Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë ratifikimin e paktit Rama -Meloni për emigrantët, ç’ka do të thotë se kjo marrëveshje personale nesër nuk do të marrë bekimin e Parlamentit të Edi Ramës sikurse ishte parashikuar.
Padia në Kushtetuese u bë nga deputetet e Partisë Demokratike, teksa seanca e parë do të zhvillohet në 18 Janar 2024.
Ky vendim paraprak i Gjykatës Kushtetuese mbron interesat e vendit, që ishin këmbyer me një marrëveshje okulte nga Edi Rama për interesat e tij personale.
Gjatë takimeve që kam zhvilluar në Itali pak javë më parë, ndër të tjera dhe me Ministrin e Jashtëm, Antonio Tajani, kam shprehur qëndrimin tim kundër këtij pakti me argumentin se Shqipëria, vend që eksporton çdo vit mijëra refugjatë, nuk mund të kthehet në një vendparkimi për tepricat e refugjatëve të Italisë.
U ndala veçanërisht në çështjet e sigurisë, ku argumentova se këta refugjatë mund të jenë një minë me sahat për autoritetet e dobëta ligjzbatuese shqiptare, teksa u shpreha qartë shqetësimin se kjo marrëveshje do keqpërdorej nga Edi Rama kundër Italisë.
Unë besoj që edhe opozita italiane do të jetë në lartësinë e duhur për t’ju drejtuar drejtësisë për t’i kërkuar ndalimin e kësaj marrëveshje, që bie ndesh edhe me ligjet e dy vendeve, por edhe me ligjet e Bashkimit Evropian dhe mbi të gjitha krijon një precedent të rrezikshëm që autokracitë në tentative të blejnë heshtjen e BE, duke i kthyer shtet e tyre në vende parkimi për emigrantët.