” përpara evropianëve, edhe për këmbënguljen e saj për të bërë zgjedhje vendore pa opozitën shqiptare, ndërkohë, që opozita ka braktisur parlamentin, pikërisht, sepse vota në 2017 u ble me lekët e kërcënimet e krimit të organizuar. Deputetët gjermanë, mund të jenë paksa skeptikë që të besojnë opozitën shqiptare për këtë akuzë, por tani, duke dëgjuar “Bild” binden që krimi i organizuar ka marrë peng shtetin shqiptar.

Reagimet politike në Shqipëri nga publikimi i audiopërgjimeve të “Bild”

Intervista e gazetës “Telegraf”

Agron Duka, kryetari i PAA

Jam i bindur që askush nuk mund të vepronte pa bekimin e tij

 

Agron Duka, kryetar i PAA,  në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohon se ato që ka transmentuar “Bild” janë akuzat që ka ngritur ai që në 2017, si kandidat i opozitës, së cilës i vodhën votat, i blenë ato me paratë e krimit të organizuar. Zoti Duka pohon në “Telegraf” se askush nuk mund të vepronte në fushatën zgjedhore, domethënë, askush nuk mund të blinte votë pa bekimin e kryeministrit Rama.

Cili është mendimi  juaj për përgjimet që dëgjohen nga DOSJA 339 tek BILD?

Përgjimet vërtetuan akuzat e opozitës dhe sidomos drejtësinë e kauzës sonë, pra pamundësinë për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme me këtë qeveri. Madje, të jeni të bindur se përgjimet janë vetëm një përqindje e vogël e asaj që ndodh ne realitet.

Ka të tjerë funksionarë të Lartë që pleksen në Bisedimet e përgjuara?

Sasia e përgjimeve padyshim të bën të mendosh se nuk mund të mbaroj me kaq, por janë të përfshirë rangjet e larta të administratës dhe qeverisë. Përgjimet tregojnë se nuk jemi përballë një mazhorance që bashkëqeveris me popullin, sikurse kërkojnë të pohojnë me propagandën e tyre, por bashkëqeverisin me krimin.

Ju është vjedhur Juve vota në zgjedhje?

Sigurisht që po, madje përgjimet konfirmojnë përpjekjen për të pamundësuar mandatin e pestë të PD-së, pozicionin tim në listën e  vitit 2017. Unë e kam deklaruar që në momentet e para që zgjedhjet ishin vjedhur dhe se gjithë sondazhet konfirmonin, se në letër ne do të kapnim numrin e duhur të votave për t’u bërë pjesë e Parlamentit, por askush nuk mund të parashikonte atë makineri të përbindshme të përberë nga krimi dhe politika.

A është  i përfshirë edhe vet Kryeministri Rama në përgjime?  Përmendet emri i tij?

Nuk di më shumë se prokuroria, por jam i bindur që askush nuk mund të vepronte pa bekimin e tij.Rama gjatë gjithë kohës ka mbajtur në krah Dakon. Nuk e ka bërë Dako, e ka bërë ky. I kam parë me sytë e mi dhe një nga problemet ka qenë që të mos kalojë Agron Duka. Ramën dhe Dakon nuk i ndaj. Jam i sigurt që, nëse këto përgjime do vijojnë, do të ketë edhe përgjime ku ka dalë Rama. Prokuroria është e kapur dhe po bën lojën e mazhorancës”.

Kryemadhi: Koha e Ramës ka mbaruar! Dorëheqja, e vetmja rrugëdalje e tij

Faktet e bëra publike nga gazeta gjermane “Bild”, i vënë vulën tjetërsimit të votës nga krimi i organizuar për llogari të Rilindjes. Këto fakte janë vetën një pjesë e puzzle-it gjigant të bashkëpunimit të krimit të organizuar me zyrtarët e Rilindjes, të të gjitha niveleve. Unë kam denoncuar publikisht me fakte, që në tetor të 2017, lidhje të tjera të elementëve kriminalë direkt me Edi Ramën. Në fotografi mund të shikoni Edin të rrethuar nga “stafi” i tij elektoral në qarkun e Durrësit. Këto incizime nuk janë rastësi, as të vetmet prova për tjetërsimin e votës së shqiptarëve. Ato shtrihen kudo nga Jugu në Veri. Nga Shkodra në Dibër. Nga Elbasani në Lezhë. Nga Vlora në Berat. Nga Tirana në Fier. Kudo në të gjithë Shqipërinë. Për çdo shqiptar është më se e qartë: Krimi i organizuar është ulur këmbëkryq në kutitë e votimit, në Parlament, në karrigen e Kryeministrit, në qeveri. Zgjedhjet, Parlamenti, Kryeministri dhe Qeveria janë ilegjitime. Koha e këtij Kryeministri ka mbaruar! Dorëheqja është e vetmja rrugëdalje e tij. Popullin nuk e ndal dot askush të thotë sot fjalën e tij dhe t’i rikthejë legjitimitetin zgjedhjeve, parlamentit, qeverisë, që sot janë marrë peng nga bandat e Rilindjes. Asnjë hap pas!

Basha, kryetari i PD-së: Rama të dorëhiqet,  të krijohet qeveri transitore për zgjedhje të lira

Përgjimet e publikuara nga gazeta prestigjioze “Bild” kanë tronditur sot shumë shqiptarë dhe shumë miq të huaj, të cilët kanë hequr çdo dyshim se për të mbajtur pushtetin e kalbëzuar nga korrupsioni, Edi Rama ka bërë pakt me krimin, ka blerë vota nëpërmjet bandave dhe trafikantëve ndërkombëtarë të drogës. 6 përgjimet e publikuara nga media gjermane si pjesë e dosjes 339/1 janë radiografia e pushtetit mafioz dhe ilegjitim të Edi Ramës. Përgjimet që mbahen peng nga prokuroria e kontrolluar prej Edi Ramës, janë konfirmim i pakundërshtueshëm se: Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e vitit 2017 është produkt i krimit të organizuar. Qeveria e Edi Ramës është ilegjitime. Me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Përgjimet e publikuara nga “Bild” janë tregues i historisë politike të Edi Ramës: ai ka ardhur në pushtet nga krimi dhe e mban pushtetin me krimin e për krimin. Sot më shumë se kurrë, vendi ka nevojë për zgjidhje politike, e cila kalon përmes largimit të kryeministrit ilegjitim Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore, që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.

Ish-Presidenti Bujar Nishani: Situata sot në Shqipëri është emergjencë!
Sot kemi denoncimin më të madh publik, provat dhe faktet e një platforme, modelit dhe rrjetit mafioz në marrjen e pushtetit dhe me të të kapë dhe dominojë një shtet të tërë. Përgjimet e “Bild” janë veçse një pjesëz e batakut të madh e të qelbur të të ashtuquajturave zgjedhje të 2017! Klani kriminal i Shijakut është veçse maja e ajsbergut të mafies shqiptare të krijuar që prej 2013-s, rritur e forcuar në kulminacionin e saj më 2017 dhe sot në 2019 ka shtrirë metastazat e saja në çdo pjesë të shtetit tonë, duke helmuar çdo pjese të të gjitha pushteteve.. Përgjimi mafiozëve të Shijakut tregoi në të vërtetë standardin e reformës në administratën publike. Përgjimi i mafiozëve të Shijakut në 2017, tregoi ku jemi sot në 2019 dhe se kush kërkon të na qeverisë, drejtojë, edukojë, kulturojë, prosperojë, përfaqësojë neve edhe më tej. Situata sot në Shqipëri është emergjencë> Asnjë hetim normal, i pavarur dhe i plotë nuk mund të bëhet pa u larguar kjo qeveri dhe kreu i saj nga pushteti absolut që ka vendosur mbi të gjitha institucionet e vendit e specifikisht mbi prokurorinë e kapur egërsisht prej tyre. Sot emergjente është dorëheqja e menjëhershme e kësaj qeverie dhe kryeministrit aktual.  Asnjë reformë e thellë kushtetuese dhe ligjore për ndërtimin e institucioneve të forta e të pavarura, apo zgjedhje të lira e të ndershme nuk do të mund të bëhet në këtë vend pa pasur një hetim të plotë dhe përballje me ligjin të mafies së instaluar në pushtet. Kush mendon se kjo do të kalojë pa penalizim ligjor apo do të lihet në harresë konsensuale, gabon rëndë.