Në prezantimin e kandidatëve për deputetë në Lushnje, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është shprehur se, miqtë e demokratëve kudo që janë, mezi po e presin votën e lirë të shqiptarë dhe fitoren e opozitës.
Ndërkaq, Berisha ka folur edhe për takimet e tij në Strasburg dy ditë më parë, dhe dëgjesën e sotme të zhvilluar në Parlamentin Europian.
‘U turpërova kur mora vesh se kreut të narkoshtetit shqiptar ia kishin anuluar darkën zyrtare në Këshillin e Europës sepse ishte sjellë si brigand, jo si kryeministër. Ishte sjellë në mënyrën më të padenjë dhe këtë ua ka fshehur shqiptarëve.
Sot në Parlamentin Europian ishte dëgjesa për Shqipërinë, dëgjesa e dytë në historinë e këtij vendi. E para u zhvillua në vitin 2001, kur me mekanizmin e famshëm të Dushkut i morën opozitës 11 mandate. Ngelën në klasë, mbetën, u rrëzuan. E dyta u zhvillua tani pikërisht, 3 ditë para fillimit të fushatës elektorale sepse Europa e ndjeu se padrinoja e Shqipërisë nuk ka nxjerrë mësime’, tha Berisha.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Të dashur qytetare dhe qytetarë, banore dhe banorë të qytetit dhe rrethit të Lushnjes, nderimin tim më të madh për ju, përuljen më të thellë para jush, burra dhe gra, të rinj dhe të reja, njerëz punëtorë, njerëz të mirë, njerëz të cilët jeni të gatshëm për sakrifica sa pari për një jetë më të mirë për secilin prej jush, për një Lushnje më të mirë, për një Shqipëri më të mirë, për një Lushnje Madhështore, për një Shqipëri Madhështore.
I dashur zoti Gazment Bardhi udhëheqës politik i qarkut, të dashur kandidate dhe kandidatë për deputetë, kam nder të veçantë që vij sot këtu për t’u paraqitur ju, burra dhe gra, individë të shquar, njerëz të suksesit, njerëz me dinjitet, që përfaqësoni vlerat më të arrira të familjeve, të komunitetit, të qytetit dhe fshatrave të këtij rrethi.
Do përfaqësoni në parlament me dinjitet interesat e tyre më jetike dhe më të mira.
Krahasimi juaj me deputetët e Lubisë, deputetët e Shytëve, janë të krahasosh natën me ditën.
Demokrate e demokratë, qytetare e qytetarë, askush nuk mendonte kurrë para 4 vitesh se forca politike, të cilës ju i dhatë besimin për të mbrojtur idealet tuaja, për të mbrojtur parimet, do të vinte sot në prag të fitores më e fortë se kurrë, më e fuqishme se kurrë.
Pas përpjekjeve që u bënë për ta fshirë atë si forcë politikë, ju e ngritët PD-në, e ngritët opozitën si Feniksi nga hiri dhe ja ku jemi sot, më të kthjellët, më të qartë, më të guximshëm se kurrë në ekzistencën tonë.
Miqtë e mi, këto 2 ditë që kaluan, kanë qenë për herë të parë në histori ditët e Europës për Shqipërinë, ditët evropiane për shqiptarët, në Strasburg dhe Bruksel, në rendin e ditës ishin qytetarët shqitparë, ishin të drejtat tuaja, ishte dinjiteti juaj, ishte vota juaj, ishte e ardhmja juaj.
Mirënjohje të pakufishme miqve tanë në Europë, që bënë kauzë të tyre, kauzën elirisë së shqiptarëve, kauzën e votës së lirë të lushnjarëve dhe mbarë shqiptarëve.
Këto 2 ditë, dielli shkëlqeu më shumë se kurrë mbi vlerat, parimet dhe idalet që ju mbrojtët.
Unë isha në Strasburg dhe nga mëngjesi gjer natën vonë paraqita Shqipërinë, situatën e saj, por paraqita edhe vendosmërinë e opozitës, projektin e saj për një Shqipëri madhështore.
Miq, a e dini ju se ndonjëherë, njeriu turpërohet edhe për atë që nuk duhet të turpërohet kurrë.
U turpërova kur mora vesh se kreut të narkoshtetit shqiptar ia kishin anuluar darkën zyrtare në Këshillin e Europës sepse ishte sjellë si brigand, jo si kryeministër.
Ishte sjellë në mënyrën më të padenjë dhe këtë ua ka fshehur shqiptarëve.
Sot në Parlamentin Europian ishte dëgjesa për Shqipërinë, dëgjesa e dytë në historinë e këtij vendi.
E para u zhvillua në vitin 2001, kur me mekanizmin e famshëm të Dushkut i morën opozitës 11 mandate. Ngelën në klasë, mbetën, u rrëzuan.
E dyta u zhvillua tani pikërisht, 3 ditë para fillimit të fushatës elektorale sepse Europa e ndjeu se padrinoja e Shqipërisë nuk ka nxjerrë mësime.
Pra, ju e shihni, miqtë tanë kudo që janë, presin me padurim votën e lirë të shqiptarëve dhe fitoren e opozitës.