Berisha: Rama e Vuçiç Kosovën e duan pjesë të Serbisë

760
Sigal

Berisha: ‘Rama dhe Vuçiç s’e ftuan Kosovën, pasi donin ta paraqisnin si pjesë të Serbisë’

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në një prononcim për “Bota Sot” ka komentuar projektin e Mini-Shengenit, të cilit po i prin presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Berisha, duke folur për këtë projekt, tha se Vuçiç me qëllim nuk ftoi Kosovën në Nish. Sipas tij, kjo ndodhi për shkak se donin ta paraqitnin Kosovën si pjesë të Serbisë. “Përsa i përket mospjesëmarrjes së Kosovës në këtë projekt, mendoj se ka dy anë: E para Vuçiç me qëllim nuk ftoi Kosovën në Nish. Në Nish, Traktatin e firmosi vetëm Vuçiçi dhe Zografi bis. Kosova nuk u ftua në Nish pasi Vuçiç me aprovimin e plotë të Edvinit me këtë akt e konsideroi atë pjesë të Serbisë. Për këtë çështje ka hedhur dritë zëvendësministri i mbrojtjes së Serbisë në një takim në Bukuresht. Sipas burimeve të oficerëve të shtabit të përgjithshëm të Shqipërisë, ‘Kosova në Nish nuk u ftua’,- do t’i thoshte në takimin e SEDM-it në Bukuresht, zëvendësi i Vulin, zëvendësministrit të mbrojtjes së Shqipërisë Petro Koçi me dakordësinë e plotë të Vuçiç me Edvin Kristaq Zografin”, u shpreh Berisha për “Bota sot”. Ai tha se Kosova u ftua në Ohër, për shkak të reagimeve dhe dyshime të forta ndërkombëtare. Berisha theksoi se, ky projekt do të thotë Jugosllavi e re. “Së dyti, mungesa e Kosovës në Nish ngjalli reagime dhe dyshime të forta ndërkombëtare. Prandaj Vuçiç për të maskuar sadopak këtë qëndrim të tij albanofob u detyrua ta ftojë Kosovën në Ohër. Por natyrisht Kosova e përjashtuar me qëllim ogurzi nga Vuçiç dhe Rama në Nish nuk kishte pse t’i bashkohej valles së tyre të Jugosllavisë së Re, projekti i të cilës ka si qëllim dominimin e rajonit nga Serbia, zhvlerësimin e faktorit shqiptarë, i cili de facto është dhe faktori më i fuqishëm i tij, defaktorizimin dhe izolimin e Kosovës dhe rolit të saj kyç në rajon”, – tha Berisha.