Berisha: Në Shqipëri, një student paguan 3 herë më shumë se në Gjermani apo Austri! Jemi për arsimim masiv

81
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në një takim me banorët e Shijakut se në Shqipëri një student paguan tre herë më shumë se në Gjermani apo Austri.

Berisha tha se qeveria e Ramës ka rrënuar sistemin arsimor ndërsa shtoi se arsimimi masiv është një kusht që vendi të zhvillohet.

“Kemi një rrënim të vërtetë të sistemit arsimor. Këtë vit 220 mijë nxënës më pak se 5 vite më parë. Por këtë vit, 51 mijë nxënës e nisën vitin shkollor me klasa kolektive. Fëmija 7-vjeçar me 12-vjeçarin, 10-vjeçarin në një klasë. Në 2005 kur erdhëm e gjetëm Kamzën me 3 turne.

Këtë vit, Kamza u rikthye sërish me 3 turne. Pse? Sepse shkollat u shembën nga tërmeti, u shembën nga babëzia dhe korrupsioni dhe nuk janë ndërtuar. Si shkolla e Ishmit. Nuk janë ndërtuar. Nuk janë ndërtuar sepse kërkohet se si e si të vidhet më shumë dhe jo të ndërtohen.

Nuk mund të ketë kurrë sistem arsimor nëse nuk e vendos mësuesin në piedestalin që meriton. Dhe çdo shoqëri që beson të ecë mbi dijet duhet ta vendosë mësuesin, ti krijojë kushte dhe ta stabilizojë atë në kushtet më të mira të mundshme. Çfarë ndodh, në 8 vite as indeksimi i rrogave nuk u bë. U pushtua arsimi nga patronazhistët dhe u asgjësua meritokracia. U përdor portali me të vetmin qëllim për të bërë diferencim partiak.

Sigurisht që këto të gjitha do të marrin fund.

E shtruar me të drejtë çështjen në universitet dhe arsimin masiv. Ne kemi qenë dhe jemi për asimin masiv. Nuk po shpikim gjë. E gjithë bota sot është për arsim masiv. E dini se sot një student në Shqipëri paguan 3 herë më shumë se studenti në Gjermani, Austri. Po pse, sepse qeveritë e tyre e kanë nder, kënaqësi që të hapin dyert dhe të krijojnë mundësitë që fëmijët e qytetarëve të tyre të shkollohen pa krijuar strese ekonomike te familjet.

Paguan në Tiranë 1 mijë euro në një fakultet, në Austri 300 euro. Ky erdhi dhe u kthye te modeli i vjetër, selektiv. Akti i parë që bëri, lëvizi mesataren, duke goditur të varfrit. Lëvizi mesataren absolutisht kundrejt ryshfetit që mori nga universitetet private. Vinin ata tek unë dhe kërkonim me insistim që ta lëvizja. Merrnin një jo kategorike.

Unë nuk isha një armik i tyre, përkundrazi ua hoqa TVSH, por mesataren nuk e lëviza. Sepse ishte detyrim i qeverisë që ti kishte dyert e hapura, si për atë me 6 apo 7. Pastaj në shkollë e sipër secili merrte atë që meritonte. Ndaj dhe këtu ne jemi dhe do të jemi për arsimin masiv.

Do të luftojmë me të gjithë mjetet për cilësinë, por arsimi masiv është një kusht që vendi të zhvillohet.”-tha Berisha.