Berisha dhe Trump kanë tipare të përbashkëta, media greke parashikon përmbysje në 11 maj

12
Sigal

Gazeta greke Protothema, ka komentuar praninë e Chris Lacivita në Shqipëri për ndihmën që po i ofron liderit të opozitës Sali Berisha për zgjedhjet e 11 majit për të ardhur në pushtet. Sipas Protothemas, njerëzit që Chris Lacivita ka ndihmuar për të ardhur në pushtet si Trump ashtu dhe Berisha, kanë tipare shumë të ngjashme.

‘Dy njerëzit që LaCivita i ka këshilluar në dy vitet e fundit janë Trump dhe Berisha. Sipas tij, të dy këta persona kanë ‘profile çuditërisht të ngjashme’, pasi ata u persekutuan nga establishmenti, u etiketuan si të rrezikshëm nga elitat dhe u paraqitën si të huaj që duheshin eliminuar politikisht me çdo mjet të nevojshëm’, shkruhet në artikull.

Media greke komentoi dhe pritshmëritë që Berisha mund të bëjë një fitore spektakolare pasi sipas saj qytetarët shqiptarë nuk i besojnë shumë sondazheve dhe një faktor tjetër mund të jetë bota e diasporës që do të përmbysë ato.

‘Pavarësisht vonesës së sondazheve – socialistët thuhet se po marrin 48%, me një epërsi prej të paktën 10 pikësh – vota e diasporës dhe besueshmëria e ulët e matjeve lënë një mundësi të hapur për një tronditje. Nëse Berisha ia del mbanë, ky do të jetë një rikthim spektakolar politik për një figurë që shumë e konsideronin përfundimisht të përfunduar.’-shkruan Protothema.