Në fjalën e mbajtur në Parlament, Berisha tha se reforma duhet të bëhet sipas propozimeve të Komisionit të Venecias. Gjithashtu ai shton se nuk ishte dakord që këtë reformë ta bënin të huajt, por ata thjeshtë ta vëzhgonin.
“Nuk jam dakord që këtë proces ta bëjnë të huajt. Jam shumë dakord që ta vëzhgojnë. Por, ky do të jetë proces shqiptar. Ju që doni të fshiheni pas tyre në këtë proces fshiheni pas kullave të studios franceze dhe mbushët për vete xhepat. E doni reformën, hajdeni silleni këtu ta bëjmë sipas nenit 88 dhe ne e votojmë që nesër. Doni ta fusni në dorë drejtësinë? Kjo s’do të ndodhë kurrë. Ne jemi garant për këtë. ‘Venecia’ për ligjet është për ne qeveria e të gjitha qeverive.
Është institucion i përzgjedhur nga të gjithë qeveritë e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Sepse John Kerry deklaroi reformën sipas ‘Venecias’. ‘Venecia’ ka folur. Aty janë rekomandimet. Ne i qëndrojmë plotësisht atyre. E doni reformën? Vazhdoni mashtrimet. Ju po bllokoni reformën në drejtësi. Kryeministër që i tregon opozitës vijën e kuqe, kjo nuk ndodh askund në Evropë. Një kryeministër që heq maskën, tregon se është anti-reformë”, tha ish-kryeministri.