Berisha: Po shqyrtoj qëndrimin tim në Kuvend, nuk përjashtoj dorëzimin e mandatit

610
Përpara nisjes së seancës plenare, ish-kryeministri Sali Berisha bëri të ditur se po shqyrton në themel qëndrimin e tij në këtë parlament, të cilin e cilësoi si turpin e Shqipërisë, Ballkanit dhe gjithë Europës. I pyetur nëse kjo deklaratë nënkupton dorëzimin e mandatit të deputetit, Berisha tha se “të gjitha opsionet janë të hapura”. Duke përmendur me emra konkretë të gjithë deputetët e maxhorancës, që sipas tij, vjedhin pa mëshirë nëpërmjet mandatit pasuritë e shqiptarëve, Berisha tha se kjo situatë është e padurueshme, pasi po vidhet haptas ditën për diell. “Kreu i meduzës së krimit të organizuar Edvin Kristaq Rama e ka shndërruar parlamentin në strofull të krimit dhe kriminelëve dhe në atë parlament gjen sot, pas burgjeve të sigurisë së lartë, numrin më të madh të kriminelëve. Edmond Prenga alias Armando Prenga vendosi të mos paraqitej për t’i larë faqen e zezë Edi Ramës. Por Armandi është vetëm një prej tyre. Si Armandi dhe më të zinj se Armandi janë një numër shumë i madh deputetësh të cilët vjedhin pa mëshirë nëpërmjet mandatit, pasuritë e shqiptarëve. Ju e dini që në gjykim është sivëllau Kokëdhima, Leskaj, Ilir Beqja të cilit i ngelin gënjeshtrat në fyt në intervista nuk është më pak. Mendoni se është më pak Sadri Abazi, Pjerin Ndreu. A e dini se ai deputeti që jeton në kështjellë, po bëhet fati të fusë në xhep 8 free shope në mbarë vendin. Nuk ka ndodhur kurrë që të vidhet haptas ditën për diell. Do të konsideroj shumë seriozisht qëndrimin tim në parlament. Personalisht jam duke menduar. Do rishqyrtoj në themel qëndrimin tim ndaj këtij parlamenti.”-deklaroi Berisha
Sigal