Gjatë takimeve që zhvilloi me banorë të Yzberishtit, kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi u njoh nga afër me shqetësimin e tyre për mungesën e hapësirave publike dhe infrastrukturës.
Zona e Unazës së Re dhe Yzberishti, janë nga më të diskriminuarat nga Bashkia e Tiranës në raport me invetimet publike. Gjatë takimeve që zhvilloi me banorë të Yzberishtit, kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi u njoh nga afër me shqetësimin e tyre për mungesën e hapësirave publike dhe infrastrukturës.
Gjithashtu, banorët u ankuan edhe për taksat e larta që i paguajnë Bashkisë së Tiranës.
“Ajo që duket nuk ka nevojë për koment. Këtu nuk është vënë dorë për asgjë. Edhe kanalizimet bllokohen. S`jam i kënaqur hiç. Paguaj 18 mijë lekë taksë gjelbërimi lali Erit, është me fakt kjo jo kështu, i paguaj. Këtu o vëlla na ka ardhur! Ne familjarët ashtu jemi, ca me punë e ca pa punë, po fëmijët këtu nuk kanë ku luajnë”, u shprehën disa banorë të Yzberishtit.
Për këtë situatë, Belind Këlliçi u shpreh se po flet çdo ditë. Ai shtoi gjithashtu se ndonëse Erion Veliaj ka mbledhur 41 milionë euro nga taksa e infrastrukturës arsimore, këto para nuk janë kthyer pas në investime për banorët.
Duke u ndalur te një tjetër angazhim i programit të tij, paketa e taksave dhe tarifave për biznesin, Belind Këlliçi njohu disa sipërmarrës të biznesit të vogël, me uljen e barrës për ta. Sipas kandidatit të opozitës për bashkinë e Tiranës, reduktimi i këtyre taksave, do të ndihmojë biznesin të fitojë më shumë, por njëkohësisht të hap vende të reja pune.
“Kemi në plan për ta përgjysmuar tarifën e hapësirës publike, do ta bëjmë gjysëm nga sa e ke tani. Edhe tarifën e pastrim gjelbërimit do ta përgjysmojmë. Do të heqim taksën e infrastrukturës arsimore, që është absurde vëlla. O e vuan kjo zonë, o s`ka zonë që e vuan. Dmth o ka zonë të diskriminuar në Tiranë, o nuk ka tjetër. Kjo është katastrofë ajo që ka ndodhur. Këto janë ndihma edhe për biznesin, me ndihmu edhe biznesin e vogël me marr një punëtor më shumë, me pas të ardhura më shumë, me i dhënë frymëmarrje”, -tha Këlliçi.
Një tjetër problem thelbësor për zonën është mungesa e ujit të pijshëm. Belind Këlliçi takoi një të moshuar, i cili sapo kishte blerë ujin që përdor për të pirë në familje.